Të paktën dy policë të rendit janë lënduar në protestën e veteranëve të OVL-UÇK, që po mbahet në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar Shkelzen Xhafa, komandant i stacionit të Policisë në Prishtinë.
Në ndërkohë Policia ka përdorur sprej ndaj veteranëve që janë duke protestuar.
Veteranët e OVL-UÇK kanë hyrë në oborrin e Kuvendit, përderisa një kordon i policisë i cili po qëndronte para derës së Kuvendit, në një moment kanë përdorur sprej ndaj tyre.
Protestuesit po vazhdojnë të qendrojnë në oborr , ndërsa pak minuta më parë deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, është munduar t’i qetësojë protestuesit.
Berisha ka marrë fjalën në këtë protestë, duke iu kërkuar veteranëve që të mos dëmtojnë ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe iu ka bërë thirrje që të dalin nga oborri.
“Duhet ta dini se këto institucione, këto rrugë, ai bar që po e shkelni, këto pemë e këta policë që janë këtu që janë detyru kinse me e mbrojtë institucionin, janë tonat. Janë si rezultat i gjakut tonë, janë si rezultat i gjakut të dëshmorëve. Prandaj ne duhet t’i mbrojmë, jo t’i lëndojmë. Mos gaboni me dëmtu asgjë”, ka thënë deputeti Berisha, veteranëve.