Agjencia Zhurnal.mk.

Ligji i ri për KPK-në e dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, pengje të afateve ligjore

Sistemi i hetuesisë ka mbetur peng i afateve ligjore. Gjykata Kushtetuese prej më shumë se 60 ditësh ende nuk ka marrë vendim rreth ankesës ndaj ligjit të ri për Këshillin Prokurorial.

Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, prej pesë muajsh nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj. Përderisa për Kushtetuesen ka mendime të ndryshme rreth asaj se kur fillon rrjedhja e afatit 60 ditor për trajtimin e një ankese, Presidentja nuk ka fare afat të caktuar për dekretim.

Prej rreth 150 ditësh, Prokuroria e Shtetit është duke u udhëhequr me ushtrues detyre. As pas kësaj kohe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

Paralelisht me zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të shtetit, i bllokuar ka mbetur edhe ligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Me 1 korrik të këtij viti, dy partitë opozitare, PDK-ja e LDK-ja, e kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e këtij ligji, i cili ndërron mënyrën e funksionimit të Këshillit Prokurorial, por edhe përbërjen e këtij këshilli, gjë që potencialisht mund ta ndryshojë emrin e kandidatit për kryeprokuror, nëse ai aktual nuk dekretohet nga Presidentja Osmani.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar që vonesa për dekretimin e kryeprokurorit të ri lidhet me atë nëse Ligji për KPK-në i kalon filtrat e Gjykatës Kushtetuese .

“Mund të themi që procesi i Kryeprokurorit të Shtetit, dekretimit ose mosdekretimit të kandidatit të propozuar nga KPK, siç duket është duke u varur nga procese të jashtme, siç janë ankesat e partive opozitare për Ligjin për KPK-në, apo ankesat që i ka bërë një kandidat për kryeprokuror. Sipas IKD-së këto dy procese duhet të trajtohen si të ndara”, ka thënë Miftaraj.

Sipas Ligjit për Gjykatë Kushtetuese, ky institucion, pas pranimit të një lënde, ka 60 ditë kohë për vendimmarrje.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi deklarojnë se ky afat i Gjykatës Kushtetuese tashmë ka kaluar.

Por zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka lënë të nënkuptohet që rrjedhja e afatit 60 ditor nuk fillon nga dita kur pala e dorëzon ankesën, por kur të gjithë të përfshirët përgjigjen e lënda kompletohet për trajtim.

“Afati i vendimmarrjes në këtë rast është përcaktuar me nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe i specifikuar më tej me Rregullin 33 (Regjistrimi i kërkesave dhe afati i dorëzimit) të Rregullores së punës së Gjykatës. Bazuar në këto dispozita, afatet rrjedhin pas kompletimit të të gjitha shkresave dhe përgjigjeve respektive të palëve. Që nga regjistrimi i kërkesës, Gjykata është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm për shqyrtimin e tij”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Mospërcaktimit i qartë i afateve ligjore e ka lënë peng edhe dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Tash e 5 muaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit. Ligji aktual për KPK-në nuk përcakton asnjë afat për këtë çështje.

Bllokada të tilla në sistemin e drejtësisë ka pasur edhe rreth 8 vjet me herët, kur përbërja e asokohshme e KPK-së po tentonte ta zgjidhte Aleksandër Lumezin për kryeprokuror të shtetit.

Related posts

MPB: Serbia po mban në ndalim zv.Drejtorin e Policisë dhe 4 zyrtar policor

Xh M

Kosovari bie në kurth pasi shkoi në motel ‘Hilton’ me një vajzë, 3 persona i futen në dhomë dhe e rrahin brutalisht

Xh M

Pas orëve të gjata të maltretimit, lirohen kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy