Agjencia Zhurnal.mk.

Kriza e kostos rëndon jetën e 3 milionë fëmijëve në Gjermani

Afër 3 milionë fëmijë në Gjermani jetojnë në familje të varfra pasi kriza e kostos së jetesës që po përjeton vendi ka shtyrë më shumë prindër në varfëri, sipas shoqatës bamirëse për fëmijë Arche. “Gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë tek ne, duke kërkuar mbështetje”, tha për Anadolu Agency (AA), Bernd Siggelkow, themeluesi i shoqatës bamirëse, duke shprehur keqardhjen që autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për të gjetur një zgjidhje për problemin. Po ashtu, ai u shpreh se siç duket askush nuk do të bëjë asgjë derisa ndonjë fëmijë të vdesë nga uria në Gjermani.

“Autoritetet duhet të veprojnë tani, nuk duhet të presin vitin e ardhshëm. Nuk ka mbështetje të mjaftueshme për njerëzit e varfër. OJQ-të që mbledhin dhe sigurojnë ushqimin nuk po pranojnë më njerëz”, tha ai. Objektet e Arche në Gjermani mbështesin mijëra familje të varfra dhe fëmijët e tyre. Ata po ndihmojnë për të përmbushur nevojat themelore të fëmijëve, duke ofruar ushqime të nxehta, të gatuara dhe mbështetje arsimore.

Siggelkow tha se rritja e çmimeve të energjisë dhe inflacioni po e bëjnë të vështirë për familjet të përballojnë nevojat bazë dhe se gjithnjë e më shumë njerëz po kontaktojnë shoqatën e tij bamirëse për të kërkuar mbështetje për fëmijët e tyre.

“Çmimet po rriten dhe në fakt, kjo filloi pranverën e kaluar. Që atëherë, shumë familje nuk janë në gjendje ta përballojnë këtë. Shumë njerëz punojnë për paga të ulëta. Të pasurit po pasurohen kurse të varfrit po varfërohen më shumë”, tha ai. Norma e inflacionit të Gjermanisë arriti në 7.5 për qind në korrik, ndërkaq analistët thonë se në muajt në vijim inflacion mund të arrijë nivelin më të lartë të 70 viteve prej 10 për qind. Familjet do të duhet të paguajnë rreth 3.500 euro (3.500 dollarë) për gaz këtë dimër, gati trefishi nga ajo që paguan vitin e kaluar, sipas vlerësimeve. Siggelkow tha se familjet e varfra po kërkojnë mënyra për të ulur shpenzimet dhe se kriza ka pasur një efekt dramatik te fëmijët.

“Nëse çmimet vazhdojnë të rriten kështu, gjithnjë e më shumë fëmijë do të shkojnë në shkollë pa ngrënë mëngjes. Kriza e koronavirusit tashmë pati një ndikim negativ, fëmijët janë edhe më të ndarë se më parë. Inflacioni tani po i zhyt më shumë prindërit drejt dëshpërimit”, shtoi Siggelkow.

Programi i shtetit për mbështetjen e prindërve të papunë dhe familjet e varfra nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat bazë, sipas Siggelkow. Sipas tij, duhet të ketë masa më serioze, si heqja e TVSH-së për artikujt ushqimorë për të paktën gjashtë muaj.

“Unë mendoj se vendit tonë i mungon lidershipi. Politikanët fshihen kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme. Ata vetëm flasin, por nuk veprojnë”, tha ai me zhgënjim. Siggelkow nënvizoi se nevojiten veprime urgjente dhe se autoritetet duhet të rrisin menjëherë mbështetjen për prindërit e papunë, familjet dhe fëmijët e varfër. “Shpresoj që ata të shohin se ne kemi një problem të varfërisë së fëmijëve në këtë vend dhe se numri i fëmijëve të prekur po rritet. Duhet të bëjmë diçka. Duhet të bëjmë diçka për ta, dhe dua të them që sot, nuk mund të presim më”, tha ai.

Related posts

Gjermania arreston dy spiunë rusë, kishin plane sabotazhi

Xh M

Paralajmëron Borrell: Jemi në prag të një lufte rajonale në Lindjen e Mesme, duhet ta ndalojmë

Xh M

Ministrat e Jashtëm të shteteve të G7-së diskutojnë për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy