Agjencia Zhurnal.mk.

Kontesti Shkup Sofje në agjendën e lartë të Sllovenisë

Shkup, 16 korrik – Presidenti slloven Borut Pahor dje shfaqi shpresë se deri më tetor, kur Sllovenia është nikoqire e samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, mund të arrihet kompromis, i cili do ta hapë derën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

 

“Të gjithë e kuptojmë ndërlikueshmërinë e këtij procesi. Theks i veçantë i është vënë çështjes për kompromis i cili është pranuar nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Ky është një prej rezultateve të rralla të matshme të kryesimit slloven. Nëse kemi sukses në këtë, gjë që nuk do të jetë e thjeshtë, atëherë mund të themi se kemi bërë shumë për zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi do ta përforcojmë besimin në BE, i cili paraprakisht i premtoi Maqedonisë së Veriut se nëse i plotëson të gjitha kushtet lidhur me bllokimin grek, do të marrë “dritë jeshile” për vazhdimin e negociatave”, deklaroi presidenti slloven pas takimit me homologët e tij nga Kroacia, Zoran Millanoviq dhe nga Austria Aleksandar Va nder Belen.

Presidenti kroat theksoi se “Maqedonisë së Veriut nuk duhet t’i vihen kushte të pamundura, të cilat hyjnë në hapësirën intime të kombit”.

“Edhe rreth Ballkanit Perëndimor, edhe rreth Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, unë shumë qartë thashë para një apo dy muajsh, kur është në pyetje Maqedonia e Veriut, por tani disa punë kanë ndryshuar. Pati zgjedhje në Bullgari, shpresoj se kjo do ta lehtësojë situatën dhe se kandidatit të ri dhe pak më të dobët ekonomik Maqedonisë së Veriut, nuk do t’i shtohen probleme dhe t’i vihen kushte të cilat janë të pamundura, gjegjësisht të cilat hyjnë në hapësirën intime të kombit”, shtoi Millanoviq.

Shefi i shtetit slloven sqaroi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje shumë e rëndësishme gjeopolitike, në të kundërt, sipas qëndrimeve të tij paraprake, “disa lojtarë të tjerë do të hyjnë në këtë hapësirë të Evropës jugperëndimore”.

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe presidenti austriak, Van der Belen, i cili vlerëson se “ky është një ndër prioritetet, para së gjithash, për shkak të arsyeve historike, ekonomike dhe familjare”, duke thekuar se kjo është çështje e rëndësishme për Austrinë

Siç tha dje ambasadori slloven në vend, Millan Predan, Presidenca sllovene me BE-në në agjendën e saj të lartë do ta vendosë zgjidhjen e kontestit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Ambasadori slloven në fjalimin në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Nacional për Integrimeve Evropiane dhe në Komisionin për Çështje Evropiane në Kuvend, tha se Sllovenia do të angazhohet që të fitohet sa më shpejtë pasqyrë më e qartë për pozicione të caktuara dhe nuk do të dëshironin të prisnin deri në dhjetor, por nëse ka mundësi para kësaj ta zgjidhin këtë çështje.

Sipas ambasadorit slloven nevojitet vullnet politik dhe pragmatizëm nga të dy palët. Ai tha se nuk mund të premtojnë mrekulli politike, pasi, siç tha, në politikën ndërkombëtare atë që mund ta premtojmë është puna e mundimshme, diplomacia e qetë.

Predan paralajmëroi se një nga prioritetet më të rëndësishme të kryesimit të Sllovenisë do të jetë zgjerimi i BE-së me vendet nga Ballkani Perëndimor.

“Kjo do të jetë shumë lart në agjendën tone. Ngjarja jonë kryesore në nivel të lartë që planifikojmë ta bëjmë, do të jetë samiti BE – Ballkani Perëndimor, në Bërdo më 6 tetor dhe sinqerisht shpresojmë se atëherë më do të kemi, nëse jo vendim, të paktën një perspektivë të pastër, respektivisht pikëpamje të pastër se si çështja me Sofjes dhe Shkupit mund të zgjidhet”, tha Predan.

Ambasadori potencoi se Sllovenia, pas tentimeve të dy kryesimeve paraprake, të Gjermanisë dhe të Portugalisë, do të bëjë tentim të tretë që të zgjidhet çështja mes Shkupit dhe Sofjes, duke e shikuar situatën politike në fqinjësi dhe duke shfaqur shpresë se Sofja do të formojë Qeveri të re.

Sipas tij, propozimi i presidencës portugeze, i cili është tashmë propozim i Presidencës, është propozim i mirë i balancuar i cili kujdeset për të dyja palët dhe se zgjidhja e kësaj çështje ka anën e mirë se nuk fillohet nga zero.

Ai është optimist se mund të arrihet ndonjë marrëveshje edhe në Komisionin e përbashkët për Çështje Historike.

Ai në fund shtoi se për zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë tashmë ka disa ide në tavolinë, pa hyrë në detaje, duke ia lënë atë, siç tha, diplomacisë së heshtur.

Euroambasadori Dejvid Gir, tha se e kupton dëshpërimin e qytetarëve gjatë muajve të kaluara, për shkak të mos’hapjes së negociatave për anëtarësim. Ai i përshëndeti të gjitha përpjekjet e kryesive paraprake lidhur me hapjen e negociatave dhe me këtë rast do ta përkrahin edhe Slloveninë, që sa më shpejtë të arrihet deri te vendimi.

“Ne ju përkrahim dhe ju inkurajojmë. Bashkimi Evropian është këtu për Maqedoninë e Veriut, ishte edhe gjatë kohës së pandemisë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe në ato ekonomike edhe në aspektin investues”, tha Gir.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Komisionit për çështje evropiane dhe të Këshillit nacional për euro-integrime e uroi Slloveninë për marrjen e udhëheqësisë me Këshillin e BE-së, por edhe për fokusin e fuqishëm drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, për iniciativën që ta organiojnë Samitin BE-BP, i cili do të përfshijë rema të rëndësishme siç janë: zbatimi i planit investues ekonomik, iniciativa për ndërlidhje rajonale dhe mundësia për përfshirjen e rajonit në Konferencën për të ardhmen e BE-së.

“Marrja e udhëheqësisë me Këshillin e BE-së, nga ana e Sllovenisë vjen në një moment mjaftë të rëndësishëm për vetë BE-në, e cila vazhdon të ballafaqohet me sfida të shumta, mes të cilave gjithsesi edhe ngecja e politikës së zgjerimit dhe nevojës për riafirmimin e perspektivës evropiane për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor,” theksoi Osmani.

Ai theksoi se në periudhën që është para nesh, do të vazhdojmë të japim rezultate nga reformat me shenjën e BE-së, të cilat janë në dobi të qytetarëve tanë si dhe të investojmë në raportet e mira ndër-fqinjësore, sepse në fund e vetmja konstantë është gjeografia dhe e kemi të pamundur ta ndryshojmë.

“Vetëm me një vështrim në hartë të Evropës bëhet e qartë dhe logjike se rajoni me të vërtetë është pjesa që mungon për bashkimin e kontinentit. Kjo pa dyshim se do të ndodhë herët apo vonë” tha Osmani, me shpresë se do të shkurtohet shtyrja e panevojshme, që gjithsesi është në interes të ndërsjellë.

Kryesimi slloven me Këshillin e BE-së, i cili filloi nga 1 korriku bazohet në katër prioritete – Rezistencë, rikuperim dhe autonomi strategjike të BE-së; Konferencën për ardhmërinë e Evropës; Mënyrën evropiane të jetesës, sundimit të së drejtës dhe kriteret e barabarta për të gjithë; BE kredibile dhe e sigurtë, e aftë që të garantojë siguri dhe stabilitet në fqinjësinë e saj.

Njëkohësisht, kryetari i Kuvendit, Xhaferi dje në foltoren e Kuvendit njoftoi se Rezoluta e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja për rrugën e integrimeve evropiane dhe linjat e kuqe nacionale është pranuar në Parlament dhe sipas gjitha gjasave materialet për të do të dërgohen te deputetët dhe ajo do të mund të gjendet në rend dite në mbledhjen e ardhshme.

“Rezoluta është pranuar në Kuvend dhe është në përgatitje të shpërndahet te të gjithë deputetët. Sipas Rregullores, për aktet të cilat nuk janë sistemuar te deputetët nuk mund të fillohet procedurë kuvendore. Shpresoj se deri javën e ardhshme do të jetë gati gjithë materiali. Nuk ka filluar procedura ligjore për dokumentin përkatës”, tha Xhaferi duke u përgjigjur në vërejtjen procedurale të koordinatorit nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së i cili në fillim të seancës së 46-të kërkoi Rezoluta të vendoset në rend dite.

Micevski tha se në opinion ka pasur interesim të madh për këtë dokument.

“Kjo rezolutë e cila shkaktoi interesim të madh në opinionin e Maqedonisë dhe mundësi të diskutojmë në Kuvend në kontekst të bllokadave në integrimet evropiane. Kjo rezolutë është dokument i mirë sepse mund të kemi veprim tjetër obligues sipas vullnetit të deputetëve, ndërsa për Qeverinë mund të vlejë përshkrim i kornizave të këqija në të cilat ajo mund të bisedohet por me respektim të linjave të kuqe në të cilat janë përmbajtur interesat shtetërore dhe nacionale”, tha ai.

VMRO-DPMNE-ja kërkon Rezoluta, e cila ka mbështetjen e pjesës më të madhe të partive politike të përfaqësuara në Kuvend, të jetë e detyrueshme për secilën qeveri të ardhshme, të negocioohet në mënyrë të barabartë dhe të mos kushtëzohet dhe të respektohet gjuha, historia dhe identiteti maqedonas.

Deputeti Antonio Milloshovski pardje deklaroi se përmbajtja e rezolutës është serioze dhe mbipartiake dhe është mire të mbështetet nga të gjithë, duke i bërë thirrje LSDM-së që të përqendrohen të gjithë në përmbajtjen e saj dhe më shpejtë të vendoset në rend dite në Kuvend.

Related posts

Dita e fundit për parashtrimin e kandidaturave për zgjedhjet lokale më 17 tetor

D V

Komuna e Çairit fillon me dezinfektimin e hapësirave shkollore

Z H

Danimarka i dhuroi dy milionë vaksina “Astra Zeneka” Ballkanit Perëndimor, për Maqeodninë e Veriut 250.000 doza në dërgesën e parë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More