Agjencia Zhurnal.mk.

Kryqi në Tetovë “kryqëzon” politikanët shqiptarë, me akuza nuk largohet kryqi!

Shkup, 17 nëntor – Tetova është qytet i banuar me shumicë dërmuese shqiptare, dhe sëfundmi është bërë eksperiment i shprehjes apo nxitjes të urrejtjes ndërfetare mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që janë pakicë në krahasim me shqiptarët në këtë komunë. Përderisa, kryqi prej 15 metrave po rrezitet nga rrezet e diellit në Kodrën e Diellit, politikanët shqiptarë kanë kapur shigjetat në dorë dhe janë në gjah të njëri tjetrit me akuza dhe kundër akuza se kush është fajtori apo kush e solli kryqin. Kjo është gjëja që më së paku e dëshirojnë qytetarët e Tetovës, apo thënë ndryshe me sytë dhe gjuhën e politikanëve “votuesit e Tetovës”. Qytetari shqiptarë i Tetovës ka nevojë që politikanët shqiptarë të jenë të unifikuar në raste të tilla kur provokohet një qytet i tërë, e sidomos me elemente të tilla që janë nxitëse për urrejtje ndërqytetare në baza fetare. Prandaj, meqë nga Komuna e Tetovës është konstatuar se për kryqin në fjalë nuk është dhënë leje, duhet të veprohet menjëherë e të largohet sa më parë. Mos veprimi i përgjegjësve në këtë rast mund të jetë shkak për krijimin e ndonjë tensioni të padëshiruar mes qytetarëve, shkruan Zhurnal.

“Piku” prej qiellit apo doli nga “nëntoka” kryqi 15 metra në Kodrën e Diellit në Tetovë?

Një kryq prej metali ka ndikuar dukshëm që politikanët shqiptarë qenie njerëzore e racionale të “kryqëzojnë” njëri tjetrin me akuza e kundër akuza. Por, mos veprimi i tyre për largimin e këtij kryqi do të ndikojë edhe në përmbushjen e qëllimit të vendosjes së kryqit, tensione ndëretnike në baza fetare. Pra, mos të veprojmë pasi të bëhet vonë sepse vërtetë mund të bëhet vonë. Qytetarët shqiptarë që janë shumicë dërmuese në Komunën e Tetovës që i takojnë besimit islam janë ndjerë të provokuar nga ky kryq që “piku” prej qiellit.

Në fakt, kryqi në fjalë nuk ka rënë nga qielli e as nuk dalë nga nëntoka, por përmes tokës është sjellë në Tetovë, saktësisht në Kodrën e Diellit. Dhe, kjo sigurisht që ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha për qytetarët e asaj zone, sepse një gjë e tillë ka qenë e panevojshme dhe është provokim i pastër. Por, para se të merren veprimet e duhura politikanët shqiptarë kanë zgjedhur që në këtë rast të fitojnë ndonjë pikë politike duke ia hedh fajin njëri tjetrit. E këtë gjë qytetarët e Tetovës, përpos që nuk e duan, e urrejnë. Atë që e duan qytetarët është veprimi i menjëhershëm për largimin e atij kryqi që është vendosur në mënyrë të pa ligjshme dhe pa leje.

Kujtojmë që, Komuna e Tetovës ka dalë me reagim të menjëhershëm në lidhje me kryqin i cili është vendosur në Kodrën e Diellit. Nga komuna thonë se nuk kanë dhënë leje për vendosjen e kryqit. “Komuna e Tetovës për të sqaruar opinionin publik nuk ka dhënë leje për ngritjen e kryqit në Kodrën e Diellit, duke shpallur se ai është vendosur pa lejen e duhur për ngritje”.

Lëvizja Besa dhe BDI me akuza njëra ndaj tjetrës –

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj vendosjes së kryqit të gjatë 15 metra në Qendrën Turistike “Kodra e Diellit” dhe kërkon nga Komuna e Tetovës përgjegjësi për lejimin e këtij skandali.

“A është vendosja e këtij kryqi gjë paraprakisht e dakorduar mes Besës së Bilall Kasamit dhe VMRO DPMNE-së, një favor i mbajtur fshehtë nga qytetarët për ndihmën që VMRO-ja i ofroi Besës në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës?”, kanë thënë nga BDI.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lëvizjes Besa si kundërpërgjigje ndaj reagimit të BDI-së.

“BDI pasi planifikoi të gjitha aktivitetet për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit, dëshiron që fajin t’ia vë Lëvizjes Besa. Njëjtë sikur ua vendosnin fajin shqiptarëve kur i rrihnin nxënësit nëpër autobusë, për rastin “Alfa”, rastin “Monstra”, Kalanë dhe shumë raste të tjera. Imagjinoni, BDI ka aranzhuar gjithë aktivitetin, duke u koordinuar me Gruevskin, duke e planifikuar me Vuçiqin e duke e zbatuar me Zaevin e Kovaçevskin. BDI mendon se qytetarët harrojnë se ajo bashkë me VMRO-DPMNE-në qeverisi për dhjetë vite, ku e bashkë planifikuan projektin “Shkupi 2014”, kryqet nëpër gjithë fushat e kodrat e Maqedonisë së Veriut dhe pasi i realizuan një pjesë të këtyre skenarëve edhe me LSDM-në dëshirojnë që fajin t’ia vendosin Lëvizjes BESA! Ne si Lëvizja BESA deklarojmë me përgjegjësi më të lartë se nuk kemi asnjë lidhje me vendosjen e kryqit dhe nuk do e pranojmë vendosjen në Kodrën e Diellit. BDI të jap llogari, se çfarë plane tjera bën me Gruevskin dhe Vuçiqin?”, janë kundërpërgjigjur nga Lëvizja Besa ndaj reagimit të BDI-së.

Reaguan edhe nga BFI për kryqin që po vazhdon të qëndrojë në Kodër të Diellit –

Ndryshe, në vrazhdën e reagimeve nuk kanë qëndruar të heshtur as nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, të cilët këtë akt e kanë cilësuar si provokim të pastër dhe si nxitje për konflikte ndërfetare dhe ndërnacionale.

“Bashkësia fetare islame e RMV mbetet e habitur me paraqitjen e Kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, andaj e kupton si një aktë jo qëllim mirë që ngrit tensione ndërfetare dhe ndërnacionale. Objektet fetare janë nevojë e besimtarëve, dhe me ndërtimin e Xhamisë si dhe me ndërtimin e Kishës kah moti u plotësuan nevojat e besimtarëve të krishterë dhe mysliman, andaj çdo objekt fetar që ngritet për tê treguar superioritet apo provokim vërtetë nuk i shërben qëllimit kryesor drejt Zotit, pra Kryqi i ngritur në Kodrën e diellit është një provokim dhe si i tillë në këto momente i paqëlluar dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërnjerëzore Andaj, ngritja e çdo objekti fetar duhet të jetë me qëllim të shërbimit ndaj Zotit, afrimit mes njerëzve, paqes dhe bashkëjetesës”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Kujtojmë që, Komuna e Tetovës përbëhet nga popullsia dërmuese shqiptare që pjesa më e madhe e tyre i takojnë besimit mysliman, ndërkaq, një përqindje e vogël e qytetarëve krahasuar me shqiptarët janë maqedonas dhe i takojnë besimit ortodoks. Prandaj, vendosja e këtij kryqi nuk ka qenë e rastësishme, por pikërisht e qëllimshme për të nxitur tensione mes qytetarëve. Gjithashtu, në Komunën e Tetovës jetojnë edhe qytetarë të etnive dhe besimeve tjera, përveç këtyre të lartpërmendur. /Zhurnal.mk

Related posts

 I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës është kapur në Türkiye, procedura për ekstradim ka filluar

Xh M

Spavoski konfirmon: Lupço Palevski është arrestuar në Turqi, ekzekutori i Vanjës u kap nga policia turke në Balikesir

Xh M

Pasiguri e panik pas vrasjes së 14-vjeçares në Shkup

Xh M