Shkup, 1 dhjetor – Propozim buxheti për kulturë për vitin e ardhshëm arrin 3.85 miliardë denarë ose 62.692.000 euro. Në fokus do të jenë investimet dhe riparimet kapitale në kulturë, në vlerë prej 10 milionë euro, informoi sot në konferencë për shtyp ministrja e Kulturës Irena Stefoska.
Lidhur me investimet dhe riparimet kapitale, mjetet konkretisht janë dedikuar për fazën e dytë të ndërtimit të teatrit turk në Shkup, realizimin e fazës së ardhshme të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, punimet përfundimtare të teatrit në Strumicë, Faza e dytë e rindërtimit të Teatrit në Kumanovë, faza e dytë e rindërtimit të Qendrës së Kulturës në Koçan, faza e dytë e rindërtimit të Qendrës së Kulturës në Gostivar, rindërtimi dhe rehabilitimi i kulmit të Bibliotekës Kombëtare Universitare “Shën Klimenti i Ohridit” në Shkup, si dhe për projektet tjera që do të miratohen në programin vjetor në fushën e investimeve për vitin 2022 të dedikuara për institucionet kombëtare.
Stefoska theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet prioritet kryesor. Për këtë, buxheti i Ministrisë dhe Zyrës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore sivjet është afër 194 milionë denarë, ose 3.200.000 euro.
Për programin e trashëgimisë kulturore në rrezik, i cili për herë të parë është përcaktuar në buxhetin për këtë vit, Stefoska tha se për vitin e ardhshëm mbesin të njëjtat mjete, përkatësisht 12 milionë denarë.