Agjencia Zhurnal.mk.

Kovaçevski: Integrimet evropiane janë e ardhmja për gjithë Ballkanin Perëndimor

Shkup, 25 janar – Integrimet evropiane janë e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor. Për vendet e rajonit kjo do të thotë përmirësim i cilësisë së jetës së qytetarëve dhe sigurim në parashikimin e sigurisë dhe stabilitetit, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për gazetën serbe “Politika”.

“Pas luftës në Ukrainë kjo u bë e qartë edhe për Bashkimin Evropian. Ne jemi pjesë gjeografike e Evropës dhe na duhet unitet në politikën e jashtme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e paqes dhe vlerave demokratike. Nuk është aspak larg kjo të arrihet në vitin 2030. Përkundrazi, është një qëllim racional dhe i arritshëm”, tha Kovaçevski.

I pyetur për kontekstin e ndryshimit të Kushtetutës dhe si e parasheh zhvillimin e mëtutjeshëm të eurointegrimeve, Kovaçevski thekson se vendi po hapëron në rrugën evropiane, duke shtuar se është në rrjedhë skriningu bilateral dhe se këtë vit pret një përparim të ri në integrimet evropiane. Pritjet, siç shprehet, i mbështet në përcaktimin e shumicës së qytetarëve të vendit për anëtarësim në BE.

Duke folur për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Shkupit, Kovaçevski u shpreh se në momente të vështira dalin në pah miqësitë e vërteta dhe thekson se pandemia dhe kriza ekonomike botërore kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“Respekti i ndërsjellë krijon bazën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të fqinjësisë së mirë. Bashkërisht i zgjidhim të gjitha sfidat që na imponoi kriza botërore që nga lufta në Ukrainë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai shton se është në kontakt të rregullt, ndonjëherë të përditshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Kjo miqësi jo vetëm që ka befasuar shumë, por besoj se do të shërbejë si frymëzim për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, konsideron Kovaçevski.

I pyetur se si mund të krijohet paqe nga vorbulla e këtyre ngjarjeve në skenën politike botërore dhe nëse ky është një shans për shtetet e vogla si Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat së bashku me Shqipërinë i përkasin nismës “Ballkani i Hapur”, Kovaçevski tha se zgjidhja për çdo çështje të hapur duhet të jetë ekskluzivisht përmes dialogut.

“Është e pakuptimtë që të përdoren armë në shekullin e 21, të vuajnë njerëz të pafajshëm dhe të vihet në pikëpyetje paqja botërore. Është veçanërisht e papranueshme që një shtet më i madh gjeografik të përdorë forcën kundër një shteti më të vogël demokratik, duke tentuar të kërcënoj pavarësinë dhe integritetin e saj territorial”, nënvizoi Kovaçevski.

Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria po përmirësojnë bashkëpunimin rajonal në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” dhe me këtë e forcojnë besimin e ndërsjellë.

“Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë iniciativa rajonale që na afrojnë dhe na inkurajojnë të mbajmë fokusin në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit, si dhe në qëllimin e përbashkët strategjik – integrimin evropian”, theksoi Kovaçevski./Zhurnal.mk

Related posts

Sot edhe 7 shkolla morën kërcënime me bombë, tani kërkojnë nga 15 mijë euro

Z.H

Ndryshimet në ligjin zgjedhor nesër në procedurë parlamentare, partitë tani për tani pa konsensus

D V

Mickoski: Po bëhet e qartë se Kovaçevski dhe Qeveria nuk duan të arrijnë unitet kombëtar

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More