Editorial / Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 20 prill – Qeveria e Shqipërisë gjatë ditës së djeshme ka vendosur që duke filluar nga dita e sotme të gjithë ata qytetarë që futen nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri ose nga Greqia duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë. Ky vendim ka irrituar qytetarët nga të dyja vendet fqinje të Shqipërisë, por ka pasur edhe reagime të brendshme. Shqipëria më 25 prill do të mbajë zgjedhje parlamentare dhe shumë persona këtë vendim të qeverisë shqiptare e shohin si përpjekje për të ndaluar votuesit nga këto dy vende, shkruan Zhurnal.mk.
Mbyllja e kufijve mos të votojnë emigrantët
Në shqipëri, partia opozitare Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen e karantinës për dy javë për shtetasit shqiptarë të cilët vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Për LSI-në, ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me kushtetutën dhe kjo konsiderohet si mohim i të drejtës kushtetuese të zgjedhësve shqiptarë me banim në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtën e tyre të zgjedhin lirisht për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.
LSI ka theksuar se ky akt administrativ konsiderohet i marrë pa prova, me qëndrime të njëanshme dhe të paligjshme nga pala e paditur, në kundërshtim, në lajthitje, si dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik.
Thyhet marrëveshja rajonale për mos mbyllje të kufijve
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur një karantinë dyjavore, për të gjithë personat që do të udhëtojnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë. Duke nisur që nga 20 prilli, kjo masë do të hyjë në fuqi dhe do të zgjasë deri më 3 maj 2021.
Sipas ekspertëve të Shqipërisë, situata në dy vendet fqinje është alarmante prandaj nevojitet mbyllje. Nga ana tjetër ata i lejojnë “nxënësit e viteve të para dhe të dyta, të cilët kanë qenë në mësim online që të kthehen me mësimin në klasa. Në Shqipëri sipas statistikave, mesatarja javore e rasteve pozitivë ka zbritur nga 172 në 138. Në Shqipëri, tre qarqet me numrin më të lartë të rasteve, janë: Gjirokastra, Korça dhe Berati.
Me vendimin e djeshëm Shqipëria ka thyer edhe marrëveshjen xhentëlmenë midis shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor se nuk do të lejojnë në të ardhmen të mbyllen kufijtë dhe të vendoset karantinë.
Masa e vendosur nga Shqipëria nuk është aspak reale
Masa e vendosur nga Shqipëria nuk është aspak reale, duke pasur parasysh se ata kanë masa më liberale për mbrojtje nga Covid 19 se sa Maqedonia e Veriut. Shqipëria është në fushatë zgjedhore, ku po mbahen mitingje dhe tubime të vazhdueshme me prezencë fizike të shumë qytetarëve, edhe pse zyrtarisht janë mbi 25 mijë qytetarë aktiv me korona virus.
Në Shqipëri ndryshe nga Maqedonia e Veriut nuk janë mbyllur xhamitë dhe bëhet falja e namazit te teravive që është një namaz i mbrëmjes me shumë xhematë. Maqedonia e Veriut të gjitha këto masa i ka marrë që para dy javëve dhe e ka rritur nivelin e restrikcioneve, që nënkupton se masat respektohen në nivel më të lartë.
Është fakt se Shqipëria është një hap përpara me vaksinimin se sa Maqedonia e Veriut, por situata është e njëjtë edhe me Kosovën apo Malin e Zi. Shtrohet pyetja pse nuk u mbyllën kufijtë edhe për këto dy vende!
Shqipëria nga ana tjetër kërkon që të hapë menjëherë pas zgjedhjeve edhe sezonin e ri turistik, e dilema është se si do të hapet sezoni turistik kur vonesa me vaksinim kanë Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Nga do të presë turistë Shqipëria, nëse jo shqiptarët nga dy vendet fqinjë që janë pushuesit më të mëdhenj në bregdetin shqiptar?
Dilema tjetër që shtrohet në opinion janë edhe kushtet e udhëtimit. Çfarë do të ndodhte me një person që ka PCR test negativ, a duhet ai të bëjë karranitnim në Shqipëri, ose çfarë ndodhë nëse një shtetas i Maqedonisë së Veriut vendos të udhëtojë nga Kosova dhe të futet në Shqipëri!
Problemi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut duket të jetë më shumë politik, nga frika se emigrantët e shumtë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto dy vende, janë kundër pushtetit dhe pikërisht në këtë pjesë prisnin vota më shumë partitë e opozitës.
Prandaj, ky vendim i qeverisë Rama duket se më shumë po shfrytëzohet për të larë hesapet me rivalët e tij politik se sa ka të bëjë me pandeminë në Ballkanin Perëndimor sepse situata është e ngjashme kudo. Ky vendim ishte i ngutshëm, pa paralajmërim dhe i dëmshëm për shijen që qeveria shqiptare e la karshi shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.