Agjencia Zhurnal.mk.

Kalimi i kohës duke qenë i zënë me Kuranin

Kurani Fisnik është zbritur në muajin e Ramazanit. Nga kjo pikëpamje, kjo është arsyeja që muaji i Ramazanit cilësohet ndryshe edhe si “muaji i Kuranit”. Kurani është burimi i udhëzimit të besimtarëve, ndaj është një libër që duhet të lexohet pa ndërprerje dhe të mendohet rreth tij, si dhe të meditohet sa më shumë në lidhje me trajtesat e ofruara në të. Sepse më shumë se për çdo gjë, besimtari ka nevojë për Kuranin. Kurani ka për jetën shpirtërore të njeriut kuptimin që kanë buka, uji, ajri, për mëkëmbjen e jetës së tij fizike. I Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të), të gjithë jetën e ka kaluar duke i thirrur njerëzit drejt Kuranit dhe duke u siguruar që ata ta jetojnë jetën në përputhje me Kuranin. Sahabët fisnikë tregojnë se veçanërisht në namaz, Profeti ynë lexonte shumë Kuran. Veç kësaj, përveçse këndonte vetë, Ai ua këndonte Kuranin edhe sahabëve të Tij. Koha që kalonte me Kuranin shtohej edhe më shumë me ardhjen e Ramazanit duke fituar një rëndësi të posaçme për Të.

Neve na janë transmetuar shumë hadithe në lidhje me virtytin e kalimit kohë me Kuranin. Për shembull, Ebu Umameja i nderuar (radijallahu anh) na transmeton se i Dërguari i Allahut (pqmT) ka thënë:

“Lexoni Kuran. Sepse, në ditën e Gjykimit, Kurani do të bëhet ndërmjetësues për ata që e kanë lexuar.”

Njëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu: “Ka shpërblim për çdo shkronjë të vetme të lexuar nga Kurani Fisnik dhe këto shpërblime shkruhen dhjetëfish në librin e shpërblimeve të njeriut.Për shembull, Elif-Lam-Mim nuk janë një gërmë e vetme; Elif është një gërmë, lam një gërmë, mim një gërmë tjetër.”

Sipas një transmetimi që vjen nga Aishja e nderuar (radijallahu anha), Profeti Fisnik (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:
“Kush është i mirë në leximin e Kuranit dhe e lexon atë bukur dhe ashtu siç duhet është bashkë me engjëjt e nderuar dhe të bindur me të cilët është zbritur shpallja. Në anën tjetër, ata që nuk janë të mirë në të, që kanë vështirësi në leximin e Kuranit dhe që mund ta lexojnë atë duke belbëzuar, marrin dyfish shpërblim (sepsepavarësisht kësaj vazhdojnë të lexojnë e këndojnë Kuran).”

Pranë Allahut, një vlerë të veçantë ka edhe që t’ua mësosh edhe të tjerëve leximin dhe këndimin e Kuranit, krahas leximit dhe këndimit vetë. Siç na transmetohet prej Osman bin Afanit (radijallahu anh), Profeti ynë (pqmT) ka thënë:
“Më të mbarët ndër ju janë ata që e mësojnë Kuranin vetë dhe ua mësojnë atë edhe të tjerëve.”

Një nga dy njerëzit që do të shihen me zili nga të gjithë është ai që kalon kohën duke qenë i zënë me Kuranin Famëlartë. Nga ibni Omeri na është transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:
“Vetëm dy njerëz janë të denjë për t’u pasur zili: Njëri është ai që Allahu i ka dhënë (dijen) e Kuranit dhe merret me të ditë e natë, ndërsa tjetri është ai që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai, ditë e natë, e shpenzon atë në rrugën e Tij.”

Kurse nga një hadith tjetër që na e ka transmetuar Abdullah bin Amri (radijallahu anh) thuhet se shkalla e njeriut në amshim do të jetë sipas Kuranit që ka lexuar:
“Atij që është marrë në çdo kohë me leximin e Kuranit do t’i thuhet: ‘Lexo dhe lartësohu, lexoje me saktësi dhe bukuri edhe këtu, njësoj siç e lexoje me saktësi dhe bukuri edhe në atë botë. Nuk ka dyshim, që shkalla jote është pranë ajetit të fundit që lexove.”

Shtëpitë, në të cilat lexohet Kuran dhe diskutohet rreth Kuranit, i mbështjell mëshira e Allahut. Siç transmetohet edhe prej Ebu Hurejres (radijallahu anh), i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka
thënë kështu:
“Nëse një grup njerëzish mblidhet në një prej shtëpive të Allahut, lexojnë Kuran dhe diskutojnë rreth Tij mes veti, mbi ta bie një qetësi, ata i mbështjell një mëshirë dhe rrethohen nga engjëjt. Allahu i përmend ata njerëz me ata që gjenden pranë Tij.”

Krahas leximit shumë të Kuranit dhe mësimit të tij përmendësh, thelbësore është që të dish domethëniet që fshihen brenda tij. Sepse edhe pse leximi pa kuptuar asgjë ka shpërblimin e tij, Allahu e ka
zbritur atë që ta kuptojmë dhe të veprojmë në përputhje me urdhëresat që janë brenda tij. Në një hadith, i cili bart pikërisht këtë përmbajtje, Profeti ynë (pqmT) e ka portretizuar me këto fjalë gjendjen në ditën e kiametit të atyre që kanë lexuar Kuran dhe kanë vepruar në përputhje me ato çfarë kanë lexuar:
“Kush e lexon Kuranin Fisnik dhe vepron sipas tij, në ditën e kiametit,prindit të tij i vihet mbi krye një kurorë. Imagjinoni se sa dritë do të krijohej nëse futej dielli brenda një shtëpie, më e madhe dhe më e bukur do të jetë edhe drita që lëshon kjo kurorë. Kur gjendja e prindit është e këtillë, e imagjinoni se sa e fortë do të jetë drita e vetë atij që ka vepruar me Kuranin?”

Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë kështu:
“Kush e lexon Kuranin, e mëson atë mirë përmendësh, e pranon të lejuarën si të lejuar, të ndaluarën si të ndaluar dhe u bindet këtyre, në saje të kësaj Allahu e vë në Xhenet robin e Tij. Veç kësaj, i jep të drejtën e ndërmjetësimit për dhjetë pjesëtarë të familjes së tij, edhe nëse ata e kanë pasur hak Xhehenemin.”

Veç përshkrimit të virtyteve të kalimit të kohës me Kuranin, Profeti ynë i Nderuar (pqmT) e përngjason zemrën, në të cilën nuk ka vend Kurani, si një shtëpi të mbetur rrënojë. Na është transmetuar edhe nga ibni Abasi (radijallahu anh), se i Dërguari i Allahut (pqmT) ka thënë:
“Njeriu, në zemrën e të cilit nuk gjendet asgjë prej Kuranit, është si një shtëpi e mbetur rrënojë.”

Related posts

Taravari: Me ardhjen e VLEN-it në pushtet, viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen

D V

Familja Aliti nga Tetova kërkon ndihmë, jeton në gjendje të mjerueshme (VIDEO)

I Z

Edhe djelmoshat shqiptarë në policinë e Zvicrës falën Fitër Bajramin

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky