Agjencia Zhurnal.mk.

Lista e shteteve më të korruptuara në Perëndim

Europës Lindore mund t’i ketë dalë nami por një gjë është e sigurtë, korrupsioni nuk është ekskluzivitet i vendeve të varfra dhe gjendet praktikisht kudo në botë.

Ama, sa më i pasur shteti, aq më i rafinuar dhe i fshehur korrupsioni. Në një kohë kur vende si Shqipëria lakohen si problematike për sa i përket praktikave të ryshfetit, abuzimeve me fondet dhe paratë publike, korrupsioni në shtetet e pasura vjen në forma paksa më të ndërlikuara të cilave u është dashur kohë të formohen dhe centralizohen në sistemet e qeverisjes.

Në ekonomitë e zhvilluara ai mund të shfaqet në trajtat e parajsave fiskale, ushtrimit të influencës në këmbim të favoreve, apo një doze fare të vogël lobimi të dyshimtë i cili nuk ka vrarë askënd apo jo?

Një shikim i thelluar në raportin e përvitshëm të Transparency International – që nxori Shqipërinë në vend të 110 nga 180 shtete në rang global – do të na ndihmojë të kuptojmë më tepër rreth gjendjes aktuale të shteteve më të zhvilluara në botë për sa i përket korrupsionit.

Asnjë shtet nuk mori dot notat maksimale vitin e shkuar dhe sipas raportit, sidomos në vendet perëndimore, ku llojet e korrupsionit janë më të nëndheshme, “vija që ndanë politikën nga bota e biznesit vazhdon të jetë e turbullt”.

Më poshtë, do të gjeni një përmbledhje të rasteve kryesore të korrupsionit në disa nga shtetet më të zhvilluara në botë.

Hapa mbrapa

Rezultatet e raportit të Transparency për vitin 2021, treguan edhe një herë se shumë nga vendet me performancën më të lartë, kanë bërë shumë pak “për të ruajtur integritetin e sektorit publik”.

Disa prej tyre, kanë bërë hapa të shumta prapa gjatë dekadës së fundit, si Australia (e renditur 13/180) dhe Kanadaja (18) të cilat humbën respektivisht nga 12 dhe 10 pikë që nga viti 2012.

SHBA – e 27-ta në listë – humbi gjithashtu 9 pikë që prej vitit 2015. Për herë të parë në 10 vite, Shtetet e Bashkuara nuk janë më pjesë e 25-es më të mirë.

Të ‘palarat’ e vendeve të ‘pastra’

Në Austri, raporti tregon për rastin e ish-kancelarit Sebastian Kurz i cili u përfshi në dy çështje – një në maj, kur ai u akuzua për dëshmi të rreme gjatë një çështjeje korrupsioni në Ibiza në vitin 2019, dhe një tjetër rast në tetor, kur një hetim tjetër e akuzoi atë për abuzime me fondet publike gjatë kohës kur ishte ministër i jashtëm në vitin 2016.

Në Kanada, kryeministri Justin Trudo dhe ministri i financës Bill Monro, u përballën me kritika gjatë vitit 2020, lidhur me disa prokurime publike të dhëna për fondacione bamirësie të cilat drejtoheshin nga familjarë të tyre.

Në Gjermani, deputetë të shumtë nga partia e ish- kancelares Angela Merkel u akuzuan se ishin pasuruar me anë të prokurimeve publike që presupozohej të përdoreshin për të blerë maska anti-COVID si dhe për të bërë lobim gjatë pandemisë.

Për ta mbështetur edhe më tej këtë realitet, një sondazh nga Transparency International, tregoi se 50% e gjermanëve mendonin se kompanitë vendase mbështeteshin tek paratë dhe lidhjet e tyre në qeveri për të fituar tendera dhe prokurime publike.

Diçka që vihet re nga raporti i Transparency është shqetësimi i vazhdueshëm se vendet e zhvilluara po tregohen gjithnjë e më të dobëta përball shtimit të ‘rrjeteve të organizuara të korrupsionit të globalizuar’.

Si pasojë, këto shtete ‘të pastra’, sipas Transparency, mund të jenë vetë katalizatorët dhe iniciatorët e shumë rasteve të korrupsionit që mund ta kenë origjinën në vendet që renditen më poshtë në listë.

Një mal me sekrete  

Pavarësisht luftës së hapur ndaj ‘kompanive guaskë’ – kompani jo aktive të cilat përdoren për manovra të ndryshme financiare – individët e përfshirë në afera korruptive në të gjithë botën gjithnjë i gjejnë mundësitë për të përvetësuar fondet publike si dhe për t’i shpëtuar drejtësisë, duke e fshehur identitetin e tyre pas korporatave sekrete të cilat janë të bazuara në vendet më të zhvilluara të botës.

Vitin e shkuar, ngjarje si Pandora Papers, ndihmuan për të vënë në pah magnitudën reale të problemit të korrupsionit në rang global.

Një komunitet gazetarësh nga e gjithë bota publikuan fakte që tregonin se si zyrtarë të lartë, oligarkë dhe miliarderë nga e gjithë botë fshihnin identitetin e tyre me ndihmën e firmave ligjore apo korporatave të ndryshme që shtireshin si kompani kontraktuese – në vende si Singapori, Hong Kongu, Emiratet e Bashkuara dhe SHBA-ja.

Një nga hetimet zbuloi se si një firmë e bazuar në Dubai kishte hapur kompani guaskë anonime për politikanë dhe biznesmenë në 17 shtete afrikane – duke i ndihmuar të lëviznin pasuritë e tyre përtej detit.

Ndërsa një tjetër hetim i Pandora Papers zbuloi se si politikanë dhe biznesmenë të ndryshëm që akuzoheshin për korrupsion në vendet e tyre, përfitonin nga boshllëqet në legjislacionin e Zelandës së Re, duke i lëvizur llogaritë e tyre anonime atje.

Një tjetër formë korrupsioni sidomos e pranishme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi, është blerja e pronës së patundshme – një treg i cili në këto vende vazhdon të mbetet i zhytur në fshehtësi dhe ligje të interpretueshme.

Dhjetëra oligarkë rusë janë sjellë në vëmendje prej vitesh për lehtësinë me të cilën kanë investuar paratë e tyre të dyshtimta në tregun e pronave të patundshme në Londër.

Në Zvicër, problemi i parave të pista vazhdon të jetë tejet i pranishëm gjithashtu. Në një kohë që bankat, agjentët imobiliar dhe korporatat duhet të jenë rojtarët e sistemit financiar, duke mos lejuar hyrjen e investimeve me para të pista, në shtetin zviceran ndodh tërësisht e kundërta.

Skandale të shumta kanë treguar se boshllëqe në legjislaturën zvicerane po lejojnë që kriminelët t’i shpëtojnë drejtësisë.

Noterët dhe avokatët zviceranë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën pa qenë të detyruar me ligj për të ndaluar formimin kompanive guaskë që më pas përdoren specifikisht për pastrimin e parave.

Në Irlandë, qeveria u bë pjesë e titujve kryesore në media pas akuzave se kishte ‘strehuar’ para të dyshimta nga ish-elitat qeveritare të Uzbekistanit.

Ndërkohë, saga e Danske Bank, e cili ekspozoi rolin e kësaj banke në pastrimin e parave në Azerbajxhan dhe Rusi, vazhdon të rëndojë mbi Danimarkën dhe Estoninë.

Dukshëm lista është e gjatë dhe fatkeqsisht nuk mbaron këtu.

Related posts

Një helikopter i vogël robotik dërgoi mesazhin e fundit nga Marsi

D V

Të afërmit presin të burgosurit e liruar me amnistinë e Vitit të Ri budist në Mianmar

Xh M

New York Times kufizon përdorimin e fjalës “gjenocid” në lajmet mbi konfliktin Izrael-Palestinë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy