Agjencia Zhurnal.mk.

Kali është imi, nuk zbres!

Nga Bajram Peçi

Në një kalë vendoset vetëm një shalë dhe te kjo ulëse e rehatuan Sali Berishën. Kali do ishte partia e tij. Pa mbushur vitin hypur mbi kalë, ai bëri gjithçka që Partia Demokratike të identifikohej me emrin e tij. Nuk dështoi, përkundrazi! Me shpullat që u dhanë liberalëve të grupit Ceka, ekstremistët krahinorë besonin pas kësaj se kalorësit të tyre duhej t’i shërbenin besnikërisht si shqytarë. Rasti i tyre kish ardhur!

22 vite nga drejtimi i PD-së, më 26 qershor 2013, në një konferencë shtypi, që i la të gjithë gojëhapur, Sali Berisha deklaronte zbritjen nga kali.
“Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit (Edi Rama), fitues të zgjedhjeve, mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë”. Për humbjen në zgjedhje, Berisha, si kurrë më parë, deklaroi se ka vetëm një përgjegjës.
“Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua se, për këtë humbje, përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi Sali Berishën”.

U pa të zbriste qetë-qetë nga kali, pasi kish liruar këmbët nga yzengjitë (liroi zyrën e kryetarit të partisë demokratike). Njerëzit e të gjithë krahëve psherëtinë të çliruar nga ankthi dy dekadash, kohë që Berishës i kish mjaftuar t’i sëmurte në masë (minus ata që preheshin në varre nga rrëzimi që i bëri shtetit). Të lehtësuar se do shpëtonin përfundimisht nga klima e konfliktualitetit permanent, e uruan, e duartrokitën dorëheqjen edhe nga pushteti partiak.
Dukej që ishte i lumtur që kalin ja kish besuar benjaminit të tij, Bashës. Nga takëmet e kalit shalën e la në vend, ndërsa ajo që nuk u pa qartë në fillim ishte freri, të cilin, deri kur e gremisi, nuk ja panë në duar kalorësit të ri.

Dorëheqja ishte mbresëlënëse, duke qenë se binte ndesh me çdo qëndrim tjetër të mëparshëm të tij pas çdo palë humbjesh, të cilat kishin nisur me referendumin për ndryshimin e kushtetutës, që ajo t’i përshtatej ushtrimit të autokracisë, që e kish aq për zemër.
Dhjetë vjet më pas Arjan Çani na paska bërë publike një lajm mbi këtë dorëheqje. Ai ka pohuar se ka dieni, që Berishës, para datës 26 qershor, i ka vajtur në zyrë një i dërguar i CIA-s amerikane dhe i ka kërkuar “Hap krahun”?!!! Me një fjalë “Ik”! Sa kohë nuk ka një qendrim zyrtar sa sipër, lihet liri të kuptohet siç është ligjëruar nga gazetari.

Mungesa e frerit në duart e kalorësit Lulzim, zgjati sa zgjati, deri kur një ditë, pasi u bë publike se Berisha dhe familja e tij ishin shpallur të padëshirueshëm nga mbrojtësi ynë strategjik, SHBA, ai bëri atë që se kish bërë ndonjë tjetër para tij: i kërkoi që ushtrimin e tij si deputet ta bënte jashtë radhëve të Partisë Demokratike. Nuk kish asnjë rrugë nga t’ja mbante, në rrethanat e një gjuhe të drunjtë e pa shtegdalje, që Departamenti Amerikan kish formuluar: “Përdorimi i pushtetit për të pasuruar familjen dhe aleatët e tij…shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike…veprimet korruptive minuan demokracinë në Shqipëri”. S’kish rrugëdalje, përpos se t’i linte të lirë kandidimin për deputet në Kavajë.

Një thes bosh vështirë të qëndrojë në këmbë dhe Luli ra. Lexhendës së fyer kaq ju desh! Së pari, tërhoqi fort frerin, e rrëzoi kalorësin nga shala dhe mori kalin. Më tej, nga ditët e para të vitit 2023 mblodhi klanin fisnor, fanatikët besnikë, falangat e sahalëpirësve që dikur u kish dhënë pushtet, por sidomos pasuri. Ata dhanë pëlqimin për kryezotin, donin t’ja hipotekonin kalin si pronë, por dokumentet flisnin për një tjetër pronar te PD-ja. Punë e ngatërruar! Dhanë e morën nëpër gjykata dhe, ndonëse kalit i rrinte hypur Berisha, (pas pushtimit ushtarak të stallës) leje qarkullimi nuk kish.

Ky fakt do përdorej si një arsye pse u poshtërua në zgjedhjet bashkiake të 14 majit? Ishte një prej arsyeve të humbjes. Kryesorja, sipas tij, ishte vjedhja e votave. E që të mos vijmë vërdallë si kali i Saliut në lëmë, po i lëmë abuzimet e tij të livadhisin, me përjashtim të njërës: mirë që shteti narkotrafik bleu votuesit në Kamzë e shkodër e gjithkund ku mundi tjetër, aq sa arriti t’i ulë vlerën euros (?!), por si është e mundur të ketë blerë Tropojën?,…malësorët e saj, popullin e Bajram Currit, ku votuesit ja dhanë votën në shumicë PS-së?! Të gjitha rrenat mund të pranojë t’i hajë populli, por këtë, blerjen e tropojanëve, jo-jo! Dhe të thuash se në 22 vjetët e qendrimit ulur mbi shalën e kalit, forcën e qëndresës dhe shantazhit mbi kundërshtarët e merrte pikërisht nga këta.

Pasuan nëpër studio televizive këto ditë analistë dhe opinionistë, politikanë e njerëz me këmbë në tokë, që i kërkuan më troç se kurrë: Ik, largohu; lerë të rinjtë të reformojnë PD-në! Përgjegja e tij, epike: ta harroni! Për kalorësin tonë të shquar, demokraci ka dhe ushtrohet vetëm kur fiton ai! Nëse humbet, patjetër që demokracia nuk është lejuar të zhvillohet nga bandat, blerja e votës, mospublikimi i listave dhe, tërë këtyre krimeve, shtetërorët i shtuan dhe votimin elektronik në Vorë dhe Kamzë, ku “manipuluan hapur” rezultatin.

Sado e mirë të jetë këshilla, kur vjen me vonesë, siç po i ngjet Saliut, ngrihet kundër arsyes, sa kohë për kalë beteje është lufta (verbale) kundër armiqve të tij, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Për Don Kishotin tonë, i zbritur nga kali, është i vdekur moralisht! Vetëm i hypur mbi kalë fuzhnja e tij prej kalorësi të sprovuar mund të godasë në shenjë, si SHBA-në ashtu dhe bandat e narkotrafikut. Dhe si çdo donkishot edhe ky yni ka Sanço Pançon e tij, të cilit as ka nevojë t’i përmendim emrin sepse ngjashmëria është e përsosur.

Related posts

A do i blen NASA të drejtat ekskluzive prej BDI-së për të shfaqur në Mars “Komedinë me Kuvendin dhe Presidentin”?

I Z

Diplomacia, në mes të misionit dhe profesionit…

Xh M

Dëmi që i bëri Shqipërisë bëri regjimi regresiv Berisha-Meksi

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky