Shkup, 3 tetor – Federata gjermane do të bëjë çmos që vendi ynë të hapërojë më shpejt drejt Bashkimit Evropian, siguron në Shkup ministri gjerman i Bujqësisë, Xhem Ozdemir, duke përkujtuar se ky rrugëtim tani nuk është edhe i lehtë për shkak të depërtimit të luftës në kontinentin e Evropës. Duke folur me homologun e tij të vendit, Lupço Nikollvski, për bashkëpunimin në fushën agrare, Ozdemir tha se anëtarësimi i vendit në familjen e madhe evropiane, hap shtigjet për qasje në tregjet e mëdha, me përfitim edhe në bujqësi.
“Për Republikën Federale të Gjermanisë është e qartë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe do të doja që në suaza të kompetencave të mia si ministër i Bujqësisë ta tregoj respektin tim për hapat që ka bërë vendi juaj në këtë rrugë deri më tani. Dua të them se kësaj radhe rruga nuk është e thjeshtë dhe e shkurtër në raport me luftën që po ndodh në Evropë. Lufta sërish është kthyer në Evropë dhe e gjithë kjo tregon se bashkëpunimi mes shteteve është shumë i rëndësishëm, ndërkaq këtë nuk e duan diktaturat.”, – deklaroi ministri i Bujqësisë i Gjermanisë, Xhem Ozdemir.
Nikollovski: Mbështetja gjermane ndikon në rezultatin agrar
Ministri i Bujqësisë, Nikollovski, mirënjohës për mbështetjen e madhe të shtetit mik gjerman në fushën e bujqësisë, si dhe për përkrahjen e tyre në reformat në dikasterin që drejton ai.
“Përkrahjes së madhe nga Bashkimi Evropian që për herë të parë vjen në fushën e pylltarisë me fillimin e projektit të madh të reformave nga muaji mars, tani i shtohet përkrahja e qartë dhe e fuqishme nga Gjermania në pjesën e agjendës së gjelbër.”, – theksoi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Në kuadër të takimit dypalësh, dy ministrat e Bujqësisë kanë biseduar për rezultatet e deritanishme nga bashkëpunimi mes dy vendeve, si dhe për planet e ardhshme për zbatim më të mirë të agjendës së gjelbër evropiane. Ozdemir dhe delegacioni i tij kanë takuar edhe fermerë të rinj dhe kultivues të kulturave bujqësore.