Agjencia Zhurnal.mk.

Maqedoni: Pa ujë në 40 gradë Celsius

Shkup, 14 korrik – Disa komuna në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesë të ujit të pijes, teksa në vend po regjistrohen temperatura të larta, deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet po ashtu u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos e shpërdorojnë ujin.

 

Tetova dhe Dibra po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes, ndërkaq në Shkup, autoritetet thanë se konsumi i ujit është rritur gjatë javëve të fundit.

Shkup: Rritet konsumi i ujit për 10 për qind

Në Shkup, temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius dhe sipas Zoran Nedevskit, që drejton departamentin e pagesave të faturave në Ujësjellësin e Shkupit, konsumimi i ujit në kryeqytetin maqedonas është rritur për më shumë se 10 për qind.

Nedevski thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç rritjes së konsumit të ujit, kanë evidentuar edhe kyçje të jashtëligjshme, që zakonisht përdoren për larjen e oborreve dhe ujitjen e hapësirave të mbjella me produkte bujqësore në zonat rurale. Ndërkaq, në zonat urbane, kyçjet e jashtëligjshme bëhen për larjen e automjeteve, mbushjen e pishinave etj.

“Njëzetmijë metër kub brenda ditës i harxhojnë qytetarët në këto ditë të nxehta. Ne po i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që qytetarët në asnjë mënyrë të mos mbesin pa ujë. Madje, primare e kemi furnizimin me ujë të qytetarëve edhe pse shumë e rëndësishme është vaditja e hapësirave të gjelbëruara, prandaj vaditjet i bëjmë pas orës 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, pasi duam që primare të mbetet furnizimi me ujë i amvisërisë në çdo pjesë të qytetit”, thotë Nedevski.

Tetova dhe Dibra, pa ujë

Përveç se po përballen me temperatura mbi 35 gradë Celsius, banorët e Tetovës dhe Dibrës po kanë edhe restrikcione të ujit të pijshëm.

Autoritetet komunale që një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se problemi i furnizimi me ujë të pijshëm në këto komuna – të banuara me shumicë shqiptare – do të rregullohej nëse do të investohej në infrastrukturë.

Në Komunën e Tetovës, vlerësohet se më shumë se 40 për qind e ujit, që vjen nga Malet e Sharrit, humbet në rrjet, për shkak të gypave të vjetër, të cilët janë vendosur në sistemin e ujësjellësit 90 vjet më parë.

Por, Ngadhënjim Mehmeti, banor i Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është jonjerëzore që tash e disa vite, faji për mungesën e ujit, t’i lihet mosriparimit të sistemit të ujësjellësit, teksa lagje të tëra të Tetovës, gjatë verës mbesin pa ujë për orë të tëra.

“Me rritjen e numrit të popullsisë dhe amvisërive në Tetovë, ujësjellësi në këtë qytet nuk ka kapacitet dhe është dashur të zëvendësohet para 20 vjetësh, që të përmbushë nevojat me furnizim me ujë të pijshëm në këtë qytet”, thotë Mehmeti.

“Problem janë edhe gypat e vjetër, që kanë përbërje nga azbesti, e që janë kancerogjen, por në këtë drejtim nuk është bërë asnjë lëvizje që të ndryshohet gjendja dhe pasojat i vuajnë qytetarët, duke mbetur pa ujë. Në disa zona të qytetit ka restrikcione deri në katër-pesë orë brenda ditës”, shton ai.

Gjendje e vështirë është edhe në Dibër, ku pjesa më e madhe e amvisërisë mbetet pa ujë gjatë ditës. Ujë në këtë qytet ka vetëm në orare të caktuara gjatë natës. Restrikcionet e ujit në këtë komunë po ndodhin për shkak të konsumit të shtuar të ujit në ditët kur ka temperatura të larta si dhe për shkak se sistemi i ujësjellësit është shumë i vjetër.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të Dibër që të kenë kujdes që uji i pijshëm të mos shkojë dëm.

Ordan Çukaliev, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët duhet të vetëdijesohen që të mos e harxhojnë pa nevojë ujin e pijshëm. Por, sipas tij, edhe autoritetet përgjegjëse duhet që t’i marrin me seriozitet investimet në sistemin e ujësjellësit.

Çukaliev thotë se në bazë të analizave, pjesa më e madhe e ujit përdoret për nevoja bujqësore.

“Këtu duhet fokusuar, pra në menaxhimin e duhur të resurseve ujore. Gjithçka që është me çmim të ulët, qytetarët zakonisht e trajtojnë si diçka me më pak vlerë. Uji edhe pse ka çmim relativisht të ulët kundrejt pagesave të tjera që kanë amvisëritë, duhet të trajtohet me shumë kujdes sepse kemi të bëjmë me resurse që nuk janë të pashtershme. Nga ana tjetër, autoritetet duhet të jenë më të rreptë ndaj abuzuesve të ujit të pijshëm, por më të rëndësishme janë investimet në sistemin e ujësjellësit, qoftë kur bëhet fjalë për ujë të pijes apo sistem për vaditjen e tokave bujqësore. Të mos bëhet politikë me këtë çështje, por të shihet si prioritet, pasi në të kundërtën, kostoja do të jetë shumë e lartë për të gjithë”, thotë ai./REL/

Related posts

Aliu thumbon Grubin: Pse zëvendës kryeministri mund të jetë “axhami”, e kryetarët e komunave jo?

I Z

Sela nga Gostivari: Do të fitojmë nga Struga deri në Likovë

Redaksia

Zaev: Vlerat e OKB-së ngelen të përjetshme dhe aktuale

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More