Agjencia Zhurnal.mk.

Lumturie Muhadri – gruaja që shembi stereotipet dhe arriti në UEFA

 

Bëhet fjalë për gjyqtaren ndërkombëtare të futbollit, Lumturie Muhadrin, e cila së fundmi, profesionin e saj prej refereje e ka ushtruar duke gjykuar ndeshjen në mes të Bullgarisë dhe Walles, ndeshje kjo e organizuar në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian të UEFA-s.

Në një intervistë për Albanian Post, Muhadri, ka rrëfyer emocionet që e kishin kapluar të martën e 7 shtatorit, kur edhe po zhvillohej loja në mes dy vendeve.

“Realisht, ndihem krenare dhe shume e lumtur, fakti që kam qenë asistente në një ndeshje kualifikuese ne konkurrencën e meshkujve në ndeshjen mes Bullgarisë dhe Wales, ka qenë një kënaqësi që më ka falur emocione të veçanta”.

“Për herë të parë debuotva në këtë rang garash, ku edhe më bënë femrën e parë shqiptare që gjykoj në konkurrencën e meshkujve në garat e UEFA-së. E konsideroj si realizim të ëndrrës sime të kamotshme”, thotë Muhadri.

Por, për të arritur në fushën e gjelbër evropiane nuk ka qenë e lehtë. Kështu të paktën e konsideron Lumturia, e cila tregon vështirësitë në të cilat ka hasur, që prej kur ka nisur profesionin si një gjyqtare e ndeshjeve futbollistike.

Kushtet e vështira në dekadën e parë pas luftës së fundit në Kosovë dhe paragjykimet e njerëzve karshi një gruaje që di të jetë edhe një refere futbolli e zonja, e cila me vendosshmëri ka thyer stereotipin se “futbolli u takon vetëm burrave”, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat, Muhadri, është përballur gjatë rrugës 21 vjeçare të karrierës së saj.

“Në vitin 2000, kur edhe nisa të merrem me referim nuk ishte aspak e lehtë. Ne si femra detyroheshim që gardërobën ta ndërronim nëpër vetura. Madje, ka pasur rast kur një gjë të tillë e kemi bërë edhe mbas një lisi apo shkurreve sepse aso kohe liga e tretë zhvillonte ndeshjet nëpër livadhe “.

“Thyerja e barrierave nuk ishte e lehtë dhe paragjykimet ishin të mëdha. Nuk besonin se femrat mund të gjykojnë ndeshjen profesionalisht. Por, edhe pse pothuajse në çdo ndeshje hasja në të njëjtat sfida, vullneti dhe dëshira për ta bërë punën time, nuk munguan kurrë”, thotë referja e futbollit.

Po ta bëjmë një krahasim të shpejtë me futbollin aktual në Kosovë dhe atë të pasluftës, ndryshimet janë të mëdha.

Njëjtë mendon edhe Lumturia!

“Ndryshimet janë të mëdha, nisur që nga infrastruktura që tani është dukshëm më e mirë. Tani kemi edhe ligat e femrave në futboll dhe për të qenë të sinqertë, futbolli i femrave është zhvilluar shumë në të gjitha aspektet”.

“Nuk është më befasuese të shohësh një treshe të femrave duke referuar, sepse njerëzit janë mësuar me prezencën e tyre në ndeshje”, thotë Muhadri.

E lidhur ngushtë më sportin, Lumturia, pos si gjyqtare futbolli, punon edhe si trajnere fitnesi. Një gjë e tillë, ajo thekson se i ndihmon shumë për një paraqitje sa më të denjët në fushën jeshile.

“Ushtrimet fizike përmirësojnë qëndrimin e një personi, e rrisin vetëbesimin ,karakterizojnë jo vetëm formën e trupit, por edhe funksionin e gjendjes së aparatit motorik, prandaj puna në fitnes më ndihmon shumë”.

“Falë fitnesit edhe performanca ime është më e mire, sepse më ndihmon me forcë fizikë, forcë eksplozive si dhe rritje të shpejtësisë”, tregon ajo.

Për fund, gjyqtarja e futbollit, Lumturie Muhadri, ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat që ëndërrojnë arritjet në futboll si të ardhmen e tyre.

“Do t’i ftoja të gjitha vajzat që kanë talent dhe vullnet, të merren më futboll apo përkatësisht me gjykim të ndeshjeve futbollistike, të hedhin hapa drejt kësaj, pavarësisht vështirësive që mund të hasin gjatë rrugës”.

“Ju bëj thirrje të mos dorëzohen asnjëherë deri tek realizimi i ëndrrave të tyre, dhe sigurisht ne që jemi ndër vite në këtë punë do të japim gjithmonë përkrahjen tonë, talenteve të reja”, përfundon, Muhadri.

Për, Lumturien dhe profesionin e saj prej gjyqtareje futbolli kanë shkruar edhe mediat e huaja, të cilat e kanë cilësuar atë si një person që ka ndikuar në zhveshjen e paragjykimeve të burrave kosovarë ndaj grave në futboll.

Related posts

LSDM: Mickoski dëshiron të përfitoj pikë politike nga tragjedia në Tetovë

D V

Ferizaj pret Gjilanin, formacionet zyrtare

Redaksia

Mirel: Disa shtete anëtare të BE-së i druhen anëtarësimeve të reja

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More