Agjencia Zhurnal.mk.

ITSHKSH: Mateo Mandala, mjeshtër i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe

Shkup, 18 nëntor – Sot në kuadër të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, u mbajt sesioni shkencor kushtuar njërës nga figurat qendrore të letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe, Mateo Mandala.

 

Në fjalën e hapjes, udhëheqësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe në ITShKSh, Hidajete Azizi tha se manifestimi tradicional “Ditët e Alfabetit” me temë qendrore për këtë vit “Gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe”, i organizuar me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit, ka për qëllim që të kontribuojë për njohjen, për pasurimin e prurjeve shkencore dhe krijimin e një komunikimi më të afërt me kulturën dhe traditën e krijuar ndër shekuj nga arbëreshët e Italisë.

“Sesioni i sotëm shkencor, i katërti me radhë në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet prof. dr. Mateo Mandala, profesor në universitetin e Palermos dhe për shumë vjet përgjegjës i seksionit të albanologjisë në këtë universitet. Meritat e tij për filologjinë arbëreshe në përgjithësi dhe për filologjinë moderne shqiptare, në veçanti, janë të shumta. Mbi bazën e këtyre meritave, do të vlerësohet si njëri ndër albanologët më të shquar të kohës dhe njëri ndër themeluesit e filologjisë moderne shqiptare. Prurjet origjinale të tij në këto fusha, do ta ngrenë në piramidat më të larta të mendimit shkencor shqiptar në qarqet akademike universitare”, tha Azizi.

Studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, referoi në temën: “Mateo Mandala studiues i mirëfilltë dhe gjurmues i përkushtuar i trashëgimisë arbëreshe”, duke shkoqitur disa sekuenca me interes për veprën e madhe shkencore të prof. Mandalasë.

Përmes një video – prezantimit, prof. Françesko Altimari nga Universiteti i Kalabrisë në Kozencë, referoi në temën: “Prof. Mateo Mandalà filolog dhe studiues i letërsisë”, dhe Emin Azemi nga ITShKSh foli për “Disa vlerësime të prof. Mateo Mandalà rreth poemës Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës”.

Në fund, vetë prof. Matteo Mandala nga Hora e Arbëreshëve të Italisë në Sicili, përmes një video-prezantimi falënderoi për respektin e bërë dhe interesimin e zgjuar të ITShKSh-së në Shkup për të trajtuar këto tema të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës arbëreshe.

Dita e nesërme në “Ditët e Alfabetit -2021” do t’i kushtohet Anton Nikë Berishës, studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Aktiviteti fillon në ora 10 në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila është mbështetëse e këtij manifestimi.

Related posts

Arti në zi, ndahet nga jeta piktori i njohur shqiptar

D V

Naim Frashëri, bilbil i “gjuhës së kënduar”

D V

Zgjohuni, për shkak të qiellit të kryqëzuar mes gishtërinjve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More