Shkup, 9 dhjetor – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbledhje do të mbajnë Komisioni për politikë të jashtme dhe Komisioni ligjdhënës-juridik.
Në rend dite të Komisionit për politikë të jashtme janë disa propozim ligje për ratifikime të memorandumeve për mirëkuptim dhe marrëveshje në disa sfera me Turqinë, Francën, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe Propozim ligje për ratifikim të ndryshimeve dhe plotësimeve të Marrëveshjes për tregti të lirë mes Republikës së Maqedonisë dhe shteteve EFTA dhe të Memorandumit për mirëkuptim për lehtësim të transportit rrugor të mallrave në rajonin e Organizatës për bashkëpunim ekonomik të shteteve të rajonit të Detit të Zi.
Krahas pikave të cekura, nga Komisioni ligjdhënës-juridik do të shqyrtohen edhe disa propozim vendime, mes të cilave edhe ndryshimi i Vendimit për miratim të vazhdimit të afatit për ekzistim të gjendjes së krizës në territorin e RMV-së për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik në kushte të ekzistimit të pandemisë së Kovid-19.
Në rend dite të këtij komisioni janë edhe propozim vendimet për ndryshim të vendimit për miratim të vazhdimit të afatit për ekzistim të gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të RMV-së, për shkak të rrezikut të lartë nga vëllimi i shtuar i hyrjes dhe transitimit të emigrantëve nëpër territorin e shtetit, Propozim vendimi për miratim të vazhdimit të afatit për ekzistim të gjendjes së krizës në tërë territorin e shtetit për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjeve në tregjet e energjisë elektrike, si dhe Propozim vendimi për shpërndarje të mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe mes fondeve.
Anëtarët e këtij Komisioni do ta shqyrtojnë edhe Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për financim të njësive të vetëqeverisjes lokale në lexim të parë.