Agjencia Zhurnal.mk.

Mbështetje e fuqishme nga SHBA për fillim të negociatave

Shkup, 7 dhjetor – Mbështetje e fuqishme ka ardhur nga SHBA-ja për eurointegrimin e shpejtë të vendit me vizitën e zëvendës- ndihmës sekretarit shtetëror për çështje evropiane dhe euro-aziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar në Shkup i cili ka theksuar se Uashingtoni me partnerët evropian punon për integrim të shpejtë të vendit në BE. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani lidhur me negociatat me Bullgarinë shtoi se zhvillohen biseda dhe përkujtoi në takimin e tij me ministrin në Qeverinë teknike të Republikës së Bullgarisë Stoev në Rigë, ndërsa tha edhe se më 14 dhjetor nuk është afati përfundimtar për arritje të zgjidhjes me Sofjen.

 

“Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, pjesë kulturore, historike dhe ekonomike e Evropës dhe duhet të keni një karrige në tryezën e BE-së. Në atë pikëpamje do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet tuaja të tregohet fleksibiliteti në procesin e integrimeve evropiane, si dhe vazhdim i procesit reformues që kjo të bëhet realitet”, tha Eskobar.

Ai shprehu falënderim për partneritetin e SHBA-së me Maqedoninë e Veriut duke potencuar se ky nuk është vetëm partneritet, por miqësi dhe aleancë.

“Ne ndajmë vlera të përbashkëta të cilat janë në bazë të strategjisë sonë të vlerave të veçanta. E shpreh falënderimin e Maqedonisë së Veriut për mbështetje të vazhdueshme dhe përkushtim në NATO”, shtoi Eskobar.

Osmani nga ana e tij i shprehu falënderim Eskobarit për vizitën e tij të parë në Shkup.

“SHBA-ja mbetet partneri ynë strategjik dhe aleat kredibil, jemi falënderues për mbështetjen e qartë dhe të zëshme nga SHBA-ja. Në atë kuptim interesat tona strategjike janë njëqind për qind të kompletuara me interesat e SHBA-së”, tha ministri Osmani.

Shefi i diplomacisë theksoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është investimi më i sigurt në rajon.

“Nuk ka dyshim se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është investimi më i sigurt në stabilitetin e rajonit. Tani është momenti BE-ja të fillojë negociata me Maqedoninë e Veriut. Ky do të jetë vërtetim i madh për ne të mbesim të përkushtuar në reformat demokratike dhe ta përshpejtojmë integrimin tonë evropian. Ende më e rëndësishme nga ajo do të jetë guxim i madh për të tjerët, do të vërtetohet kredibiliteti i BE-së, do të inkurajohen proceset për tejkalim të dallimeve dhe pajtim të rajonit. Do të përshpejtohen integrimet euroatlantike dhe do të vërtetohet orientimi gjeostrategjik i rajonit tonë”, theksoi tutje Osmani.

Ai shprehu falënderim për përkushtimin dhe fokusin që SHBA-ja ia jep rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Për këtë dëshmon edhe vizita e z. Eskobarit, por gjithashtu më i rëndësishëm është urdhri i kryer i presidentit Bajden që është garanci e artë për vlerën dhe paprekshmërinë e marrëveshjeve të cilat themelohen në paqe, stabilitet dhe zhvillim demokratik të rajonit – Marrëveshjen e Dejtonit në Bosnja, ndërsa te ne Marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë”, tha Osmani.

SHBA-ja shtoi Osmani, luan rol të rëndësishëm në arritjen e stabilitetit afatgjatë, Maqedonisë së Veriut prosperitare dhe demokratike, por edhe gjithë rajonit.

“SHBA-ja ishte me ne dhe na ka mbështetur në të mirë e në të keqe. Në momente të tundimeve dhe krizave të mëdha na kanë ndihmuar të mbesim në rrugën e vërtetë të përkushtuar në vlerat tona të përbashkëta euroatlantike. Kjo nuk ishte gjithmonë e lehtë, por gjithmonë ishte e domosdoshme të vazhdohet përpara edhe krahas sfidave dhe problemeve të ndryshme. Marrëveshja kornizë e Ohrit dhe marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, janë suksesi ynë dhe vlera e përbashkët për të gjithë. I arritëm sepse gjithmonë e kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë në vend të parë SHBA-në. Së bashku arritëm ta transformojmë shtetin tonë, ta përforcojmë demokracinë, t’i përmirësojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe ta rrisim bashkëpunimin rajonal. Vazhdojmë së bashku edhe në të ardhmen me punë të përkushtuar t’i realizojmë qëllimet dhe interesat tona të përbashkëta dhe strategjike”, theksoi Osmani.

Mbështetje e tërësishme e SHBA-së për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për çështje dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë u theksua në takimin e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me zëvendësndihmësin e sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje evropiane dhe euro-aziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar.

Zaevi në takim e njoftoi mysafirin me gjendjen politike aktuale në vend gjatë së cilës është siguruar vazhdimësi stabile e përcaktimeve strategjike politike për mbështetjen e proceseve për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në NATO, për përshpejtimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për ballafaqimin me pandeminë, për rritje ekonomike dhe veçanërisht për çështjen aktuale për përgjigje kompetente dhe efikase të krizës energjetike.

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit si qëllim i përbashkët strategjik, si dhe gjendjet aktuale në atë kontekst, madje kanë qenë tema të bisedës në takimin e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar, i cili po qëndron për vizitë pune në vend me zëvendëskryeministrin e angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.

Zëvendëskryeministri Dimitrov e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj integrimeve evropiane të vendit, partneritetit dhe aleancës në përballje me sfidat globale si shprehje të vlerave të përbashkëta.

“Ndajmë vizion të njejtë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit dhe mbështetjen e SHBA-së si partnere dhe aleate e jona çdoherë ka qenë forcë shtytëse e proceseve. Fillimi i negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut do të shënojë rrumbullakimin e një kapitulli në përmbushjen e qëllimit të përbashkët strategjik dhe krijimin e momentumit të ri për të ardhmen evropiane të rajonit si garantuese e stabilitetit dhe demokracisë. Duke i tejkaluar sfidat aktuale, do të mund të kahëzohemi drejt avancimit të vlerave të ndara dhe thellimit të partneritetit në atë pikëpamje”, theksoi Dimitrov në takim.

Ndërkohë, presidenti bullgar, Rumen Radev, serinë e konsultimeve politike e ka filluar me përfaqësues të partisë fituese “Ndryshimet vazhdojnë” njoftoi korrespondenti i MIA-s në Sofje.

Radevi nga bashkëkryesuesit e partisë së sapoformuar Kiril Petkov dhe Asen Vasilev, koalicioni i cili fitoi në zgjedhjet parlamentare në Bullgari më 14 nëntor ka kërkuar të dëgjojë qëndrimin e tyre për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka kërkuar të dijë se çka mendon kjo parti për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, identitetin, historinë dhe kulturën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi shoqëria bullgare pret aksion nga diplomacia e tyre.

“Besimi i qytetarëve bullgar nuk jepet si dhuratë dhe ajo doemos të mbrohet”, ka thënë Radevi, sipas të cilit qeveritë kalimtare bullgare e kanë stabilizuar vendin dhe kanë treguar se në të mund të ketë veprim të përbashkët.

Ndoshta Bashkimi Evropian ka standarde të larta për mjedisin jetësor dhe politikën sociale, por BE-ja duhet të vendosë në cilën anë duhet të shkojë, a do të jetë aleancë politike si deri më tani apo ndërkaq të shkojë përpara për jetë më të mirë të qytetarëve, deklaroi nga ana tjetër, eurodeputeti Ilhan Quçuk.

“Duhet të zgjidhet procesi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të përmbushen pikat nga Marrëveshja, e tërë kjo me qëllim që të ndërpritet bllokimi i Maqedonisë së Veriut”, theksoi Quçuk në fjalimin e djeshëm në konferencën e Aleancës së liberalëve dhe demokratëve për Evropë (ALDE) dhe Partisë liberale demokratike (LDP), e titulluar “Narrativë e ripërtërirë për integrim të përshpejtuar të BE-së”.

Problemi me Maqedoninë e Veriut është rezultat i refuzimit të plotë të një numri qeverish bullgare për të formuluar një politikë shtetërore adekuate për realitetet e reja, tha historiani bullgar Dimitar Atanasov në një analizë për “Dojçe Vele” – n bullgare, duke theksuar se “pajtimi me të kaluarën është i pashmangshëm.”

Ai në tekst thekson se përbërja aktuale parlamentare e Parlamentit bullgar është e ngarkuar me pritshmëri të mëdha nga publiku. Kuvendi Kombëtar tashmë ka mbajtur seancën e parë, por sipas tij, një gjë është e sigurt në këtë fazë, ajo është se populizmi ende dominon dhe nuk ka vullnet për ta çmontuar atë.

“Tema e marrëdhënies aë Bullgarisë me fqinjët jugperëndimorë është në zonën më të dhimbshme të kujtesës sonë kolektive. Pajtimi me të kaluarën është i pashmangshëm. Kalon në njohjen e hidhur se ngurtësimi i imazheve të tij është një kapital që politikanët e drejtojnë me mjeshtëri në interesin privat. Problemi me Maqedoninë e Veriut është rezultat i refuzimit të plotë të një sërë qeverish bullgare për të formuluar një politikë shtetërore të përshtatshme për realitetet e reja”, citon historiani bullgar.

Sipas tij, nëse një shekull më parë në disa zona të Maqedonisë jetonin bullgarë, sot ata janë vetëm disa mijëra.

“Nëse një shekull më parë norma letrare bullgare përfshinte fjalimet që përdoreshin për Korçën në Shqipëri dhe Kosovën e Jugut, sot në Akademinë e Shkencave ekziston një gjuhë letrare maqedonase, e krijuar, e ngjashme me bullgarishten. Gjuha letrare nuk është marrë nga terreni, por është e ndërtuar në mënyrë shkencore, dhe kjo i referohet çdo gjuhe letrare”, thotë Atanasov, i cili është autor i hulumtimeve në fushën e historisë së Ballkanit dhe përdorimeve dhe keqpërdorimeve të tregimeve nga e kaluara.

Ai përmend si shembuj krijimin e gjuhës norvegjeze, e cila është e ngjashme me gjuhën daneze, si dhe italishten dhe spanjishten.

“Gjuha norvegjeze e fitoi normën e saj letrare vetëm në shekullin e njëzetë. Kjo është mjaft e kuptueshme për danezët, gjuha e të cilëve ka një histori shumë më të gjatë, por nuk krijon një tallje të ngjashme me gjuhën bullgare ndaj gjuhës maqedonase dhe folësve të saj. Italianët dhe spanjollët gjithashtu kuptojnë njëri-tjetrin pa nevojën e përkthimit, por nuk ka fqinjë që po debatojnë se kush është pasardhësi legjitim i gjuhës së mëparshme të Perandorisë Romake”, shpjegon Atanasov.

E njëjta gjë, shton ai, vlen edhe për kombin maqedonas, dhe si çdo tjetër, është fakt dhe nuk kërkon vullnet të mirë nga askush që ai të fillojë të ekzistojë plotësisht. Argumenti se kombi maqedonas është krijuar artificialisht është i paqëndrueshëm – komunitetet janë rezultat i konsensusit mes anëtarëve të tyre, jo fenomen natyror”, thotë Atanasov.

Related posts

Xhaferi në takim me Sagarcin: Kuvendi vazhdimisht punon në agjendën për eurointegrime

D V

Lëvizja BESA: Kemi projekte konkrete për çdo komunë

Z H

Sot në Maqedoni nisi vaksinimi me dozën e tretë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More