Shkup, 5 janar – Janë miratuar 63 masa dhe politika që duhet t’i përmbushim për realizimin e ambicjes lidhur me Marrëveshjen e Parisit. Sa i përket ndotjes së ajrit, e kemi miratuar ligjin shtesë për kualitetin e ajrit ambientor me çka kemi definuar masa për vetqeverisje lokale të cilat duhet të ndërmeren gjatë periudhave kur ndotja arrinë kulmin. Kështu shprehet ministri për ambient jetësor, Naser Nuredini në një intervistë për MIA-n, shkruan Zhurnal.
Mirëpo, siç shton më tej Nuredini në intervistë, sa i përket ndotjes së ajrit, në listën e fajtorëve në krye të listës gjithsesi janë vet qytetarët të cilët më së shumti e ndoteshkan ajrin. Si fajtor kryesor për ndotjen e ajrit sipas ministrit, janë qytetarët dhe mënyra se si ngrohen ata.
Në këto ditë të ftohta dimri kur gati në çdo të tretën shtëpi ka një fëmijë apo një person i sëmurë, e kur në pjesën dërmuese të vendbanimeve shqiptare qytetarët nuk kanë rrymë fare apo e kanë fare të dobët, ose kanë pjesërisht, ministri Nuredini tani kërkon që qytetarët të mos ngrohen me dru sepse e ndoteshkan ajrin, ani pse temperaturat janë gati se zero.
Derisa vet Nuredini dhe gati të gjithë funksionarët politik banojnë në lagje luksoze dhe në vendbanime ku kanë harruar kur për herë të fundit kanë patur problem me rrymën, ai kërkon qytetarët të mos ngrohen me dru por me rrymë, por ai harron se pjesa dërmuese e qytetarëve shqiptarë kanë probleme me rrymën. Sipas kësaj gjendje faktike, qytetarët duhet të ngrihen dhe të vdesin nga i ftohti, vetëm e vetëm mos ta ndotin ajrin.
Madje, në këtë periudhë kur shteti dhe e gjitë bota është në krizë pandemie, krizë ekonomike, krizë me gazin, krizë me rrymën, shteti vendosi që të shtrenjtojë rrymën për 9,48% si dhe ngrohjen qendrore për mbi 14%. Kështu, qytetarët lëre që kanë problem me rrymën, por atë duhet ta paguajnë për rreth 10-15% më shtrenjtë.
Në Maqedoninë e Veriut, rreth 49% e amvisërive ngrohen me dru gjatë dimrit. Mjeti i dytë është energjia elektrike e cila përdoret nga 31% e amvisërive. Statistikat e fundit ndoshta janë më të ultat gjatë viteve dhe dekadës së fundit sepse në të kaluarën, shumë më shumë amvisëri janë ngrohur me dru. Por në të kaluarën, qytetarët nuk mbajnë mend të jetë folur për ndotjen e ajrit.
Në Maqedoni, udhëheqësit politik, në veçanti ministri Nuredini duhet ta dijë se ka pandemi e shkaktuar nga Covid. Simptomat ashtu sikurse të gjithë qytetarët, duhet t’i dijë edhe vet ministri Nuredini. Covid shkakton probleme në frymëmarje ndërsa disa nga të infektuarit, pranojnë oksigjeno terapi në shtëpi. Nga mungesa e rrymës, së fundmi ka ndodhur që qytetarë të sëmurë madje të humbin jetën. Ata nuk kanë mundur të pranojnë terapinë e nevojshme sepse shteti nuk u ka siguruar atyre rrymë. E nga ana tjetër Nuredini kërkon që qytetarët të mos përdorin as dru për ngrohje.
Qytetarët do ta kishin mirëpritur këtë porosi nga Nuredini nëse të gjithë do të ishin të barabartë me kushte të jetës, me kushte të ngrohjes, dhe me fatura më të ulëta për pagesë. Askush nuk dëshiron ajri të ndotet, askush nuk dëshiron të përdorë dru nëse i ka kushtet e nevojshme për t’u ngrohur me rrymë. Nga subvencionimi për blerjen e inverterëve, shumë qytetarët shfrytëzuan rastin dhe i hoqën koftorët nga shtëpia, dhe blenë inverterë. Ata kontribuan maksimum për mos ndotjen e ajrit dhe kishte efekt, mirëpo nëse të njejtët qytetarët kanë mungesë të rrymës, si do të binden të mos përdorin ngrohjen me dru? Fundja çdokush shikon shëndetin e vet dhe familjes së vet, nëse ata sëmuren nga i ftohti (nga mungesa e rrymës), kujt do t’i interesonte ndotja e ajrit?
Qeveria dhe ministri Nuredini duhet të angazhohen më tepër për kushtet elementare të qytetarëve të cilët kanë probleme të shumta me rrymën. Qeveria dhe ministri Nuredini duhet t’u dalin ballë nevojave të qytetarëve për një jetë të thjeshtë gjatë temperaturave të ulëta e jo të kërkojë të mos ngrohen me dru. Ministri Nuredini le të provojë së paku 1 javë le të qëndrojë mysafir në familjet e Dizhonit, familjet e GaziBabës, Duqanxhikut, familjes e Hasanbegut, Shuto Orizares, dhe le të mos ngrohet me dru, pa të shikojë se sa vështirë e kanë ata banorë.
Qytetarët kanë halle të mëdha me rroga të ulëta, harxhime të larta, shtrenjtime të produkteve, shtrenjtim të rrymës, shtrenjtim të ngrohjes qendrore, mungesë të rrymës, kriza me pandeminë, e shumë shumë halle tjera. Ministri Nuredini dhe e gjithë Qeveria të angazhohet së pari t’i zjgidhë gjithë këto probleme e pastaj edhe qytetarët do të kenë vullnet për të mos e ndotur ajrin…!!//Zhurnal.mk