Agjencia Zhurnal.mk.

Konferencë e BP: Fintek-sektori gjithnjë e më shpejtë po zgjerohet në industrinë e pagesave

Shkup, 9 dhjetor – Rreth 90 për qind e kompanive dhe institucioneve në vend janë të vetëdijshëm për përfitimet e digjitalizimit për shërbimet financiare, ndërsa mbi 70 për qind investojnë në transformimin digjital, u theksua në fillim të Konferencës së 13-të për pagesat dhe infrastrukturën e tregut, e organizuar tradicionalisht nga Banka Popullore.

“Fintek-sektori po zgjerohet me shpejtësi në industrinë e pagesave, i cili po kërkon mënyra të reja për të ulur shpenzimet, për të rritur sigurinë dhe për të përmirësuar përvojën e klientit. Detyra e rregullatorëve është të krijojnë një mjedis të përshtatshëm, të rregulluar që do të mundësojë zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja fintek, ndërsa njëkohësisht do të mbrohen konsumatorët dhe ruajtja e stabilitetit të sistemit financiar, thanë pjesëmarrësit në konferencën e titulluar “Pagesat në epokën digjitale: nga brenda jashtë”.

Në hapjen e tubimit, të organizuar me mbështetjen e Bankës Qendrore të Holandës, folën guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, Guvernatori i Bankës së Holandës, Klas Knot dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Angellovska-Bezhoska tha se përparimet në teknologji hapin dyert për shërbimet inovative digjitale në financa, por për të zhbllokuar vlerën e saj të vërtetë për bizneset dhe konsumatorët, rregullatorët duhet të luajnë rolin e tyre.

Ajo theksoi se mangësitë në rregullore kanë të bëjnë kryesisht me fushat që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, mbrojtjen e të dhënave dhe sistemin e pagesave, të cilat do të mbulohen me Ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, i cili inkorporon direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në fushën e pagesave.

Në fjalimin e tij, Guvernatori Knot foli për disa tendenca pagesash, si përdorimi i parave të gatshme, zhvillimi i kriptomonedhave dhe monedhave të qëndrueshme, përdorimi i bazave të të dhënave të mëdha dhe inteligjencës artificiale, si dhe theksoi mundësitë dhe rreziqet për secilën prej tyre.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjatë konferencës theksoi se me zhvillimin e tregut të shërbimeve financiare do të rritet konkurrenca, gjë që do t’i inkurajojë bankat dhe institucionet tjera financiare që të jenë më aktive në aplikimin e inovacioneve teknologjike në sektorin financiar.

Sipas tij, me rritjen e teknologjive të reja të pagesave digjitale, konsumatorët dhe tregtarët do të kenë një gamë të gjerë të produkteve të pagesave dhe pritet që kompanitë fintek të prezantojnë metoda të reja, inovative për pagesa që do të kenë qasje të lehtë.

Konferenca për pagesat dhe infrastrukturën e tregut do të zhvillohet sot dhe nesër dhe gjatë kësaj kohe politikëbërësit dhe ekspertët do të ndajnë mendime dhe do të diskutojnë tendencat dhe sfidat më të fundit që dalin nga ndikimi i teknologjive të reja në tregun e shërbimeve të pagesave, duke ndryshuar zakonet për pagesat në epokën digjitale, mundësitë dhe sfidat e bankingut të hapur, transformimet e udhëhequra nga kompanitë fintek, siguria në hapësirën digjitale, si dhe monedhat digjitale të lëshuara nga bankat qendrore.

Konferenca ka karakter ndërkombëtar, me praninë e përfaqësuesve të Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore kombëtare të Bashkimit Evropian, Rezervave Federale të SHBA-së, bankave qendrore të rajonit, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, bankave të huaja tregtare, rregullatorëve vendas, sektorit vendas bankar, si dhe institucionet jobankare vendase dhe të huaja që janë palë të interesuara në fushën e shërbimeve të pagesave.

Related posts

Zajkova: Legalizimi i kanabisit nuk do të thotë që të gjithë do të bëhen të varur nga droga

D V

Mexhiti: Ne të VLEN-it jemi me Albin Kurtin, por ju të BDI-së jeni me Kurto Dudushin (VIDEO)

Redaksia

Sllavjanka Petrovska fiton gjyqin ndaj Dragan Kovaçkit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy