Agjencia Zhurnal.mk.

Jovanoviq: Pritjet janë që inflacioni të jetë i lartë edhe këtë vit

Të dhënat e fundit tregojnë se çmimet në dhjetor kanë një rënie të lehtë në krahasim me nëntorin, për 0,2 për qind, që është pozitive, sepse është rënia e parë pas gati një viti e gjysmë rritjeje të vazhdueshme. Megjithatë, ulja është minimale dhe vjen si pasojë e masës së Qeverisë për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për kompani të caktuara nga industria ushqimore. Për shkak të faktit se kjo ulje nga dhjetori është e njëhershme, pra për shkak të masës së qeverisë për energjinë elektrike, pritjet për periudhën e ardhshme janë që çmimet të vazhdojnë të rriten, vlerëson Branimir Jovanoviq nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Marrëdhëniet Ekonomike.

“Konkretisht, çmimi i ushqimeve në dhjetor është ulur me 1.5 për qind në krahasim me nëntorin, që është shumë më pak se 10 për qind nga ajo që ka paralajmëruar Qeveria. Kjo nënkupton se kompanitë po e keqpërdorin sërish situatën dhe në vend që të ulin çmimet për shkak të çmimit të lirë të energjisë elektrike, po rrisin sërish fitimet. Dhe që të jem i sinqertë, nuk jam aspak i befasuar nga kjo, sepse nuk shoh absolutisht arsye pse kompanitë duhet të mos sillen kështu, kur të njëjtën gjë e bëjnë për një vit të tërë”, tha Jovanoviq për MIA-n.

Pritshmëritë për periudhën e ardhshme, siç thotë ai, janë që çmimet të vazhdojnë të rriten, por të jenë me ritme më të ngadalta se në vitin 2022.

“Por të gjitha pritshmëritë janë që inflacioni të jetë mjaft i lartë edhe në vitin 2023. Instituti ynë, konkretisht, projekton se inflacioni në Maqedoni do të jetë 10 për qind për tërë vitin 2023, që është ndoshta pak më i ulët se ky 14,2 për qind nga viti 2022, por gjithsesi është një nivel jashtëzakonisht i lartë”, vlerëson Jovanoviq.

Ai rekomandon që Qeveria të marrë dy grupe masash për të zbutur situatën. E para i referohet vënies nën kontroll të inflacionit dhe e dyta rritjes së të ardhurave për shkak të çmimeve më të larta.

“Për të vënë nën kontroll inflacionin, qeveria duhet të dërgojë inspektime në të gjitha firmat kryesore të biznesit ushqimor, përfshirë prodhuesit, shitësit me shumicë dhe supermarketet dhe të ndëshkojë me rigorozitet të gjithë ata që nuk respektuan masat. Diçka e tillë po ndodh aktualisht në Kroaci, ku shumë kompani kanë shfrytëzuar futjen e euros për të rritur çmimet, dhe si mundet që qeveria atje të jetë e rreptë edhe e jona jo. Opsioni i dytë, që është më i mirë, por edhe më pak real në Maqedoni, është që qeveria të kufizojë çmimet e produkteve ushqimore, kur tashmë është më se e qartë se të gjitha masat e tjera janë joefektive”, thekson Jovanoviq.

Paralelisht me këtë, sipas tij, qeveria duhet të ndërmarrë një sërë masash për të rritur të ardhurat e qytetarëve, si pasojë e rritjes së çmimeve.

“Të rritet paga minimale, të paktën aq sa e imponon inflacioni, të rriten rrogat në sektorin publik me të njëjtën masë dhe të rriten pensionet dhe të gjitha llojet e ndihmave sociale. Nëse kjo nuk bëhet, dhjetëra mijëra qytetarë do të zhyten në varfëri.

Përpos Qeverisë, mendoj se është koha që edhe vetë qytetarët të ndërmarrin veprime për shkak të rritjes së çmimeve dhe përsëri mendoj se Kroacia aktualisht po jep shembuj të mirë. Njerëzit atje filluan

të bëjnë mure të turpit, respektivisht lista të kompanive që në mënyrë të pajustifikueshme rritën çmimet. Do të ishte mirë që dikush të fillojë ta bëjë këtë në Maqedoni dhe jam i sigurt se nëse dikush fillon, shumë shpejt do të bashkohen me këtë”, thekson Jovanoviq.

Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se kostoja e jetesës në vitin 2022, krahasuar me vitin paraprak, shënoi rritje prej 14,2 për qind, ndërsa çmimet me pakicë 12,6 për qind. Gjithashtu, indeksi i kostos së jetesës në dhjetor 2022, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021, shënoi rritje prej 18.7 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë u rrit me 15.1 për qind.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), nga ana tjetër, dje njoftoi se një familje prej katër anëtarësh në dhjetor të vitit 2022 i nevojiteshin 51.235 denarë për të plotësuar shportën minimale sindikaliste. Sipas llogaritjeve të tyre, një familje prej katër anëtarësh i nevojiteshin 19.226,11 denarë për ushqim dhe pije, 13.093,22 denarë për shtëpinë, 3.050,95 denarë për mbajtjen e higjienës dhe 3.668,61 denarë për transport. Një familje në dhjetor i është dashur të ndajë 2.255,15 denarë për veshje dhe këpucë, 1.067,86 denarë për kulturë dhe 801,29 denarë për mirëmbajtje shëndetësore.

“Gjithsej, një familje prej katër anëtarësh i nevojiteshin 43.163,17 denarë për të plotësuar shportën minimale sindikaliste, ndërsa nëse kësaj i shtohen edhe shpenzimet e jetesës, gjegjësisht inflacioni prej 18,7 për qind ose 8.071,51 denarë, shifra është 51.234,68 denarë”, saktëson Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Related posts

Valë e re shtrenjtimesh, masat e Qeverisë nuk japin efektet e pritura

Xh M

Banka Popullore: Në janar rritje vjetore prej 10 për qind në totalin e depozitave dhe 5.7 për qind të kredive

D V

Shporta minimale sindikale është 57,467 denarë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy