Kurti, ambasadorëve të QUNT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të përzihen

nga Redaksia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Kurti theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit.

Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës.

Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29).

Ai kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Kurti theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel.

Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

Regjistrohu

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

@2009-2024 – All Right Reserved. Designed and Developed by Anet.com.mk

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More