Futbollistët sot në Razgrad me duelin kundër Bullgarisë fillojnë ciklin e ri në Ligën e Kombeve.
Selektori Bllagoja Milevski për këtë dhe tri ndeshjet e tjera paralajmëroi se do t’u japë më shumë minuta lojtarëve më të rinj nga të cilët pret të tregojnë potencialin e tyre të plotë.
“Çdo ndeshje e re është sfidë e re. Ne fillojmë me probleme dhe lojtarë të dëmtuar, por kemi shans për të kontrolluar aftësitë e të gjithë lojtarëve të ftuar. Bullgaria është ekip cilësor, ka lojtarë të mrekullueshëm. Çdo ndeshje është e ndryshme, duhet të kesh plan për të përmbushur. Megjithatë, edhe kundërshtari interesohet dhe do të shohim se çfarë do të na sjellë ndeshja. Ndihem krenar kur djemtë tregojnë potencialin e tyre në fushë. Është kënaqësi të punosh me ta si karaktere, djem dhe futbollistë. Jemi në drejtimin e duhur”, deklaroi Milevski në konferencën për shtyp për këtë ndeshje.
Në shtatë ndeshjet e deritanishme të ndërsjella, të gjitha me karakter miqësor, reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut ka dy fitore, i Bullgarisë ka katër fitore derisa një ndeshje ka përfunduar me barazim.
Në grupin e katërt në segmentin “C”, përveç reprezentacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, janë edhe reprezentacionet e Gjeorgjisë dhe Gjibraltarit.
Liga e Kombeve është garë përmes së cilës mund të sigurohet paraqitje në Kampionatin Evropian 2024. Për këtë duhet të fitohet vendi i parë në grup dhe të fitohet në plej-of.