Agjencia Zhurnal.mk.

ITSHKSH: Konferencë shkencore “Ballkani midis integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal”

Shkup, 29 tetor – Dje Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, organizoi edicionin e katërt me radhë tët konferencës shkencore ndërkombëtare Ballkanologjia, e cila sivjet temë boshte e kishte Ballkanin midis integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.

 

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se duke qenë gjithmonë në hap me tendencat evropiane të zhvillimit të mendimit dhe projektimit të ideve konkrete, edhe ITSHKSH përmes kësaj konference shkencore synon të nxjerr në pah aspektet humane të përafrimit në mes të popujve, duke nxjerrë në treg konkurrencën e dijes dhe hulumtimit shkencor. Deri më tani, përmes departamenteve tona si dhe përmes botimeve e aktiviteteve të ndryshme, ne si Institut jemi munduar të sjellim një qasje të re dhe krejt origjinale në tejkalimin e kontradiktave në mes të shoqërive, popujve dhe shteteve, tha Asani.

Në fjalën përshëndetëse, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se “Ballkani Perëndimor ose siç dua ta potencoj e që mendoj se është emërim më adekuat Evropa Juglindore, nuk është ishull i izoluar, por gjendet në zemrën e Evropës. Të gjitha lidhjet tona, të gjitha rrugët tona kryqëzohen me BE-në, procesi i eurointegrimit dhe procesi i bashkëpunimit rajonal plotësohen dhe çojnë drejt qëllimit të njëjtë, anëtarësimin e rajonit në BE”, u shpreh Osmani.

Fjalë përshëndetëse pati edhe drejtori i Agjencisë për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, Ylber Sela, si dhe pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina

Më pas u bë promovimi i përmbledhjes shkencore “Ballkanologjia III”, për të cilën referoi koordinatori i konferencës dhe kryeredaktori i këtij botimi Sefer Tahiri.

Më pas, në kuadër të konferencës shkencore “Ballkani midis integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal”, u shtjelluan tema tejet të rëndësishme dhe aktuale.

Kështu, referuesi i parë që u paraqit me kumtesën e tij ishte z. Sylë Ukshini, i cili përmes një analize të detajuar shtjelloi Minishengenin ballkank si instrument politik të Serbisë për anashkalimin e Kosovës, si dhe si një aset të saj për të shtrirë ndikimin e saj, edhe ashtu hegjemon, në formë më të vrazhdë dhe më të rreptë. Konferenca vijoi me kumtesën virtuale të studiuesit, Anton Pançev nga Universiteti i Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, i cili shtjelloi “Ideologjitë e vjetra si pengesë për integrim në BE”. Studiuesi i radhës, profesori nga Kosova, gjegjësisht nga Instituti Shqiptar i Gjeopolitikës, z. Sadri Ramabaja “Projekti i Novisadit alias “Ballkani i Hapur” dhe gjeopolitika postmoderne serbe”, analizoi politikën serbe, duke hedhur dritë në të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Studiuesja dhe profesoresha nga Universiteti “Vizion” në Gostivar, znj. Vesna Popovska, u paraqit me kumtesën e saj me titull “Panevropianizmi kundrejt euroskepticizmit- përfitimet dhe sfidat nga qëndrueshmëria e agjendës evropiane në rajon”. Studiuesi dhe Besnik Rameti nga ITSHKSH-ja, në konferencë u paraqit me kumtesën e tij “Ndikimi i projekteve hegjemoniste ndaj vonimit të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit”. Më tutje, Ana Çupevska, nga Universiteti “Kiril dhe Metodi”, foli në kumtesën e saj për temën vijuese “Paradigma bashkëkohore e politikës së jashtme për ndërtimin e miqësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Konferenca vazhdoi punimet me kumtesën e prezantuar nga z. Isamedin Azizi, nga ITSHKSH-ja, me titull “Tendencat e bashkëpunimit rajonal të organizatave revolucionare në Ballkan”. Ramiz Zekaj, studiues nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, paraqiti kumtesën e tij me titull “Marrëdhëniet Ndërfetarë në Ballkan dhe Multikulturalizmi në BE”. Më tutje, në kuadër së seancës së parë të konferencës, u paraqit z. Rubin Zemon, nga Qendra për Hulumtime të Avancuara, i cili shtjelloi kumtesën “Ballkani midis koncepteve për shtete kombëtare dhe shoqëri qytetare”. Referuesi i fundit në sesionin e parë ishte drejtori i Aleancës Franceze në Tetovë, Stephane Aucante, me kumtesën “Pallati i ëndrrave i Ismail Kadaresë, ose makthi komunist sipas një Evrope të caktuar”, ku përmes këtij punimi u hodh në pah ngulfatja e ëndrrave, me qëllim shpërfytyrimin e njeriut dhe largimin nga e drejta për të ëndërruar.

Sesioni i dytë i konferencës filloi në orën 14, me ç ‘rast u lansua debati mes pjesëmarrësve, për temat e shtjelluara në sesionin e parë. Kështu, Rubin Zemon, Sylë Ukshini, Emin Azemi, Sadri Ramabaja dhe drejtori i ITSHKSH-së, z. Skender Asani, e begatuan këtë pjesë të konferencës përmes ndërhyrjeve të tyre frytdhënëse, sugjerimeve dhe shtruarjes së mendimeve.

Pasoi kumtesa e parë me radhë, në sesionin e dytë, e Minir Ademit nga ITSHKSH-ja, si koautorë së bashku me Avni Avdiun, nga Universiteti “Nëna Terezë”, në Shkup, që trajtuan temën “Open Balkan: alternativë apo kurthi i radhës për shqiptarët…?!”. Më tutje, Ardian Ramadani nga ITSHKSH-ja, trajtoi temën “Panballkanizmi dhe Minishengeni Balkanik (Ballkani i Hapur) përballë europianizmit”, ku vuri në pah se nismat gjysmake që vijnë nga shtete të dyshimta, që ende nuk e kanë bërë katarsën e duhur, duhet shikuar me llupën e dyshimit. Konferenca vijoi me kumtesën e radhës nga Liridona Veliu, nga Dublin City University, në koautorësi me Adriana Cuppuleri, me titull “Rusia në Ballkanin Perëndimor: Një studim i fuqisë së butë”, me ç’rast me një qartësi dhe saktësi të pashoq u paraqit konceptualizimin e fuqisë së butë ruse në veçanti, përmes instrumenteve dhe një matrice teorike, revizioniste dhe tradicionaliste, si dhe riaktivizimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Më pas, studiuesi nga ITSHKSH-ja, Isamet Bakiu, paraqiti kumtesën me titull “Integrimi i rajonit dhe roli i shqiptarëve në përplasjet mes fuqive të mëdha në Ballkan”, me ç ‘rast vuri në pah premisat për integrimin rajonal, si dhe rolin e pashoq të kombit shqiptar në Ballkan, në suaza të këtij integrimi. Konferenca vazhdoi punimet me kumtesën e Murat Aliut nga Universiteti “Nënë Tereza në Shkup, me titull “Nacionalizmi etnik si peng i integrimit europian: rasti i Maqedonisë së Veriut”. Me një video-prezantim, Kosovar Basha, nga Instituti i Historisë në Prishtinë, paraqiti kumtesën “Konteksti historik i bashkëpunimit politik dhe shkencor midis Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 1968”. Më tutje, përmes një video-prezantimi, Miftar Kurti, nga Instituti i Historisë në Prishtinë, paraqiti kumtesën “Roli dhe kontributi i Francës për paqen dhe lirinë e Kosovës”. Pasoi më tej kumtesa e Besnik Eminit nga ITSHKSH-ja me titull “Qendra e Studimeve Ballkanike dhe bashkëpunimi kulturor në kuadër të vendeve të Ballkanit”. Dhe referuesi i fundit, Rini Useini, nga ITSHKSH-ja, paraqiti kumtesën “Shoqatat etnokulturore- ura ndërlidhëse midis antropologëve në Ballkan e më gjerë”.

Në fund, pas prezantimit të kumtesave, pasoi debati i shkurtër, ku me vërejtjet dhe ndërhyrjet e tyre i dhanë frymë dhe gjallëri konferencës disa studiues të pranishëm.

Punimet e kësaj konference do të botohen në librin e radhës “Ballkanologjia 4”.

Related posts

Institucione të KSHPK kërkojnë mendime për punësime, furnizime publike de marrëveshje për qira

Z H

Një termet i shqetësoi qytetarët e Dibrës, epiqendra në Shqipëri, me fuqi prej 4,8 ballësh

D V

Terapia e AstraZenecas me antitrupa “parandalon COVID-19”

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More