Shkup, 5 korrik – Me rastin e 70-vjetorit të themelimit, Instituti i Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov”, në një ceremoni publike, ka ndarë edhe disa mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe institucionet që kanë dhënë kontribut për kultivimin dhe avancimin e gjuhës maqedonase, si dhe për bashkëpunimin e realizuar me këtë institut.
Ndër këto institucione është edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, të cilin instituti “Kërste Misirkov” e ka nderuar me plaketë me këtë motivacion: “për bashkëpunimin e realizuar dhe kontributin e rëndësishëm në afirmimin e gjuhës maqedonase”.
Me këtë rast ITSHKSH-ja, duke ia uruar institutit “Kërste Misirkov” këtë përvjetor edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ketë bashkëpunim të ngushtë me këtë institucion hulumtues shkencor, si edhe për mbrojtjen dhe afirmimin e gjuhës maqedonase.
Duke jetuar në një shtet me kaq diversitete, mirënjohja për gjuhën e tjetrit është virtyt që e bën të mundur kohezionin e përbashkët shoqëror, ndërsa ITSHKSH-ja mbetet e përkushtuar në këto parime, si dhe në kolegjialitetin shkencor.