Agjencia Zhurnal.mk.

Kovaçevski: Detyra jonë është të punojmë deri në integrimin e plotë në BE, nuk kemi alternativë tjetër

Shkup, 22 nëntor – Detyra jonë është të vazhdojmë të punojmë me shpejtësi dhe me përkushtim deri në integrimin e plotë në BE, siç bëmë me integrimin në Aleancën e NATO-s. Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë dhe nuk kemi alternativë tjetër, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për media pas përfundimit të takimit joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni.

Kovaçevski informoi se bashkëbiseduesit kanë folur për çështjet aktuale në rajon dhe përkushtimin e Aleancës ndaj stabilitetit dhe sigurisë së tij.

Siç theksoi ai, në takim kanë biseduar për sfidat që janë të lidhura me sigurinë rajonale, megjithatë edhe me sigurinë kibernetike, si çështje që prek të gjithë nga rajoni.

“Diskutuam edhe për sigurinë e rajonit në detaje. Ne garantojmë sigurinë rajonale në tërësinë e saj përmes vendeve anëtare të NATO-s. Kjo siguri dhe stabilitet i vendit dhe rajonit sjell me vete edhe prosperitet ekonomik, për të cilin biseduam edhe me bashkëbiseduesit e sotëm”, tha Kovaçevski.

Sipas kryeministrit, investitorët nga vendet evropiane dhe nga SHBA-ja në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon njohin vendin ku mund të investojnë paratë e tyre dhe në këtë mënyrë të ofrojnë punë më të paguara dhe rritje të standardit të jetesës së qytetarëve.

“Ky është një fakt dhe është i mundur sepse vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, si anëtarë të NATO-s, janë garantues të sigurisë së kësaj pjese të botës. Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit, të cilat janë dëshmuar se janë aleatë të vlerësuar dhe të besueshëm, meritojnë të jenë pjesë e BE-së dhe ne do të përdorim plotësisht potencialin e tyre për përparimin ekonomik të shteteve. Kjo do të thotë rritje e standardit jetësor të qytetarëve, avancim i demokracisë dhe avancim i sundimit të ligjit”, shtoi Kovaçevski.

Ai përmendi se Maqedonia e Veriut është shembull për bashkëjetesë dhe zgjidhje të qetë të kontesteve përmes dialogut, përmes reformimit dhe praktikimit të demokracisë dhe gjithëpërfshirjes në sjelljen e vendimeve.

“Si aleatë, si demokratë, si udhëheqës progresivë, ne po ndërtojmë një rajon të ri dhe po e përmirësojmë vazhdimisht. Kjo definitivisht mund të thuhet për Maqedoninë e Veriut, e cila ka qenë prej kohësh shembull i bashkëjetesës, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut, përmes reformimit dhe praktikimit të demokracisë dhe gjithëpërfshirjes në vendimmarrje”, tha Kovaçevski.

Prandaj, siç theksoi ai, vazhdimi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe.

“Detyra jonë është të vazhdojmë të punojmë shpejt dhe me përkushtim deri në integrimin e plotë në BE, siç bëmë me integrimin në Aleancën e NATO-s. Anëtarësimi në BE është synimi ynë dhe nuk kemi alternativë tjetër. Se a do të jemi atje së shpejti, tani varet vetëm nga ne dhe nga vendimet që duhet t’i marrim në Kuvendin tonë”, tha Kovaçevski.

Related posts

Mexhiti: Gjithçka po shkon sipas planit! Regjimi Ahmeti, Grubi, Osmani do të bie

D V

Top Channel shkruan për “takim të fshehtë” Taravari-Ahmeti, demanton Taravari: Spekulim absolut!

I Z

LSM dhe KOSM bashkë në protestën e 1 Majit nën moton “Ne punëtorët”

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky