Ata janë dy sipërmarrës të shkolluar në SHBA. Partia e tyre politike ka filluar të funksionojë vetëm që nga shtatori dhe ata e kanë “pushtuar” Bullgarinë.
Të quajtur “Harvardasit” për shkak të vendit ku kanë studiuar për master, Kiril Petkov, 41 vjeç dhe 44-vjeçari Assen Vassilev tani janë në majë të pushtetit në një platformë të korrupsionit zero, në një vend që shihet gjerësisht si më i madhi i korruptuar në BE.
Sidoqoftë, siç shkruan bbc, përcjell Telegrafi, ata ishin figura publike të njohura përpara se të krijonin partinë e tyre “Ne vazhdojmë ndryshimin” më 19 shtator. Ata ishin ministra të ekonomisë dhe financave në qeverinë e përkohshme që ka drejtuar Bullgarinë që nga maji.
Tani ata kanë për detyrë të bëjnë koalicion me dy parti të tjera protestuese dhe socialistët e vjetër.
Kjo nuk do të jetë e lehtë, por bullgarët janë të lodhur nga gati 18 muaj trazira politike dhe dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme.
Karizma si faktori kryesor
Politika në Bullgari sot është e ndarë midis partive të reja si ato të tyre dhe një garde të vjetër të prekur nga korrupsioni, që përplasen me njëra-tjetrën për të udhëhequr vendin. Votimi i së dielës ishte i treti këtë vit.
E para nga partitë e stilit të ri u shfaq në zgjedhjet e fundit në korrik, të udhëhequra nga ylli televiziv Slavi Trifunov, por ai nuk arriti të formonte një qeveri.
Tashmë ajo pjesë e elektoratit që kërkon ndryshim ia ka besuar atë detyrë “Harvardasve”.
“Faktori kryesor për mua është karizma”, tha për BBC konsulenti kundër korrupsionit Philip Gounev.
“Kiril Petkov ndoshta as që e dinte se e kishte atë. Është pothuajse si dashuria, një përbërës misterioz që nuk mund ta përkufizosh plotësisht”.
Një dobësi e partive protestuese të së kaluarës në Bullgari ka qenë se ato dominoheshin nga liberalët e djathtë nga Sofja.