Agjencia Zhurnal.mk.

Kriza energjetike ka treguar dobësitë e sistemit, vlerëson sektori i biznesit

Shkup, 3 janar – Vit i vështirë ekonomik me shumë sfida, kështu e vlerëson shkurt vitin 2021 biznesi. Parashikimet nuk janë optimiste – trendi i pasigurisë do të vazhdojë dhe mund të priten pasoja negative shtesë të pandemisë së koronës.

 

Sipas odave tregtare, kriza energjetike ka komplikuar më tej mjedisin ekonomik dhe ka treguar dobësitë e sistemit. Por, ndikim të fortë në funksionimin e kompanive patën edhe zhvillimet politike pas zgjedhjeve lokale.

“Duke gjykuar nga ky këndvështrim, mund të ketë vend për të përmbyllur një vit të suksesshëm, por, për fat të keq, ekonomia është një segment shumë më kompleks dhe i ndërlikuar. Jo të gjitha kompanitë janë anëtare të ndonjë ode tregtare, që do të thotë se duhet të kemi parasysh edhe shumë parametra të tjerë për të dhënë një përfundim të tillë. Për shkak të pandemisë së koronës, ekonomia dhe biznesi kanë pësuar dëme nga të cilat nuk janë rikuperuar ende. Krahasuar me vitin 2020, kemi mbi 2000 kompani më pak dhe sigurisht që zinxhiri i furnizimit është dobësuar ndjeshëm. Megjithatë, në një kohë kur dukej se po ecnim pozitivisht drejt rimëkëmbjes dhe kthimit në normalitet, u goditëm nga kriza energjetike dhe inflacioni. Kriza energjetike është problem serioz”, tha për MIA-n drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Drilon Iseni.

Sa i përket njoftimeve për goditje të mundshme në çmim, Iseni thekson se ky do të jetë një problem i përgjithshëm jo vetëm për kompanitë, por edhe për konsumatorët. Nëse ndodh ky skenar, aktiviteti ekonomik dhe fuqia blerëse mund të ulen ndjeshëm.

“Me rritjen e çmimeve, automatikisht mund të ulet kërkesa dhe në këtë mënyrë të dobësohet zinxhiri i furnizimit, që nënkupton se kompanitë do të prodhojnë ose importojnë më pak për tregun vendas. Krahas këtij zvogëlimi të vëllimit të punës, kompanitë po përballen me rritje jashtëzakonisht të madhe të faturave të energjisë, që do të thotë se efekti kolateral do të jetë reduktimi i vendeve të punës. Në fakt, jo vetëm kompanitë, por askush nuk është i përgatitur për goditjen e çmimeve që mund të ndodhë. Shteti ka krijuar mekanizma për të parandaluar çdo abuzim nga kompanitë, por nga ana tjetër nuk ka mekanizma apo masa për t’i ndihmuar ato”, theskon drejtori i OEMVP-së.

Ai shton se nëse kriza do të vazhdojë dhe ka shanse që të jetë kështu, shteti do të duhet të subvencionojë kategoritë sociale në nevojë për t’u përballur me rritjen e çmimeve të produkteve bazë, në mënyrë që ato të mos kthehen në “të mira superiore” që mund të sigurohen vetëm nga qytetarët të ardhurat e të cilëve janë rritur.

“Në vitin 2022 duhet të fokusohemi në tejkalimin e krizës. Fillimisht duhet të tërhiqen disa nga vendimet e Qeverisë, si e diela, ditë jopune, ngrirja e çmimeve të produkteve bazë. Të vendoset një masë urgjente për të mbështetur kategoritë e cenueshme sociale, shlyerjen e borxheve të shtetit ndaj bizneseve, shlyerjen sa më të shpejtë të TVSH-së. E gjithë administrata duhet të fokusohet në mbështetjen e politikave të energjisë së rinovueshme, si dhe në shfrytëzimin e plotë të shpenzimeve kapitale buxhetore, ku do të kemi përfitime më të mëdha në aspektin ekonomik”, tha Iseni dhe informoi se anëtarët e OEMVP-së e kanë përfunduar me sukses vitin 2021. Disa madje i kanë tejkaluar pritshmëritë e tyre dhe pak kanë bilanc negativ.

Kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni – Turqi (MATTO), Ajdovan Ademoski, vlerëson se kriza e zgjatur shëndetësore dhe ekonomike, efektiviteti i politikave për kufizimin e dëmeve ekonomike nga pandemia, zhvillimi i kushteve financiare dhe lëvizjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, si dhe kapaciteti për të rregulluar ekonominë, janë arsyet kryesore të pasigurisë për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Trendi i pasigurisë do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm 2022 në të cilin priten pasoja shtesë dhe negative të pandemisë. Në përpjekje për të përballuar krizën energjetike dhe ekonomike në shkallë globale, kompanitë janë të detyruara të kërkojnë zgjidhje për të siguruar sasitë e nevojshme të energjisë me çmimet më të mira të mundshme në kushtet kur vlera e energjisë elektrike në bursat botërore shitet deri në pesë herë më shumë se ajo që blihej vetëm disa muaj më parë. Gjendja aktuale është mjaft shqetësuese, sepse disa nga kompanitë e mëdha që mund të blejnë energji elektrike për 90 euro për megavat orë, nuk mund ta bëjnë këtë pasi nuk kanë licenca importi. Ka disa kompani që mund të marrin energji elektrike përmes kompanive mëmë nga vendet e tjera, por nuk mund ta bëjnë këtë, sepse nuk kanë një mekanizëm transmetimi në rrjetin tonë të energjisë elektrike, dhe ka kompani më të vogla që nuk kanë mënyrë për të importuar energji elektrike, edhe pse mund të paguajnë”, nënvizon Ademoski.

Krahas masave dhe aktiviteteve për rimëkëmbjen ekonomike, tha ai, është e nevojshme të krijohen mekanizma që do të stimulojnë efektivisht aktivitetin ekonomik drejt rritjes më të lartë dhe të qëndrueshme në afat të mesëm. Sipas tij, theksi në politikëbërje duhet të jetë tek investimet për digjitalizimin e shërbimeve dhe mbështetjen për rritjen dhe zhvillimin e kompanive.

Si në vitin 2020, ashtu edhe në vitin 2021, thekson Ademoski, pandemia ka vazhduar të ndryshojë mënyrat se si kompanitë detyrohen të përshtaten për të siguruar mbijetesë me sa më pak pasoja.

“Duke zhvilluar tendenca të reja dhe duke futur teknologji të modifikuara, kompanitë janë ende të detyruara të gjejnë mënyra për të përgatitur në mënyrë më efikase bizneset e tyre për vitin 2022. Edhe pse kompanitë po monitorojnë vazhdimisht ndryshimet e tregut dhe transformimet që ndikojnë në biznesin e tyre, për shumë kompani në vitin 2022 do të mbetet e rëndësishme të ristrukturojnë ose ndryshojnë modelin e biznesit në përputhje me rrethanat. Në dy vitet e mëparshme pandemike, 2020 dhe 2021, pati shumë sektorë që u transformuan plotësisht, si hoteleria dhe kompanitë që organizonin (menaxhonin) evente. Kështu për shembull restorantet, respektivisht disa prej tyre ofronin shërbime sipas protokolleve të përcaktuara nga institucionet kompetente për të mbijetuar në treg. Në përgjithësi, për shkak se kompanitë duhej të përshtatnin shpejt aktivitetet e tyre duke punuar në distancë dhe duke punuar nga shtëpia, u imponua një lloj standardi që detyroi shumicën e kompanive të rishikonin modelin e tyre të biznesit. Puna në distancë në varësi të llojit të biznesit në disa kompani ka çuar në rritje të produktivitetit, ndërsa në të tjera ky model nuk është rezultuar si ideal. Me prezantimin e video-konferencave, takimet kokë më kokë (takime, prezantime, trajnime) të cilat përfshijnë shpenzime shtesë të kohës dhe udhëtimit, në vitin 2021 nuk janë më standard, por zgjedhje dhe përjashtim”, thotë Ademoski.

Ai rikujton se për sektorin e biznesit mungesa e fuqisë punëtore është ende një problem jashtëzakonisht serioz. Është e nevojshme fokusimi në këtë çështje dhe ndihma për krijimin e masave dhe aktiviteteve për mbajtjen në vend të të rinjve, si dhe fuqinë punëtore cilësore dhe të kualifikuar.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, përveç krizës aktuale energjetike dhe shëndetësore, lufta kundër ekonomisë në hije dhe korrupsionit, gazifikimi, mbështetja e kompanive eksportuese dhe rregullimi i procedurave për leje ndërtimi që ndikojnë drejtpërdrejt në investime, mbeten një çështje delikate.

“Këto janë katër prioritetet në të cilat do të fokusohemi dhe sigurisht që është çështja e trajnimit të stafit për nevojat e biznesit që do të trajtohet vazhdimisht në dekadën e ardhshme. Këto probleme nuk janë të reja dhe zgjidhja e tyre kërkon shumë energji dhe këmbëngulje. Por kur keni një krizë ekonomike, financiare, shëndetësore, energjetike dhe politike në të njëjtën kohë, theksi vihet vetëm tek një gjë – të mbijetoni. Na sugjeruan para fillimit të pandemisë – hibernacion, sepse askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo”, tha Azeski.

Sipas tij, viti ishte i vështirë dhe krizat u bënë pjesë e pandashme e jetës dhe e punës sonë.

“Ajo që kemi për momentin ishte mbi pritshmëritë e mia, sepse në kushte të tilla të kesh shifra të tilla është një mrekulli e vërtetë. Natyrisht kjo ka çmimin e vet dhe reflekton tek buxheti. Por është vazhdimi i krizës që më bën më pak optimist se kurrë. Këtu më duhet të shtoj krizën politike në të cilën hymë pas zgjedhjeve vendore, e cila pati një ndikim të fortë në funksionimin e kompanive dhe krijimin e një ambienti më të mirë biznesi. Konkluzioni i sektorit të biznesit është se duhet të përpiqemi të zvogëlojmë shpenzimet, të rrisim të hyrat dhe mendoj se si shtet duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm”, thotë Azeski.

Në lidhje me krizën energjetike, qëndrimi i Azeskit është se përveç se e komplikon klimën edhe ashtu të komplikuar ekonomik, ka treguar edhe dobësitë e sistemit.

“Kriza energjetike e nisur në mesin e vitit 2021 si vazhdimësi e krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga KOVID, vetëm sa e komplikoi mjedisin tashmë kompleks ekonomik në të cilin vendi funksionon që nga viti 2008 dhe tregoi dobësitë e sistemit shtetëror. Pa një strategji për sektorin energjetik, pa investime në 30 vitet e fundit, në kushte të keqmenaxhimit dhe participimit të lartë gjatë gjithë periudhës së kaluar, vetëm sa konfirmoi faktin se pa energjinë e vet apo pa furnizim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me importe, zhvillimi ekonomik i vendit është vënë në pikëpyetje”, është decis kryetari i shoqatës më të vjetër dhe më të madhe të biznesit.

Edhe Odat Ekonomike me këtë rast theksuan se në marrjen e çfarëdo vendimi, Qeveria duhet të konsultohet me biznesin, veçanërisht në një periudhë të tillë – të krizës shëndetësore, energjetike dhe ekonomike.

Related posts

Edhe një muaj kthehet McDonald’s në Shkup?

D V

Danimarka nuk e pranon vaksinën “Astra Zeneca”, nevojitet PCR test negativ

Redaksia

Bebe Rexha dhe mërgimtarë nga Dibra me donacione për spitalin e Dibrës

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More