Agjencia Zhurnal.mk.

Kovaçevski sot mer mandatin për të formuar Qeveri, i’a dorëzon presidenti Pendarovski

Shkup, 29 dhjetor – Presidenti Stevo Pendarovski sot do t’ia dorëzojë mandatin për formim të Qeverisë së re, liderit të LSDM-së Dimitar Kovaçevski. Ngjarja është paralajmëruar nga Kabineti presidencial që në ora 13 të mund të përcillet edhe drejtpërdrejtë në Fejsbuk dhe në kanalin YouTube të presidentit Pendarovski.

 

Kuvendi javën e kaluar konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, me çka filloi të rrjedhë afati dhjetëditor, në të cilin presidenti Pendarovski duhet t’i besojë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Këshilli qendror i LSDM-së në seancën e së hënës e konfirmoi zyrtarisht Kovaçevskin si kandidat për kryeministër të ri.

Kovaçevski mbrëmë në një fjalim televiziv tha se nuk do t’i shfrytëzojë afatet e plota kushtetuese për formim, por planifikon që propozimi për përbërjen e qeverisë të dorëzohet më 11 janar, pas së cilës sipas afateve do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.

Pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë së re, ai pritet që në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm ta dorëzojë në Kuvend programin e punës dhe përbërjen e qeverisë së re, pas së cilës deputetët do të duhet të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re. Siç ka paralajmëruar, nga sot do të bisedohet për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, pas së cilës ai do të bëjë zgjedhjen.

Kryetarja e Kuvendit, Talat Xhaferi, ka deklaruar dje se në përputhje me gjithë procedurën për zgjedhjen e qeverisë së re, ajo do të marrë detyrën më 17 janar të vitit 2022.

“Nga momenti me ndarjen e mandatit, presidenti i shtetit sipas nenit 210 nga Rregullorja duhet ta njoftojë kryetarin e Kuvendit për ndarjen e mandatit, që të fillojnë afatet në Kuvend, të numërohen afatet. Do të thotë edhe për ne, e edhe për mandatarin. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga marrja e mandatit, do të thotë jo më vonë se ditën e 20-të nga marrja e mandatit, duhet të dalë para Kuvendit me propozim përbërje personale të qeverisë së re dhe program për punën e qeverisë”, deklaroi Xhaferi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për pritjet kur do të ndodhte zgjedhja e qeverisë së re.
Xhaferi ka shprehur shpresën se mandatari i kryeministrit nuk do të shkojë në afate, duke marrë parasysh, siç tha, të gjitha negociatat që janë bërë më parë dhe të gjitha njoftimet për vendime të mundshme individuale personale që janë bërë publike.

“Për çdo rast, variantet për organizimin e punës në Kuvend janë paraparë, edhe nëse kjo është afati i fundit, dita e 20-të, edhe nëse afati është më i shkurtë. Por, për çdo rast, në këtë moment kur të merret përbërja personale dhe programi i qeverisë, atëherë fillon afati i Kuvendit, në afat prej 15 ditëve nga ai moment të konvokohet seancë për zgjedhje të qeverisë. Seanca zgjat dy ditë. Ditën e dytë, para orës 24 duhet të votohet për qeveri të re dhe pres diku më 10-11 ta marrë propozim-përbërjen e qeverisë dhe programin dhe në bazë të konsultimeve me grupet e deputetëve, të cilët janë në Kuvend, të përcaktoihet data për mbajtjen e seancës. Me siguri kjo do të jetë 15-16 janar, respektivisht nëse merret propozimi më 10-11, më 15-16 të mbahet debat dy ditë, që ditën e dytë më 16, para orës 24 të votohet qeveria e re, e cila më 17 në mëngjes do t’i ndërmerrte të gjitha funksionet në ministri, respektivisht në qeveri si ekip me mandate dhe me të gjitha autorizimet që dalin nga vendimi me zgjedhjen”, sqaroi Xhaferi.

Sipas kryetarit të Kuvendit, qeveria e re ka shumicë prej 64 deputetëve edhe atë faktikisht do ta tregojë votimi.

Proceset rreth formimit të Qeverisë së re ishin ndër temat edhe në takimin e Kovaçevskit me ambasadoren e SHBA-së në vend, Kejt Meri Bërnz, të cilën e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë qytetarët e saj dhe theksoi se si kryetar i LSDM-së dhe mandatar për të formuar qeverinë e re do të udhëhiqet nga parimet e unitetit, përgjegjësi, përkushtimit dhe efikasitet dhe këtë do ta kërkojë edhe nga bashkëpunëtorët e tij.

“Qëndrimi dhe parimi im është zero tolerancë për korrupsionin në çdo nivel, veçanërisht për zyrtarët e lartë publikë. Për këtë qëllim do të fokusohem në forcimin e kapaciteteve të institucioneve që luftojnë kundër korrupsionit. Me efikasitet, përgjegjshmëri dhe përkushim”, theksoi Kovaçevski.

Sa i përket çështjes me Bullgarinë dhe integrimeve evropiane, Kovaçevski theksoi se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët për të hequr bllokadën dhe Maqedonia e Veriut të fillojë përfundimisht negociatat me BE-në, gjë që e ka merituar prej kohësh.

“I kemi plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave. Mbetemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje me Bullgarinë fqinje për të vazhduar rrugën tonë evropiane. Pas zgjedhjes për kryeministër, do ta ftoj zotin Petkov për vizitë në vendin tonë. Gjëja më e rëndësishme për ne është që së bashku me qeverinë bullgare të bëjmë një plan për heqjen e bllokadës sa më shpejt që të jetë e mundur, sigurisht me një zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar dhe të angazhuar në biseda me një qasje të sinqertë. Nëse Qeveria e re bullgare ka të njëjtën qasje, besoj se është e mundur të gjendet një kompromis për çështjet e hapura”, tha Kovaçevski.

Ambasadorja Bërnz e uroi Kovaçevskin për zgjedhjen si kryetar i LSDM-së, duke thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë partneri më i madh strategjik i Maqedonisë së Veriut, si në zbatimin e reformave ashtu edhe në procesin e integrimeve evropian.

Që të zgjidhet Kovaçevski, për kabinetin e propozuar qeveritar të Kovaçevskit, duhet të votojnë të paktën 61 anëtarë të Parlamentit. Shumica e re parlamentare e përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, së bashku me BDI-në, Alternativën dhe PDSH-në ka 64 deputetë në Kuvend

Related posts

Çairi, shtëpi e 5 universiteteve

Redaksia

Qeveria propozon ulje të doganave për lëndët e para dhe repromaterialet për industrinë vendore

D V

Raporti për përparimin reformues të Maqedonisë së Veriut do të publikohet sot

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More