Editorial , Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 26 prill – Mendësia nacionaliste dhe kundërthënëse e partisë opozitare maqedonase është për të ardhur keq. Në momentet kur pritet që VMRO DPMNE të reflektojë drejt ndryshimit, ajo rikthehet në të kaluarën e saj të errët duke kërkuar tani që të lirohen ata që u futën dhunshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut katër vite më parë. Në vend se të dalin e të kërkojnë falje për atë që i kanë bërë demokracisë në këtë vend, VMRO DPMNE pa fije turpi kërkon që t’i falë ata që derdhën gjakun e deputetëve dhe që desh filluan luftë qytetare.
VMRO DPMNE kërkon të harrohet dhuna e sulmi ndaj Kuvendit
Thirrje për lirimin e të dënuarve për dhunë në Parlament më 27 prill 2017, por edhe shpërbërjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, janë kërkesat e drejtuar nga protesta nën moton “Liri për mbrojtësit e kushtetutës “.
Protestuesit e pranishëm në protestë ishin unanim në mesazhet e tyre për lirim nga akuza për ata që u dënuan për hyrjen e dhunshme në Kuvend katër vjet më parë. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski gjithashtu morri pjesë në protestë, megjithëse partia mohoi që ata janë organizatorët e drejtpërdrejtë të ngjarjes. Mbështetje dha edhe kryetari i partisë GROM, Stevçe Jakimovski, i cili kërkoi amnisti për të akuzuarit. Fjalim kishte edhe këngëtari i operës, Igor Durllovski, i cili ishte i vetëm i akuzuar që nuk u dënua, duke i liruar nga çdo faj. Për protestën e sotme reaguan edhe nga LSDM, ku vlerësojnë se Mickoski proteston për mbrojtjen e dhunës.
Mickoski kërkon bashkëpunim me Selën, në anën tjetër kërkon lirimin e dhunuesve të tij
Kryetari i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku fitues kishte dalë LSDM bashkë me ndihmën e partisë shqiptare BESA kishte reflektuar pozitivisht në nevojën për të ndryshuar mënyrën e të bërit politikë. Ai i vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është faktori shqiptar në këtë shtet, kishte deklaruar se do të pranonte që në të ardhmen të bashkëpunonte me partitë shqiptare. E në këtë rast, Mickoski deklaroi se më afër bashkëpunimit është me opozitën shqiptare që drejtohet nga Zijadin Sela dhe Afrim Gashi.
Por në momentin kur dy palë dëshirojnë të afrohen e bashkohen, atëherë duhet që ata të harrojnë veset e vjetra. Edhe Sela por edhe VMRO DPMNE njihen për politikat e ashpërta nacionaliste, por populli kërkon reforma rrënjësore dhe jo populizëm.
Edhe pse ka pasur shumë pengesa që të afrohen opozita shqiptare dhe ajo maqedonase, ata disi arritën të tejkalohen dhe bashkëpunimi midis tyre dukej më i mundshëm.
Por, dalja e Mickoskit në protestën e djeshme ka treguar edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë. Me çfarë fytyre tani Mickoski do t’i dalë përpara Zijadin Selës! A është i vetëdijshëm se me kërkesën për lirimin e dhunuesve në Kuvend, kërkohet lirim edhe i atyre personave që rrahën dhe desh e mbytën Zijadin Selën brenda Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
A është i vetëdijshëm Mickoski se me kërkesën për lirimin e dhunuesve, ai kërkon që të falen ata që derdhën gjakun e deputetëve dhe dhunën e gazetarëve në Kuvend.
A është i vetëdijshëm Mickoski se me kërkesën për lirimin e dhunuesve, ai po bën një precedan që në të ardhmen mund të përsëritet nga çdo kush. Kjo do t’i bie se çdokush në të ardhmen që synon ta sulmojë Kuvendin nuk do të marrë dënimin e merituar. Në këtë formë do t’iu jepte kurajo secilit që dëshiron që në të ardhmen të sulmojë vendin ky demokracia duhet të lulëzojë.
Mendësia e Mickoskit ende si e Gruevskit!
Pas dhunës në Kuvend dhe ndryshimeve politike dukej se edhe VMRO DPMNE që udhëhiqej nga regjim siç ishte ai i Nikolla Gruevskit, aktualisht azilant në Hungari kishte marrë leksionin e duhur. Atë botë u vlerësua se kësaj partie i duhej një lider vizionar dhe reformues që nuk është nën dirigjimin e Gruevskit dhe tajfës së tij. Ardhja e Mickoskit edhe pse kishte një sërë dyshimesh se ai nuk është njeri më i duhur në këtë parti, sërish kishte lënë një fije shprese se kjo parti përfundimisht do të reformohej. Megjithatë, herë jepte sinjale pozitive, e shpeshherë sinjale negative. Reforma rrënjësore e kërkuar brenda kësaj partie kurrsesi nuk po ndodhte, prandaj edhe rezultatet e kësaj partie ishin humbëse dhe dështuese në zgjedhjet e njëpasnjëshme. Kjo i la mundësinë Zaevit të fitojë në dy raunde zgjedhore, qoftë në zgjedhje lokale por edhe në ato parlamentare.
Me zgjedhjet e fundit u duk se Mickoski e kuptoi të bërit politikë, se shqiptarët janë fuqia vendimmarrëse në këtë shtet dhe suksesi varet nga mënyra se si i trajton ata. Ai tentoi të afrohet me partitë shqiptare, por me veprimet e tij të fundit ai vazhdon t’i fryej nacionalizimit maqedonas dhe përveç që e sulmon pushtetin aktual, ai po kërcënon edhe shqiptarët.
Mickoski ishte kundërshtari më i madh i regjistrimit të diasporës duke insistuar që ajo në asnjë formë nuk guxon të mbahet tani, por të shtyhet për në shtator, sepse numri i shqiptarëve në diasporë që ishin mobilizuar për tu regjistruar ishte shumë i madh.
Në të njëjtën formë ai veproi edhe me protestën e djeshme, ku iu bashkua thirrjes për lirimin e kriminelëve që terrorizuan të gjithë shtetin.
Mickoski në asnjë mënyrë nuk duhej të pranonte të dilte dje në ballë të protestës. Këtë ndoshta mund ta mbështeste në heshtje, por qëndrimi i tij kaq i hapur ka lënë shije të hidhur te të gjithë qytetarët që besuan në refomrimin e tij.
Mickoski duhet ta kuptojë se ndryshimet në vend ndodhin me vota dhe asnjëherë me dhunë. Prandaj ai nëse është një politikan i reformuar duhet që të kërkojë ndryshime me votë dhe jo të arsyetojë dhunën. Dhuna nuk na çon askund, vetëm sjell trazira dhe përfitime për një rreth të ngushtë të njerëzve të cilët shfrytëzojnë masën e popullit për interesa të tyre personale.