Agjencia Zhurnal.mk.

Kina lëshon modulin kryesor të stacionit të vet hapësinor

Kina dërgoi të enjten në hapësirë modulin kryesor të stacionit të saj hapësinor, duke nisur një varg misionesh lëshimi, me synimin për të përfunduar ndërtimin e stacionit hapësinor deri në fund të vitit të ardhshëm.

 

Raketa “Marshimi i Madh-5B Y2”, që mbante modulin “Tianhe”, u nis nga vendi i lëshimit Wenchang në provincën ishullore Hainan në 11:23 të paradites sipas orës së Pekinit.

“Tianhe” do të shërbejë si nyjë e menaxhimit dhe e kontrollit të stacionit hapësinor “Tiangong”, që në gjuhën kineze do të thotë “Pallati Qiellor”. Moduli mund të mbajë deri në tre anije kozmike në të njëjtën kohë për qëndrime të shkurtra, ose dy për një kohë të gjatë.

“Tianhe” ka një gjatësi të përgjithshme prej 16.6 metrash, diametër maksimal 4.2 metra e një masë ngritjeje 22.5 tonë, dhe është anija kozmike më e madhe e prodhuar nga Kina

Stacioni hapësinor do të ketë formë T-je, me modulin kryesor në qendër dhe nga një kapsulë laboratorike në secilën anë. Secili modul do të jetë mbi 20 tonë. Kur stacioni të lidhet me anijet kozmike me astronautë ose ato të mallrave, pesha e tij mund të arrijë afro 100 tonë.

Stacioni do të funksionojë në orbitën e ulët të Tokës në një lartësi 340 deri në 450 km. Ai ka një jetëgjatësi të projektuar prej 10 vjetësh, por ekspertët besojnë se, me mirëmbajtjen dhe riparimet e duhura, mund të zgjasë më shumë se 15 vjet.

Moduli kryesor “Tianhe” do t’u ofrojë astronautëve gjashtë zona, përkatësisht për punë, fjetje, higjienë, ngrënie, kujdes shëndetësor dhe stërvitje.

Astronautët mund të kontrollojnë ndriçimin e kabinës dhe pajisjet e kuzhinës nëpërmjet një aplikacioni dhe t’i telefonojnë njëri-tjetrit, ose të komunikojnë me Tokën me anë të valëve. Banda e gjerë me kapacitet të madh mund të mbështesë gjithashtu transmetimin e një vëllimi të madh të të dhënave eksperimentale në Tokë.

Shpejtësia e madhe e rrjetit hapësirë-Tokë do t’u lejojë gjithashtu inxhinierëve të ngarkojnë programe të modifikuara softuerësh në stacionin hapësinor.

Si themel i stacionit, “Tianhe” do t’i ndihmojë inxhinierët kinezë të hapësirës të kryejnë verifikimin e teknologjive kryesore, duke përfshirë krahët diellorë elastikë, montimin e mirëmbajtjen në orbitë dhe, mbi të gjitha, një sistem të ri të sigurimit të mbijetesës.

Mbarështimi i farërave, studimet farmaceutike dhe zhvillimi i materialeve të rëndësishme në stacionin hapësinor pritet të sjellin përfitime ekonomike. Edhe teknologjia e sigurimit të mbijetesës dhe ajo energjetike mund të jenë të dobishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Stacioni hapësinor pritet të ndihmojë në zhvillimin paqësor dhe përdorimin e burimeve hapësinore nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe të pasurojë teknologjitë dhe përvojën për eksplorimet e ardhshme të Kinës në një hapësirë më të thellë.

Related posts

Gjendet i vdekur një diplomat rus në Berlin

D V

Po evakuohej nga Afganistani, refugjatja sjell në jetë foshnjën e saj në avion

Redaksia

Takimi me Merkel, Biden: Bashkëpunimi SHBA-Gjermani, i hekurt

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More