Shkup, 28 shtator – Është e vërtetë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe ju duam afër nesh. Komisioni Evropian dhe unë vetë, qëndrojmë në atë se ju keni arritur një avancim të jashtëzakonshëm dhe duam të jem e qartë se tani BE-ja e ka radhën, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian Ursulla fon der Lajen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev pasdite në Shkup.
Fon der Lajen shfaqi mbështetje të plotë për hapjen formale të negociatave aderuese me vendin sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Plotësisht e mbështes hapjen formale të negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Mos e humbni besimin, keni kaluar gjithë atë rrugë, keni arritur përparim të madh. Keni mbështetje nga shumë miq në BE dhe le të punojmë shumë për të mbajtur atë konferencë të parë, që do të jetë qëllimi ynë i përbashkët”, tha Fon der Lajen.
Kryetarja e KE-së i përshëndeti reformat që shteti i zbaton, veçanërisht, siç tha, në fushën e qeverisjes së të drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se është e rëndësishme të vazhdohet ai përparim, duke shprehur besimin se do të shpërblehet.
Ajo theksoi se BE-ja dhe Maqedonia e Veriut i bashkojnë forcat, veçanërisht në luftën kundër Kovid-19, duke shtuar se ajo betejë nuk ka përfunduar dhe duke bërë thirrje për vaksinimin e popullatës si dalje e vetme nga pandemia, Fon der Lajen i uroi Maqedonisë së Veriut që ishte vendi i parë në rajon që u përfshi në kovid certifikatën e BE-së, duke shtuar se kjo është shumë me rëndësi për përforcimin e turizmit.
Kryetarja e KE-së olrkujtoi se Unioni deri më tani i ka dorëzuar 325.000 vaksina Maqedonisë së Veriut, por se ky proces do të vazhdojë dhe vendi pret arritje të dozave të reja të vaksinave.
Kryeministri Zaev në konferencë për shtyp theksoi se në takim me Fon der Lajen shfaqi shpresë se liderët e vendeve anëtare të BE-së do ta riafirmojnë deklaratën nga Bërdo, për angazhim më të fuqishëm për ribashkimin e rajonit drejt Unionit.
Zaev nënvizoi se bllokimi i këtij procesi nuk është në frymën e këtij angazhimi dhe se çdo vazhdim i bllokadës inkurajon forcat retrograde që kundërshtojnë pranimin në BE.
“Vlerat evropiane të BE-së janë edhe vlera të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe direkt sillen në pikëpyetje për shkak të kësaj bllokade. Ne i kemi bërë të gjitha hapat e nevojshme dhe presim që Bullgaria ta zhbllokojë procesin dhe ta miratojë kornizën negociuese”, tha Zaev.
Zaev përkujtoi se vendi edhe deri më tani ka treguar gatishmëri dhe kontribut konstruktiv, por theksoi se çështjet identike nuk mund të jenë subjekt i negociatave.
Kryeministri Zaev dhe kryetarja Fon der Lajen e nënshkruan Memorandumin për mbështetje, gjegjësisht këstin e parë prej 2,.6 milionë eurove dedikuar për Maqedoninë e Veriut prej gjithsej 15 milionë eurove si mbështetje buxhetore për arsim dhe punësimin e të rinjve.
Fon der Lajen pasdite, do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe do të marrë pjesë në një darkë të organizuar nga kreu i shtetit në prani të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Shkupi është stacioni i dytë i Fon der Lajen në turneun e saj në Ballkanin Perëndimor, i cili synon të riafirmojë angazhimin e BE -së në rajon. Paraprakisht sot, ajo ishte në Tiranë dhe do të vizitojë të gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor deri më 30 shtator.
Ndërkohë, pas konfuzionit që u shfaq me deklaratën e Von der Layen për ndarjen e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë për fillimin e negociatave me BE, Komisioni Evropian konfirmoi këtë pasdite se pozicioni i tyre nuk ka ndryshuar, tha korrespondentja e MIA -s nga Brukseli. Kryetarja e KE-së u pyet këtë mëngjes në Tiranë për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, të cilës ajo iu përgjigj se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe se gjithçka po bëhet për të kapërcyer pengesat.
Në brifingun e rregullt për gazetarët në Komisionin Evropian, sot zëdhënësit e saktësuan këtë deklaratë.
“Kryetarja nxit për mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti”, deklaroi Dana Spinant, zëdhënëse e KE-së.
Vizita në rajon e shefes së KE-së vjen një javë para Samitit BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni me udhëheqësit rajonalë. Bashkimi Evropian këmbëngul se ky samit nuk do të jetë një “samit i zgjerimit”, por një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet e BE-së dhe rajonit. Një ditë pas vizitës së Fon der Lajen, nesër në Shkup do të vijë eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhei, i cili javën e kaluar ishte në Bullgari ku bisedoi për tejkalimine bllokadës bullgare për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut në BE.