Kina do të vazhdojë të ndërmarrë hapa praktikë për të mbështetur vendet në zhvillim, tha të premten kryeministri kinez Li Qiang në ceremoninë e mbylljes të Samitit për një Pakt të Ri Global të Financimit.
Ky samit, i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Makron në Samitin G20-ës në Bali nëntorin e kaluar, kishte për qëllim të eksploronte statusin aktual dhe perspektivat e veprimit të klimës dhe reformës së sistemit financiar ndërkombëtar.
Ceremonia e mbylljes tërhoqi mbi 60 krerë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare, duke përfshirë presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe Kryeministrin e Pakistanit Shehbaz Sharif.
Veprimi për ndryshimin e klimës
Liderët që morën pjesë në këtë samit kërkuan përpjekje të përbashkëta për të luftuar ndryshimet klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit, adresimin e problemeve të borxhit të vendeve në zhvillim dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në mbarë botën.
Vendet e pasura kanë finalizuar një premtim të vonuar për financimin e klimës për vendet në zhvillim me vlerë prej 100 miliardë dollarësh dhe kanë krijuar një fond për biodiversitetin dhe mbrojtjen e pyjeve, tha Makron të premten.
Kina po promovon aktivisht një tranzicion të energjisë së gjelbër dhe me karbon të ulët, duke marrë pjesë në një mënyrë të përgjegjshme në promovimin e tranzicionit global të energjisë dhe adresimin e ndryshimeve klimatike, tha Li të enjten kur u shpreh për tranzicionin energjetik.
Reforma e sistemit financiar
Në fjalën e tij përmbyllëse, Makron tha se kishte një konsensus për reformimin e organeve financiare globale si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për t’i bërë ato “më efikase, më të drejta dhe më të përshtatshme për botën e sotme”.
Li u bëri thirrje gjithashtu organeve financiare që të përfundojnë një raund të ri reformash mbi kuotat dhe të drejtat e votës dhe të shtojnë zërin e tregjeve dhe vendeve në zhvillim.
Kina, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, shtyn për liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve dhe kundërshton proteksionizmin, shkëputjen dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit në çdo formë, shtoi Li.
Kryeministri kinez zgjodhi Evropën si udhëtim i parë i tij që nga marrja e detyrës dhe i tha presidentit Makron se Kina dhe Evropa kanë pikat e tyre të forta dhe nevojën për të forcuar më tej bashkëpunimin.
Kina dhe Evropa duhet të përballen me pasigurinë e situatës ndërkombëtare, me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve kino-evropiane, duke promovuar së bashku zhvillimin e qëndrueshëm të njerëzimit, tha ai në samit.