Shkup, 19 tetor – Konferencë me rastin “10 vite Kornizë kombëtare të kualifikimeve” do të mbahet sot në Shkup në organizim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku, siç u paralajmërua, do të bëhet fjalë për përfitimet dhe arritjet më të rëndësishme në këtë sferë në dekadën e kaluar, ndërsa do të ndahen edhe përvojat dhe rekomandimet e ekspertëve të shquar nga vendet e Bashkimit Evropian.
MASH, në paralajmërimin e konferencës, potencoi se vendi gjatë dhjetë viteve të kaluara ka punuar në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili në thelb është një nga parakushtet për integrimin në Bashkimin Evropian dhe me sukses u vendos Korniza kombëtare e kualifikimeve, si standard kombëtar për rregullimin e përfitimit dhe shfrytëzimit të kualifikimeve dhe e cila u harmonizua me Kornizën evropiane të kualifikimeve.
“Falë përkushtimit të madh të më shumë institucioneve dhe organeve, institucionet arsimore dhe odat e komunitetit të biznesit, të koordinuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes Njësisë për kornizë kombëtare të kualifikimeve dhe Këshillit kombëtar për KKK, shteti ka fituar një instrument të rëndësishëm për komunikim dhe reforma dhe vegël për besim dhe përkrahje të krijuesve të politikave, të punëdhënësve, pjesëmarrësve në procesin e mësimit, prindërve, bartësve të kualifikimeve dhe aktorëve tjerë në ndërtimin e sistemit të kualifikimeve”, thuhet në kumtesën e MASH-it.
Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, thuhet në kumtesë, vazhdon të zhvillohet dhe me rëndësi të veçantë është kontributi i ekipit në kuadër të projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja për uzbatimin e mëtejshëm të Kornizës kombëtare të kualifikimeve, me ekspertizën e të cilit dhe transferimin e praktikave dhe përvojave të mira nga vende të tjera, përmirësojmë transparencën dhe njohjen e kualifikimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe BE.