Agjencia Zhurnal.mk.

Kovaçevski: Synimi është që pasi bashkë i filluam, ashtu bashkë edhe ti përfundojmë bisedimet me BE-në

Shkup, 14 nëntor – Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë asnjëherë nuk kanë qenë më të mira nga ajo që janë sot dhe lirisht mund të themi se si dy fqinj munden dhe duhet të bashkëpunojnë, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në paraqitjen zyrtare në mbledhjen e sotme të përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Shkup.

 

“Jo shumë kohë më parë, i gjithë Ballkani mbeti peng i politikave retrograde. Ishte i nevojshëm vizion që të shihet rajoni si tërësi, shtetet e tij si pjesë e tërësisë dhe të veprohet në drejtim të së ardhmes së përbashkët evropiane. Nevojiteshin udhëheqësi progresive të cilat mund të ngriteshin mbi interesat personale politike dhe liderë të cilët shohin para dhe drejt së nesërmes. Më se e qartë është se bashkë gjithnjë mundemi më shumë sepse për pak vite përmes vullnetit të sinqertë politik për progres ne arritëm edhe më shumë se ajo që atëherë mund të mendohej. Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk kanë qenë më të mira nga ajo që janë sot. Lirisht mund të themi se jemi shembull si dy fqinj, munden dhe duhet të bashkëpunojnë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai foli edhe për bashkëpunimin në kushte të krizës si në kuadër të nismës Ballkani i Hapur edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes si partnerë të barabartë të besueshëm të NATO-s dhe të SHBA-së.

“Disa nuk besonin, por ja ku jemi, së bashku, kemi shkelur në integrimet evropiane. Më 19 korrik të dy në emër të vendeve dhe qytetarëve tanë, patëm nderin të dëgjonim fjalët ‘i shënoj negociatat të hapura’ të folura nga ministri çek i punëve të jashtme. Ndihma dhe mbështetja juaj në tryezën politike gjatë atyre ditëve në Bruksel është e paçmueshme dhe do ta kujtoj dhe do ta vlerësoj përgjithmonë. Siç thonë, miqtë njihen në telashe dhe ju Edi dhe ju kolegë të respektuar nga Shqipëria, keni treguar miqësi të vërtetë dhe të sinqertë dhe mbështetje pa rezervë në rrugën evropiane, por edhe gjatë anëtarësimit tonë në NATO. Ne kemi të njëjtin synim anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Si qeveri progresive kemi bërë shumë përpjekje dhe kemi treguar se përparim mund të arrihet vetëm me bashkëpunim”, potencoi Kovaçevski, duke theksuar rëndësinë e realizimit të projekteve për lidhjen infrastrukturore të dy vendeve.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, kryeministri Kovaçevski theksoi se vendi u reshtua qartë në linjën e politikës së jashtme të BE-së, ndërsa këtë e bëri edhe Shqipëria, të dyja shtetet, tha, bashkë qëndrojmë në linjën e paqes botërore dhe e ruajmë stabilitetin e rajonit.

“Në interesin tonë të përbashkët është që të parandalojmë përpjekjet e palëve të treta për qëllimet e tyre t’i tërheqin vendet tona dhe gjithë Ballkanin Perëndimor në skenarë të padëshirueshëm, skenarë që kërcënojnë përfitimet demokratike për të cilat kemi punuar kaq gjatë për t’i ripërtërirë, që do të bllokojnë mundësitë për zhvillimin ekonomik të shteteve dhe do ta tërheqë rajonin në izolime dhe tensione të reja, të cilat Ballkani mezi i ka kapërcyer. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po punojnë së bashku për zgjidhje konkrete, po investojnë në një të ardhme të sigurt për të gjithë rajonin e Ballkanit dhe kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Si qeveri demokratike, ne e dimë se integrimet euroatlantike janë me interes strategjik për stabilitetin dhe sigurinë, për ekonominë dhe standardin e jetesës së gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja më në fund e ka kuptuar se interesi i saj strategjik dhe i sigurisë është që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës dhe tani është momenti për të siguruar rrumbullakimin e familjes evropiane. Nuk duhet të humbasim këtë moment të duarve të zgjatura nga miqtë dhe partnerët tanë. Si ne ashtu edhe BE-ja deri më tani i kemi përmbushur të gjitha premtimet dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai vlerësoi se hapja e bisedimeve dhe fillimi si skriningut është sukses i madh për të gjithë ne, procesi ka filluar dhe tani me identitet plotësisht të mbrojtur dhe interesa nacionale, të njohura dhe të konfirmuara në Evropë, përparojmë në reforma që të sigurojmë standarde dhe parime evropiane.

“Për neve identiteti dhe gjuha maqedonase, njohja nga Evropa ishte shumë me rëndësi. Bisedimet ishin të vështira, por e arritëm atë për të cilën luftonim – ta ruajmë gjuhën maqedonase dhe ta ngrisim në nivelin e njëjtë me gjuhët e tjera të BE-së. Identiteti maqedonas do të vazhdojë të zhvillohet si pjesë e identitetit kompleks evropian. Dëshmi për mundin tonë dhe premtimin e përmbushur ishte Marrëveshja për FRONTEKS, e nënshkruar me të gjitha 27 anëtaret në gjuhën maqedonase pa kurrfarë shtesash ose fusnotash”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se duhet “të bëjmë edhe hapa të tjerë të nevojshëm në Parlament”, me qëllim që në proces dinamik t’i përmbyllim bisedimet për anëtarësim me BE-në.

“Nuk ka më hapësirë për justifikime, të cilat do të bllokonin afrimin e vendit tonë drejt integrimit evropian. Tani gjithçka është në duart tona. Pres që deputetët të tregojnë përgjegjësi edhe në Parlament, për të vazhduar me shpejtësi drejt BE-së. Siç i filluam negociatat së bashku, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë mundësinë edhe t’i përfundojnë negociatat së bashku”, porositi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në mbledhjen ndërqeveritare zyrtarisht fjalim pati edhe kryeministri shqiptar Edi Rama pas çka filloi diskutimi i hapur mes ministrave të të dyja qeverive.

Në kuadër të mbledhjes ndërqeveritare do të mbahet edhe ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumeve nga ana e ministrave të të dyja qeverive me qëllim të thellimit të bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

Related posts

Arsenal quick to rally around Bukayo Saka as club chiefs and players support England star as he deals with penalty miss and abuse

Lea Muslija

Ka filluar ndërtimi i 59 banesave sociale në Saraj

Xh M

Pendarovski: Nuk mund të arrijmë marrëveshje nëse fokusohemi te polemikat historike

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More