Shkup, 3 dhjetor – Pas pothuajse një orë të kaluar të marrjes së trupave të viktimave nga dy aeroplanë bullgar transportues, filloj transporti i trupave të viktimave nga tragjedia në Bullgari për në banesën e tyre të fundit.
Kortezhi u nis nga aeroporti i Shkupit ku respektin e fundit ndaj viktimave me vendosjen e kurorave të luleve e bënë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.
Në vendosjen e kurorave të luleve të viktimave morën pjesë edhe deputetë si dhe përfaqësues të bashkësive fetare.
Respektin e fundit e dhanë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla.
Kurora lulesh vendosi edhe ambasadori bullgar në vend Angell Angellov, ndërsa në shenjë respekti u përkulen edhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani si dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Trupat e viktimave paraprakisht, nga aeroplanët bullgar u morën nga pjesëtarë të Armatës dhe u sollën deri tek automjetet e varrimit.
Ndërsa, viktimave respekt mund të japin edhe qytetarët në sheshin “Skënderbeu” në Shkup ku janë vendosur kurora lulesh.
Tragjedia në të cilën humbën jetën 45 qytetarë, ndërsa shtatë prej tyre u lënduan ndodhi më 23 nëntor, në autostradën “Struma” në afërsi të qytetit Pernik në Bullgari kur autobusi i “Besa Trans” – Shkup ishte duke u kthyer nga Stambolli.