Agjencia Zhurnal.mk.

Mbi 100 zyrtarë policorë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet me shkrim

Mbi 100 zyrtarë policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, kanë dorëzuar të dielën dorëheqjet e tyre me shkrim në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, i kanë thënë disa burime Radios Evropa e Lirë.

 

Mitrovica e Veriut, bashkë me Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lajmi për dorëheqjet e zyrtarëve policorë vjen pas vendimit të 5 nëntorit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe institucionet në veri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar përmes një komunikate se ka pasur paraqitje të dorëheqjeve në veri.

Sipas komunikatës, zyrtarët policorë i kanë dorëzuar pajisjet e tyre.

Policia ka thënë se ka kapacitet për menaxhim të situatës dhe do të veprojë në përputhje me autorizimet ligjore për të garantuar sigurinë.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, dhe dorëheqjet i kanë shpallur edhe deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Në paraditen e së dielës, njëjtë kanë vepruar edhe katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.

Related posts

Presidenti kroat, Milanoviq: Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për pranim në BE

D V

Kosova regjistron një viktimë dhe 29 raste me koronavirus

D V

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shqiptuar 647 gjoba për shkelje të rregullave anti-Kovid

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More