Agjencia Zhurnal.mk.

Kontribut i madh i mërgimtarëve/ Remitancat po mbajnë gjallë ekonominë

Shkup, 19 nëntor – Të hollat që mërgimtarët po dërgojnë në vendlindje me vite janë një injeksion i fuqishëm për financat e shtetit. Bile më të larta disa herë edhe se investimet e huaja. Kontributi i tyre mund të shikohet, jo vetëm me dërgesat e të holla por edhe gjatë fluksit të madh të avionëve, veturave private dhe autobusëve në muajt e verës, që rrit edhe kontributin në transport. Kjo mund të shikohet edhe me radhët e gjata për pritje për të hyrë në vend ku ndodh që nuk respektohet sa duhet mundi i tyre , me pritjet tejet të gjata në vendkalimet kufitare. Kontributit ekonomiko-financiar mund të vërehet edhe me harxhimet e mëdha për dasma ahengjet familjare, shitblerjen e banesave dhe tokave, rritjen e punës së dyqaneve të ndryshme për fustane, teknikë të bardhë, depot e materialeve ndërtimore, restorantet e dasmave. Profesori i ekonomisë, Neritan Turkeshi thotë se prurjet devizore të mërgimtarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë po lirojnë presionin ndaj kursit të denarit, si dhe i ndihmojnë kompanitë që më lehtë të kapërcejnë krizën, po rrisin konsumin si një nga faktorët kryesor të rritjes ekonomike së bashku me efektet pozitive në gropën e bilancit pagesor.

 

“Dërgesat në euro apo edhe valutat tjera nga jashtë, paraqesin kontribut jashtëzakonisht të madh në bilancin e pagesave të vendit. Ato mbulojnë kryesisht deficitin tradicionalisht të lartë në llogarinë korente të bilancit të pagesave. Në rast të mungesës së këtyre mjeteve , shtetit nevojitet që për shumën e duhur, të sigurojë mjeteve në valutë nga burime të tjera (investimet e huaja direkte, më së shpeshti kredi nga jashtë, etj). Me fjalë të tjera në raport me burimet e tjera financiare, remitencat në valutë vlerësohen si frytdhënëse, për shkak se mjete të pakthyeshme për të cilat nuk paguhen as kamata”, shton Turkeshi.

Për më tepër, shton ai, importi i mallrave në Maqedoninë e Veriut po e zhbën eksportin, apo kemi import shumë më të madhe se eksporti, që ndikon negativisht në bilancin e pagesave të Maqedonisë, sepse minusi në shkëmbimin tregtar me vendet e huaja rrit deficitin e llogarisë korente.

Nga Banka Popullore thonë se remitencat në valutë nga emigrantët dhe punëtorët me punë të përkohshme jashtë vendit janë të rëndësishme për ekonominë e Maqedonisë. Përveç faktit që remitancat janë një burim i rëndësishëm shtesë të ardhurash për disa familje, të cilat përmirësojnë standardin e tyre të jetesës, ato kanë edhe një rëndësi më të gjerë makroekonomike, duke rritur potencialin valutor të ekonomisë. Remitancat janë një burim i rëndësishëm fondesh në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave dhe kontribuojnë në ruajtjen e një deficitit të ulët të llogarisë korente.

Pra , rritja e fluksit të parave nga emigrantët, apo remitancat që klasifikohen në të ardhurat dytësore, ndikojnë pozitivisht dhe pengojnë thellimin e gropës në bilancin e pagesave.

Në ndërkohë, të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se mërgimtarët jashtë vendit dërguan 344.45 milionë euro remitanca në vitin 2021. Kjo është një hyrje e konsiderueshme përmes kanaleve zyrtare si bankat dhe transfertat e shpejta të parave. Sipas Bankës Qendrore, krahasuar me mesataren e dekadës prej vitit 2010 deri në vitin 2020, që si mesatare ishte rreth 180 milionë euro. Një ndryshim ka pasur edhe në vitin 2020 me një hyrje prej 262.04 milionë eurosh. Nga atje shtojnë se është vështirë të saktësohen shuma reale e të hollave që sjellin mërgimtarët, për shkak se një pjesë tyre vijnë edhe si para të gatshme në dorë.

Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se transferet private ku në një pjesë të madhe bëjnë pjesë edhe remitancat apo dërgesat e mërgimtarëve, marrin pjesë me 20.4 për qind në fund të muajit gusht në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Vendit. Gjithashtu, në fund të muajit gusht janë shënuar 638 milionë euro të ardhura sekondare karshi neto të ardhurave në bazë të investimeve të huaja prej 246 milionë euro. Pra, të ardhurat dytësore i referohen edhe të hollave që dërgojnë mërgimtarët, së bashku me ndihmën monetare dhe për mallra të marra nga qeveritë e vendeve të huaja dhe organizatat ndërkombëtare.

Related posts

“Rasti Ëmbla” organizohet peticion online, 400 firma për shkarkimin e drejtorit të shkollës

Z.H

Zaev: Nuk mendoj për dorëheqje

D V

Edhe nesër qytetarët në kryeqytet pa transport publik

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More