Agjencia Zhurnal.mk.

“Lufta” e vështirë për titull, transferimet që nuk po “dhezin”, lëndimet e shumta dhe e ardhmja në krye të Prishtinës, rrëfehet Zekirija Ramadani

 

Ekipi nga kryeqyteti kosovar nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin, pasi në 10 ndeshjet e para i ka tubuar vetëm 12 pikë. Ndodhet në pozitën e pestë, me pesë pikë më pak se lideri Ballkani.

Trajneri i ‘bardhekaltërve’, Zekirija Ramadani, është rrëfyer në një intervistë të gjatë për ‘Zëri.info’, bisedë e realizuar të premten, pak para nisjes së stërvitjes në mesditë.

Zëri: Prishtina në 10 ndeshjet e para i ka tubuar vetëm 12 pikë, ndodhet në pozitën e pestë, me pesë pikë më pak se lideri Ballkani. Sa jeni i kënaqur me rezultatet e arritura deri më tash?

Ramadani: Nuk mund të jemi të kënaqur duke e ditur eksperiencën që e kemi brenda grupit. Kemi bërë analiza dhe duhet të shohim përpara. Problemi kryesor ka qenë në aspektin psikologjik për shkak se me Llapin e lëshuam fitoren në minutat shtesë (fitoi Llapi 2:1), kurse me Gjilanin golin e barazimit e pranuam në minutat shtesë (1:1). Mendoj se nëse do t’i kishim këto pesë pikë, situata sot do të ishte ndryshe. Me pesë pikë plus do të ishim lart në tabelë, do të ishte lart vetëbesimi, mentaliteti e gjëra të tjera. Është një mini-krizë, por edhe rivalët tanë nuk kanë ecur ashtu si duhet.

Zëri: A mbetet titulli objektivi kryesor?

Ramadani: Me sa jam unë i informuar, Prishtina edhe me juniorë nëse luan në Superligë, titulli mbetet objektivi kryesor. Ne e kemi një super-skuadër dhe e synojmë titullin kampion.

Zëri: Edhe vitin e kaluar keni qenë prapa me pikë, por në fund arritët të shpalleni kampionë. Ditë më parë keni deklaruar se sivjet do të jetë vështirë që të përsëritet edicioni i kaluar, pse mendoni kështu?

Ramadani: Është e vështirë, sepse edhe skuadrat që nuk e kanë titullin si objektiv kanë arkëtuar shumë pikë ndaj pretenduesve për titull. Ajo që ndodhi vitin e kaluar mund ta quajë një mrekulli. Në këtë kohë që jemi nëse e krahasojmë më vitin e kaluar, ishim minus 14 pikë, tashmë jemi minus 7 pikë dhe mund të arrihet kreu pak më lehtë. Nëse bazohemi në vitin e kaluar, mund t’i quajë këta futbollistë si ‘heronjtë e Prishtinës’.

Zëri: Kujt i faturohet faji për nisjen jo të mirë të edicionit?

Ramadani: Gjithsesi fali kryesor i bie trajnerit. I kemi futbollistët që i kemi kërkuar, fazën përgatitore e kemi bërë ashtu siç duhet, i kemi kushtet për punë dhe tani brenda ka shumë faktorë të tjerë, por në fund përgjegjësia bie mbi trajnerin.

Zëri: Për rezultate të dobëta dihet se ‘viktima’ e parë është trajneri. A e keni menduar largimin gjatë kësaj kohe, ose a e keni mbështetjen e Kryesisë së klubit?

Ramadani: Me Kryesinë e klubit kemi raporte të shëndosha. Ata e dinë se tek unë nuk vlen kontrata e as paraja. Te unë janë mentaliteti dhe ndërgjegjja. Nëse ata mendojnë se unë jam i duhuri për ekipin, unë jam këtu. Në ato momente që mendojnë se unë nuk jam i duhuri, mund të largohem. Nëse jemi dakorduar për pesë minuta për ta arritur kontratën, për dy minuta mund të merremi vesh për ta prishur atë.

Zëri: Prishtina gjatë verës ka bërë transferime që në opinion janë konsideruar si ‘bombastike’, deri më tash nuk është se kanë lënë gjurmë, të paktën me rezultatet e treguara. A keni dështuar në transferime?

Ramadani: Nuk mund të flitet për dështime, sepse është akoma herët. Ndoshta pas fazës përgatitore të janarit mund të shohim se a kemi dështuar ose jo. Këta futbollistët që kanë ardhur nuk janë robotë dhe nuk janë lojtarë që luajnë me butonë, të shtypen dhe të luajnë si ne duam. Ne kemi një sistem ndryshe të lojës. Na duhet shumë eksperiencë brenda dhe normalisht inteligjencë. Ne e kemi edhe eksperiencën, edhe inteligjencën. Lojtarët do ta kenë kohën e duhur për t’u ambientuar dhe të përshtaten në sistemin tonë.

Zëri: A bëhet përzgjedhja e futbollistëve së bashku me shtabin teknik me stafin, a ndieni ju përgjegjësi për futbollistët e ardhur e që nuk po japin rezultate?

Ramadani: Patjetër që përgjegjësia bie te trajneri. Asnjë lojtar nuk është marrë pa u konsultuar me ndihmësit që kam dhe drejtorin sportiv. Secili lojtar që është te klubi ynë është me miratimin tim. Ndoshta ka propozime nga stafi ose nga Kryesia, por unë në fund e kam dhënë miratimin.

Zëri: Prishtina është ndër skuadrat me futbollistët më të shtrenjtë në Kosovë, por disa prej tyre tashmë i kanë kaluar të 30-tat. Pse po përdoret kjo politikë kur dihet se mund të transferoheshin edhe lojtarë të rinj në moshë e të cilët mund të shiteshin dhe klubi të përfitonte financiarisht, siç bëjnë vendet e rajonit, ose kjo pjesë nuk ju bën përshtypje aspak?

Ramadani: Për këtë pyesni Kryesinë e klubit. Ata kërkojnë titullin dhe nuk kërkojnë shitjen e futbollistëve. Ne nuk jemi këtu për të shitur, por për ta mbrojtur titullin kampion.

Zëri: Shumë futbollistë të Prishtinës po vuajnë nga dëmtimet, disa nga ta konsiderohen si baza e ekipit, si është gjendja e tyre?

Ramadani: Për momentin më keq është Qëndrim Zyba, i cili e ka operuar ligamentin. Sabien Lilaj pritet që javën e ardhshme t’i bashkohet skuadrës. Ai (Lilaj) po stërvitet, por në mënyrë individuale. Këto lëndimet tjera kanë qenë kronike, Xhevdet Shabani dhe Mendurim Hoti mund t’i bashkohen skuadrës këto ditë. Lëndimet janë pjesë e sportit. Për atë i kemi më shumë se 20 futbollistë, plus portierët. Një ose dy mungesa nuk vërehen te skuadra jonë. Asnjëherë nuk e kemi pasur ekipin e kompletuar për lëndime ose kartonë.

Zëri: Trajnerët në Kosovë, por jo vetëm, krenohen për zbulimin e talenteve. A mund të krenoheni ju si trajner për zbulimin dhe afirmimin e ndonjë futbollisti prejse jeni te Prishtina?

Ramadani: Për të bërë një lojtar është një punë shumë e rëndë. Nëse secili trajner di që të formojë futbollistë, i kisha propozuar që të fokusohen te fëmijët e tyre ose unë të fokusohem te djali im dhe ta bëj futbollist dhe ta siguroj jetën. Mundësia duhet t’u jepet lojtarëve të rinj, është e domosdoshme. Unë mendoj se me ato mundësi që na janë dhënë, ua kemi dhënë rastin futbollistëve të rinj që t’i tregojnë vlerat e tyre. Ne asnjëherë nuk duhet që t’i bëjmë për vete ata futbollistë që arrijnë kulimin në karrierë dhe të themi se unë e kam zbuluar ose e kam bërë. Unë nuk mund ta krijoj futbollistë, por vetëm t’ua jap mundësinë për t’i drejtuar në profesionalizëm për një karrierë të mirë. Prishtina ka pasur talentë të mëdhenj, por që janë zhdukur dhe harruar. Prishtina tetë vjet nuk e ka arritur titullin dhe gjithë tema në kryeqytet ka qenë se si të kthehet titulli. Ne arritëm që vitin e kaluur ta rikthejmë titullin dhe kjo do të mbahet mend që ne e sollëm titullin pas tetë vjetësh. Mirëpo, për ta vulosur titullin e vitit të kaluar, duhet që në këtë edicion ta mbrojmë atë dhe t’i lëmë të tjerët që të flasin për punën tonë.

Zëri: Të dielën e keni një ndeshje shumë të rëndësishme me Ballkanin në Suharekë, çka prisni nga ky takim?

Ramadani: Gjithmonë ne luajmë për fitore. Presim një duel të fortë, duke e ditur se edhe Ballkani e ka një ekip të fortë dhe objektiv e kanë titullin. I kemi objektivat e njëjta. Ballkani ndeshjen e parë e fitoi pak ma fat, pasi ne kishim iniciativë, por e humbën takimin. Pse të mos ndodhë edhe të dielën që ata ta kenë iniciativën dhe në të fitojmë. Do të ishte një fitore e madhe, një fitore që ta do rriste vetëbesimin te skuadra.

Zëri: Dëshironi të shtoni diçka?

Ramadani: Mirë se erdhët dhe mirupafshim!

Related posts

Kojabashev: Nisma për Referendum nuk do pengojë përmbushjen e obligimeve nga Shkupi

Xh M

Nesër është dita për të ftuarit e lartë në stërvitjen “Përgjigje e shpejtë 22”

Z.H

VMRO-DPMNE zyrtarisht nisë takimet me “partitë e vogla” për një njësi zgjedhore

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More