Agjencia Zhurnal.mk.

Kush janë heronjtë?

NGA: SKENDER MUSLIU

 

Me qëllim që mos të ketë keqkuptime dhe interpretime të njëanshme dhe tendencioze, që në fillim dëshiroj të theksoj se, Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe ushtria e saj, kanë qenë të pastër, me dinjitet dhe moral të lartë, një luftë e drejtë , në shërbim të Atdheut e kundër armikut, e dal, e organizuar dhe e udhëhequr nga populli që ka luftuar për liri dhe pavarësi.

Historia ka treguar se, ka heronj që lindin si heronj, ka heronj që dëshmohen si të tillë gjatë luftës, si dhe ka heronj të paqes. Mirëpo, kush janë heronjtë e vërtetë që ngelin në histori duke lënë gjurmë, që me kontributin e tyre sjellin lirinë për gjeneratat e ardhshme?!

Është shumë lehtë të bëhet diferenca mes heronjve të vërtetë dhe heronjve të vet shpallur, por për këtë duhet vullneti dhe kurajo.

Me siguri se heronj është populli i përvuajtur dhe sakrifica e saj, familja Jasharaj, ata që përjetuan masakrat serbe, dëbimet masive, të përdhunurat dhe të pagjeturit.

Heronj janë dëshmorët, të cilët pa kalkulime politike dhanë jetën për liri, janë luftëtarët e vërtetë, invalidët e luftës, luftëtarët që nuk përfituan asgjë dhe për ta siguruar ekzistencën ata nëpër kontejnera mbledhin kanaqe dhe shishe të plastikës, heronj janë veteranët që nga zhgënjimi, varfëria dhe moskujdesi institucional bënë vetëvrasje, janë edhe veteranët e vërtetë që nuk i është njohur ende statusi i veteranit, heronj janë ……

Mirëpo, fatkeqësisht, ka edhe heronj të vet shpallur ose së paku sillen si të tillë.

A thua janë heronj ata që publikisht deklaroheshin se janë të lumtur dhe krenarë që ishin «pjesë e luftës», edhe pse kanë qëndruar larg vijave të frontit, që nuk janë të paktë, e që konsiderohen se këta ishin ata të «Shtabit të Rognerit», a janë heronj ata që bënë ndarjen e pjesës Veriore të Kosovës, ata që formuan « Zajednicën» me kompetenca ekzekutive, ata që miratuan demarkacionin duke i falur tokë Malit të Zi dhe ata që tradhtuan familjen Jashari, si në luftë ashtu edhe në paqe?!

A janë heronj ata që me botëkuptime marksiste dhe leniniste dhe metoda staliniste dhe enveriste likuiduan kundërshtarët politikë dhe ushtarakë, për të ardhur në pushtet, ata që kidnapuan Fondin «Vendlindja thërret» dhe 3% duke bërë kontrabandë me armë, kurse në paqe duke dhënë para me fajde, a janë gjeneralët dhe komandantët e vet shpallur që privatizuan duke plaçkitur tokën e popullit, që «blenë» nga 200 e 300 ha tokë që ia kanë zili edhe padronët dhe fermerët më të mëdhenj të Evropës, ata që blenë 1 ari tokë nga 1, 2, 3 e 6 euro, kurse pastaj ia kanë shitur shtetit nga 7.000 euro arin, ata që brenda natës, pa asnjë ditë pune u bënë milionerë, fëmijët e të cilëve kanë vetura super luksoze kurse veteranët e luftës jetojnë në kushte mizore?!

A mund të jetë hero «Pronto» mafia, ose ata që manipuluan me paratë e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Trustit duke i transferuar këto fonde nëpër banka jashtë Kosovës për përfitime personale, apo ata që montuan procese politike, ata që përgjuan për dekada qytetarët për t’i shantazhuar më vonë, këta «heronj» me paratë e qytetarëve lobuan për ndarjen e Kosovës, ata që instaluan nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Dhe ajo çka është me e keqe, është fakti se po këta «heronj» kanë sunduar me Kosovën për dy dekada dhe në vend që ta kishin forcuar dhe zhvilluar shtetin, ata forcuar pushtetin duke shkatërruar të ardhmen e rinisë dhe duke shpërngulur pjesën më vitale të saj. Këta janë po ata që janë deklaruar se kanë «luftuar duke rrezikuar jetën» për çlirimin e Kosovës, por, fatkeqësisht për ta «okupuar» më vonë nga vet ata.

Heronj ka edhe në paqe, por kush janë ata?

Heronj janë ata që e duan Atdheun, që punojnë me përkushtim për ndërtimin e shtetit e jo të pushtetit, ata që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, që zhvillojnë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, që krijojnë vende të reja pune, që nuk zhvatin shtetin…..

Fatkeqësisht këta heronj, që nga paslufta i kanë munguar Kosovës, prandaj Kosovën e kanë sunduar njerëz gjysmë analfabet dhe gjysmë të civilizuar, prandaj jemi aty ku jemi.

Autori, jurist i diplomuar

Related posts

Të hetohen njerëzit në pushtet, që dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre

D V

Nuk duhen tanket në rrugë, por ndërgjegjësim

D V

Frustrimi që nxori në pah Dua Lipa në Tiranë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More