Agjencia Zhurnal.mk.

Mariupoli po u reziston sulmeve ruse

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës thotë se qyteti-port i Mariupolit është duke rezistuar pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ruse, teksa Moska pretendon se forcat e saj kanë marrë kontrollin pothuajse të plotë të qytetit.

Hanna Malyar tha më 17 prill se mbrojtësit në këtë qytet kyç në Detin Azov kanë arritur që të zmbrapsin një numër të konsiderueshëm të forcave ruse që kanë rrethuar Mariupolin. Ajo e përshkroi Mariupolin si “mburojë të Ukrainës”, që sipas saj, po parandalon forcat ruse të përparojnë në pjesë të tjera të shtetit.

Rusia u dha ultimatum ushtarëve ukrainas që deri në ora 6 të mëngjesit , sipas kohës lokale, të 17 prillit të dorëzohen, teksa tha se ushtarët ukrainas janë bllokuar në një fabrikë çeliku. Por, disa orë pas skadimit të këtij ultimatumi, nuk ka shenja se forcat ukrainase janë dorëzuar.

Nuk ka ende një reagim nga Kievi lidhur me ultimatumin rus, edhe pse ushtria ukrainase ka thënë se sulmet ajrore ruse në Maripol po vazhdojnë. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se pothuajse 2,500 trupa ukrainase janë në fabrikën Azovstal, por ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë më 16 prill se me “qëllim po tenton që të shkatërrojë të gjithë” në Mariupol dhe shtoi se vrasja e ushtarëve ukrainas do të pengonte përpjekjet e paqes.

“Ushtarët tanë janë të bllokuar, të plagosurit janë të bllokuar. Kjo është krizë humanitare… Megjithatë, burrat tanë po e mbrojnë veten”, tha ai për agjencinë e lajmeve, Ukrainska Pravda.

Mariupoli ka qenë skenë e bombardimeve dhe luftimeve më të ashpra që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Besohet se mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, pa qasje në gjërat elementare, teksa përpjekjet për evakuim të civilëve po pengohen nga granatimet e vazhdueshme.

Related posts

Autoriteti Palestinez e formon kabinetin e ri

Xh M

Lula: Negociatat aktuale të marrëveshjes BE-Mercosur duken më premtuese se më parë

Xh M

Qeveria Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit në parlament, 158 deputetë votuan kundër

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy