Agjencia Zhurnal.mk.

Mariçiq: Marrëveshja me Fronteks është në fazën përfundimtare

Shkup, 22 shtator – Zëvendëskryeministri i obliguar  për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, në takimin e sotëm të skriningut shpjegues për Kapitullin 24-Drejtësia, Liria dhe Siguria, para përfaqësuesve  të Komisionit Evropian e paralajmëroi nënshkrimin e Marrëveshjes me Fronteksin, informon Sekretariati qeveritar për Çështje Evropiane (SÇE).

 

“Jam i kënaqur që negociatat për Marrëveshjen e Statusit me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Fronteks, kanë përfunduar dhe se së shpejti do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje të rëndësishme, në gjuhën maqedonase, në prani të Komisarit Evropian për Punë të Brendshme, Johanson”ka thënë  Mariçiq në takim.

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociator Mariçiq vlerësoi se kjo marrëveshje është një hap drejt menaxhimit më të mirë të kufijve dhe menaxhimit të migracionit të parregullt, i cili, siç theksoi, është interes i përbashkët si i Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe i Bashkimit Evropian, siç është dëshmuar në të kaluarën, veçanërisht për krizën e emigrantëve në vitin 2015.

Në një fjalim hyrës, zëvendëskryeministri Mariçiq theksoi se fusha e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë është e një rëndësie të veçantë duke pasur parasysh kuadrin në rritje të rregullave të përbashkëta për çështje të tilla si kontrolli i kufirit, vizat, migrimi i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fushën e drogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor në të drejtën penale dhe civile.

“Organizimi profesional, i besueshëm dhe efikas i policisë ka një rëndësi të madhe në negociatat me Unionin. Politikat e migracionit dhe menaxhimit të kufijve janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe zhvillimi i tyre ndikon në drejtimin e zhvillimit socio-ekonomik të vendit, si dhe në drejtimin dhe kontrollin e masave të marra për mbrojtjen e sigurisë së vendit dhe qytetarëve të tij”, ka thënë  Mariçiq.

Lidhur me të arriturat në periudhën e kaluar në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, ai theksoi se Maqedonia e Veriut në nivel operacional merr pjesë në një numër të madh të aktiviteteve të përbashkëta me vendet anëtare të BE-së dhe vendet fqinje, duke theksuar se vendi ka në dispozicion një gamë të gjerë dokumentesh strategjike, të cilat bazohen në strategjitë përkatëse të BE-së në disa fusha.

“Qendra Koordinuese Kombëtare për zbulimin  e Krimit të Organizuar dhe Serioz në vazhdimësi ndërmerr aktivitete për koordinim ndërinstitucional dhe shkëmbim të të dhënave dhe informacioneve ndërmjet të gjitha institucioneve të përfshira, duke mbështetur kështu aktivitetet që ndërmerren në luftimin e krimit të organizuar dhe serioz”, përfundoi Mariçiq.

SÇE njofton se nesër do të vazhdojë takimi shpjegues për kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, në të cilin Komisioni Evropian do t’ua prezantojë ekipeve negociuese maqedonase dhe shqiptare korpusin e ri të acquis të BE-së të miratuar në periudhën pas vitit 2018/2019. 

Related posts

Petliçkovski: Nuk ka nevojë për masa të reja, të përgatitemi për vjeshtë

Xh M

Editorial: Themelimi i partisë së re nga Cërvenkovski, bie qeveria “Zaev2”!

R Zh

Shilegovi në inspektim të aktiviteteve për rikonstruktim të bulevardit “Kërste Misirkov”

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More