Agjencia Zhurnal.mk.

Maratonisti Adem Selmani nga Tetova edhe në moshën 54 vjeçare nuk heqë dorë nga vrapimi

Tetovë, 26 tetor – Qindra medalje, kupa, diploma, shumë miqësi, mbresa dhe kujtime nga numri i madh i garave maratonë në tri dekadat e fundit janë përfitimi i vetëm nga kjo disiplinë atletike, për shkak të cilës edhe në vitin e 54 të jetës Adem Selmani nga Tetova nuk heq dorë.

 

Entuziazmi i tij nuk ndalet pavarësisht kushteve në qytet, ndërsa ai vazhdimisht përpiqet të jetë konsekuent në realizimin e dëshirës jetësore për të qenë atlet në disiplinën më të vështirë. Deri para disa vitesh ka vrapuar rregullisht në maratonë prej 42 km, ndërsa në rini në ultra-maratonë deri në 100 km, si dhe vrapimin maratonë malor. Tani është i kufizuar në garat gjysmë maratonë prej 5, 10 dhe 21 kilometra.

Në Tetovë njerëzit e shohin shpesh duke vrapuar nëpër rrugë sepse në qytet nuk ka infrastrukturë për stërvitje të atletikës. Përveç rrugëve të Tetovës, ai shkon deri në majën e kodrës Balltepe, rreth Kalasë, si dhe përgjatë rrugës që shpie në lokalitetin Banjicë.

Stërvitjet më parë i ka bërë në qendrën sportive dhe rekreative, ku ndonëse nuk ka pasur pistë atletike, ka pasur hapësirë të mjaftueshme terreni për të vrapuar rreth dy fushave të futbollit. Pasi komuna e ridestinoi me partneri privat në park argëtimi, Tetova mbeti pa atë hapësirë modeste për vrapim atletik.

“Qëkur nuk ka ku të vrapoj atje, fillova të shkoj drejt Kalasë. Nuk është problem vetëm për mua, për të gjithë ata që duan të vrapojnë. Klubi im am i atletikës”Luboten” nuk ka më të rinj që e nisin këtë sport. Thjesht, në Tetovë nuk ka vend për të vrapuar e aq më pak për të stërvitur atletikë. Edhe ato pak vende ku mund të stërvitej, janë të zëna nga klube të tjera dhe kështu nuk ka vend për kurrfarë fillimesh të dikujt që do të donte të merrej me atletikë”, sqaron bashkëbiseduesi ynë.

Megjithatë, Ademi nuk dorëzohet, ndërsa lufta për kondicion të mirë vazhdon kudo që gjen mundësi të mirë. Shpeshherë tetovarët që ecin në këmbë drejt Kalasë e takojnë duke vrapuar drejt kodrës së Balltepesë.

“Rutina ime e përditshme është të vrapoj rreth 15 kilometra. Kryesisht kohët e fundit përpiqem të vrapoj në periudhën nga ora 9 deri në orën 11 të mëngjesit. Unë vrapoj në Kala, por kjo është vetëm përgatitje. Stërvitja ime kryesore është vrapimi rreth Kalasë. Tani varet nga plani i stërvitjes dhe obligimet, ndonjëherë vrapoj edhe pasditeve nëpër qytet, në mënyrë rekreative. Kjo është praktikë prej disa vitesh, më parë kur isha më i ri vrapoja dhe stërvitesha dy herë në ditë. Pasdite vrapim rekreativ për relaksim”, sqaron maratonisti tetovar.

Tani që është në vite të shkuara, shpesh përballet me lëndime në këmbë, veçanërisht në gjunjë. Këtë dimër, shprehet ai, do të duhet të shkojë për ekzaminim dhe kurim të

veçantë. Pavarësisht kësaj, ai përpiqet të jetë konsistent në dëshirën e tij për të stërvitur dhe marrë pjesë në gara.

“Vullneti për sport është i madh te unë. Aktivitetet sportive janë të rëndësishme edhe për shëndetin e njeriut. Në të njëjtën kohë me atletikën kam një numër të madh të miqve në mbarë botën dhe kjo është ajo që më mban vullnetin dhe dëshirën për t’u marrë me atletikë. Nga marrja me atletikë nuk ka asnjë mundësi për të “fituar”. Nga ana tjetër, kam mijëra miq në mbarë botën. Në shtëpi kam disa qindra medalje, kupa dhe diploma. Nëse do t’i mbledhja të gjitha medaljet, ato mund të peshojnë rreth 20 kilogramë”, sqaron Selmani, i cili është 54 vjeç.

Edhe pse gjatë pandemisë mundësitë për gara ishin të kufizuara për shkak të nevojës për teste, kontrolle etj., ai këtë vit mori pjesë në kampionatin kombëtar në 5 dhe 10 kilometra në Shkup, gjysmë maratonën 21 kilometra në Krushevc (Serbi), Maratonën e Ohrit, më 32 kilometra si në Maratona e fundit të Shkupit.

“Vetë paguaj për të shkuar në gara. Për në Krushevc kam udhëtuar me autobus, pagova bujtinë në mënyrë që të kaloj me sa më pak shpenzime. Marr pjesë në emrë të klubit atletik “Luboten” por në këtë sport nuk ka shumë mbështetje financiare dhe kështu klubi nuk mund të më ndihmojë. Me atletikë merrem që nga viti 1990, rreth 30 vite. Megjithatë, nuk ka dorëzim. Secili duhet të merren me sport. Përkundër të gjitha kushteve të tilla, ekziston një mundësi për të gjetur kohë dhe vend për të vrapuar në Banjicë, Kala apo ngjashëm. Kushtet e motit nuk duhet të paraqesin ngecje për stërvitje. Ushtrimi është i rëndësishëm për shëndetin. Maratona është disiplina më e vështirë në atletikë, kështu që pas pesëmbëdhjetë vitesh aktivitet të tillë mendoj se qëndrueshmëria ime është më e madhe sesa te të tjerat”, bën shaka Selmani, duke përmendur se një herë në Beograd ka vrapuar në maratonë edhe pse ka udhëtuar gjithë natën.

Përveç maratonave në 21 dhe 42 km, Selmani ka bërë disa suksese të mëdha duke vrapuar.

Në maj të vitit 2006, ai eci në këmbë 60 kilometra nga Shkupi përmes Tetovës deri në Titov Vërv në 2747 metra lartësi mbidetare. Nga Shkupi në Tetovë ka vozitur me biçikletë dhe më pas ka vrapuar 22 kilometra nga Tetova deri në Kodër të Diellit. Ai mbërriti në Kodër të Diellit në orën 6 të mëngjesit për t’iu bashkuar malësorëve që shkuan në Titov Vërv, ku mbërriti ndër të parët. Në nëntor të vitit 2005, vrapoi 104 kilometra, duke kaluar pjesën nga Tetova deri në Prishtinë. Në Suedi, së bashku me një danez dhe një spanjoll, për 20 ditë vrapoi ultramaratonën prej 900 kilometrave.

Nga maratonat e rregullta ka marrë pjesë në manifestimet në Beograd, Sofje, Stamboll, Prishtinë dhe Karllovac. Rezultatin më të mirë e shënon në vitin 2017 në Sofje të Bullgarisë, ku vrapoi gjysmë maratonë prej 21 kilometra për 1 orë e 17 minuta. Ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Botëror të vrapimit malor në Bursa, Turqi, në vitin 2007.

Related posts

Maqedoni, nga gushti deri në shtator janë infektuar mbi 40 mijë persona me coronavirus

D V

PDSH zyrtarizoi kandidaturën e Renata Elezit për Komunën e Gostivarit

D V

Gjithsej janë aplikuar 1.590.219 doza të vaksinave, rivaksinohen 46 për qind e qytetarëve të moshës madhore

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More