Agjencia Zhurnal.mk.

Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore të pakicave

Shkup, 21 shtator – Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore të të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, duke përmirësuar politikat e saj në pajtim me Konventën kornizë, por zbatimi praktik i të drejtave duhet të përmirësohet, thotë Komiteti këshillëdhënës i Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në opinionin e ri të publikuar sot, njofton korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu.

 

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta zbatojnë Konventën kornizë kryesisht për pakicat kombëtare të cekura në Kushtetutë (shqiptarë, boshnjakë, romë, serbë, turq dhe vllehë), megjithëse ka njëfarë fleksibiliteti për grupet e panjohura.

Ky, opinioni i pestë i Komitetit këshilldhënës për Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare bazohet në informacionin e dhënë nga burime qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë ato të marra gjatë vizitës së tyre në vend në nëntor të vitit 2021. Opinioni është publikuar së bashku me komentet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Përmbledhja e opinionit të pestë gjithashtu është në dispozicion në gjuhën maqedone dhe shqipe.

Kështu, Komiteti këshilldhënës i Këshillit të Evropës i bën vendit disa rekomandime që synojnë forcimin e mëtejshëm të barazisë dhe luftës kundër diskriminimit, mbrojtjen e pakicave kombëtare nga armiqësitë dhe dhuna, promovimin e kulturave të tyre, përmirësimin e arsimimit dhe përfaqësimit të tyre në media, si dhe të drejtat gjuhësore dhe të drejtat e punës dhe strehimit.

Derisa marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar, linjat ndarëse etnike dhe gjuhësore dalin në sipërfaqe në kohë krize. Qëndrueshmëria e strategjisë “Një shoqëri për të gjithë”, theksohet, kërkon një qasje efektive ndërkulturore, mbështetje më të fortë politike të nivelit të lartë dhe financim solid.

Komiteti shpreh keqardhjen që mjediset e përziera të shkollave dhe klasave mbeten përjashtim. Duhet të zbatohet një qasje ndërkulturore, e cila përfshin trajnimin e mësuesve dhe nxënësve për kulturat dhe historitë e pakicave të ndryshme dhe kontakte më të rregullta ndërmjet nxënësve me prejardhje të ndryshme etnike.

Korniza ligjore për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimin nga urrejtja është përmirësuar përsëri, por zbatimi mbetet i dobët, ndërsa gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet, është problem serioz. Janë të pakta rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e forcave policore dhe rrallë janë ndërmarë sanksione kundër pjesëtarëve të policisë. Prandaj, autoriteteve të vendit u kërkohet të përkujdesen që krimet e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes të hetohen si duhet dhe të përforcojnë mekanizmat për monitorimin e sjelljes së policisë.

Përskaj rritjes së moderuar të shkallës së regjistrimit dhe rënie të frekuentimit në shkollat ​​speciale, fëmijët romë vazhdojnë të arrijnë rezultate arsimore dukshëm më të ulëta. Autoritetet duhet të luftojnë fuqishëm kundër ndarjes faktike të shkollave duke rritur regjistrimin e fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe duke përmirësuar qasjen e tyre në arsim cilësor. Pjesëtarët e komunitetit rom duhet të kenë qasje në shërbimet shëndetësore falas, të garantuara me ligj dhe vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet qasjes në shërbimet dhe informacionet për shëndetin riprodhues për gratë rome.

Zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, theksohet më tej, nxjerr në pah zbrastirën e theksuar në mes ambicieve të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe situatës konkrete në administratë dhe gjykata. Për të korrigjuar këtë, nevojiten investime të konsiderueshme në stërvitjen dhe rekrutimin e përkthyesve dhe stafit dygjuhësh.

Autoriteteve u kërkohet gjithashtu të forcojnë pjesëmarrjen socio-ekonomike të anëtarëve të pakicave kombëtare që jetojnë në zonat rurale duke investuar në infrastrukturë dhe mundësi punësimi për të rinjtë e pakicave.

Në këtë opinion të pestë nuk përmendet pakica bullgare në vend, e cila sipas marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, duhet të përfshihet në Kushtetutë.

Konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare është marrëveshja më gjithëpërfshirëse evropiane për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare. Ai është instrumenti i parë shumëpalësh ligjërisht detyrues i dedikuar mbrojtjes së pakicave kombëtare në botë. Zbatimi i tij monitorohet nga Komiteti Këshillimor i përbërë nga ekspertë të pavarur. Që është në fuqi më 1 shkurt të vitit 1998, marrëveshja zbatohet aktualisht në 39 vende.

Related posts

LSM: Qeveria premton se do ketë paga më të larta

Xh M

Editorial/ A po tenton Vuçiq që përmes të pagjeturve të luajë rolin e viktimës para ndërkombëtarëve?

Z.H

Vërshime e përmbytje në Tetovë, shtëpitë, bodrumet e garazhet të mbuluara me ujë

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More