Agjencia Zhurnal.mk.

Kompanitë frymojnë “në verza”, kërkojnë aktivizimin e rezervave të mallrave

Shkup, 13 prill – Që të shmangin kolaps total dhe mbyllje të tërësishme kompanitë kërkojnë nga Qeveria që t’i aktivizojë rezervat e mallrave dhe të mundësojë që ndërmarrjet e mesme të hyjnë në tregun e rregulluar për energji elektrike. Biznesi paralajmëron se po marrin frymë “në verza” dhe ju vjen keq që masat e deritanishme për mbështetje kryesisht janë të fokusuara drejt amvisërive dhe qytetarëve.

 

Siç ishte thënë në debatin e sontëm në TV Tellma në të cilin morën pjesë kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, Goran Gerogievski nga Lidhja e Odave Ekonomike dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, prej tre në 11 për qind janë rritur të gjitha shpenzimet operative të kompanive.

Sipas ministrit Bekteshi, për momentin nuk ka nevojë për aktivizim të rezervave, as të naftës, as të mallrave, por nëse ka goditje plotësuese të çmimeve në pjesën e inputeve, Qeveria është e gatshme të sjellë masa plotësuese që ta zbusë goditjen.

“Deri më tani nuk ka nevojë të lëshohen rezervat shtetërore edhe në pjesën e naftës dhe mallrave, sepse ka furnizim të vazhdueshëm me lëndë të parë. Prodhuesit thonë se kanë rezerva të mjaftueshme, ndërsa ne marrim masa në pjesën e çmimit. Nëse është e nevojshme dhe nëse do të ketë goditje shtesë të çmimeve në pjesën e inputeve, jemi të gatshëm të marrim masa shtesë për zbutjen e goditjes”, theksoi ministri, duke shtuar se këtë javë pritet të shfuqizohet ndalesa për eksportin e naftës serbe.

“Po hyjmë në vitin e tretë të krizës. Është e pamundur që biznesi të funksionojë siç duhet. Me ngrirjen e marzheve u paraqitën probleme me furnizimin me produktet bazë dhe kompanitë kur nuk mund të furnizoheshin dhe të kishin mbulim të paktën të shpenzimeve, vendosën të mos furnizoheshin dhe të punonin me humbje. Interpretimi i Ligjit të ngrirjes së marzhit në terren kishte një pamje të ndryshme. Kufizimi i marzheve është një gjë, ndërsa nxitja e funksionimit të biznesit është tjetër gjë. Ne nuk mund të funksionojmë me kufizime të tilla. Fokusi i Qeverisë ka qenë gjithmonë te amvisëritë dhe qytetarët, ndërsa ne si sektor biznesi jemi të ekspozuar në atak edhe pse ne jemi ata që punësojmë dhe krijojmë rritje dhe zhvillim. Prodhimi është në një situatë shumë të vështirë, duhen zgjidhje për të shmangur kolapsin dhe mbylljen e kompanive”, nënvizoi Hoxha.

Për këtë ministri Bekteshi tha se nga 1 marsi pranohen të gjitha inputet plotësuese që i kanë prodhuesit, ndërsa deri më 31 maj janë konfirmuar vetëm marzhat e fitimit. Qëllimi është, theksoi, askush të mos punojë me humbje.

“E keni fjalën për të javën e parë të marsit, tashmë është mesi i prillit dhe gati një muaj e gjysmë kjo masë është zbatuar dhe nuk kemi ankesa nga tregtarët. Nuk përfshihen të gjitha llojet e miellit dhe pastave, nga asortimenti i plotë i një marketi, nuk janë as dy-tre për qind e produkteve. Prandaj, masat janë të targetuara dhe të vlerësuara si nga Banka Botërore ashtu edhe nga FMN-ja”, theksoi Bekteshi.

“Kompanitë marrin frymë ‘në verza’. Ka ardhur koha në të cilën secili ia del si di dhe mundet. Biznesi vuan më së shumti për momentin. Nuk kemi ku, po godasim murin, nuk ka variant daljeje. Lëndët e para që vijnë janë shumë të shtrenjta, 34 denarë është një kilogram miell ose 550 euro një ton, kurse rryma është 300 për qind më e lartë se vitin e kaluar. Çmimi i vajit është shumë i lartë si input, 50-60 denarë ishte para një viti, ndërsa tani është 130 denarë”, tha Gerogievski.

Sipas tij, nëse aktivizohen rezervat e mallrave, do të mundësohet tejkalimi i krizës me pasoja më të vogla.

Related posts

Pandemia ka përkeqësuar shëndetin mendor

Xh M

“Gostivari qe dua”, te rinjte vendosin “LOJRA FATI” përpara zyrave të Taravarit

Redaksia

Koment: Programi i Qeverisë duhet të jetë më i rëndësishëm për qytetarët, se emrat e ministrave në kabinetin e Kovaçevskit

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More