Strumicë, 17 tetor – Kandidati për kryetar të Strumicës nga LSDM dhe koalicioni, Kostadin Kostadinov sonte ka shpallur fitore në Strumicë.
Në fjalimin para mbështetësve ka thënë se ai është kryetar i ri i komunës së Strumicës.
“Fituam, arritëm sukses! Dërguam mesazhe se si të bëjmë fushatë dhe të fitojmë zgjedhje me një diferencë prej mbi 4000 votash, pa përmendur pastaj opozitën, pa përmendur kundërshtarin, sepse në fund duhet t’u shërbejmë edhe atyre. Unë do të jem kryetari i të gjithëve, këshilltari i të gjithëve. Dyert tona do të jenë të hapura për të gjithë. Kjo mbështetje e madhe do të thotë përgjegjësi e madhe, do të thotë të jesh i hapur, do të thotë të jesh komunikues nga kryetari deri në funksionin e fundit në kuadër të Komunës së Strumicës. Kjo është fitore e juaj për Strumicën, kjo është fitore për të gjithë vendin”, tha Kostadinovi në fjalimin e tij.
Sipas përllogaritjeve partiake, LSDM ka fituar shumicën në Këshill, ku ka fituar 13 vende, VMRO DPMNE 9 dhe një këshilltar nga një Listë qytetare.