Agjencia Zhurnal.mk.

Imunizimi po zhvillohet pandërprerë, masa të reja të mundshme për mbrojtje nga lloji delta

Shkup, 3 korrik– Imunizimi në shtet kundër Kovid-19 po realizohet pandërprerë thonë kompetentët dhe paralajmërojnë se deri të premten e ardhshme do të vaksinohen gjysmë milionë qytetarë. Prej sot është aktive edhe ueb-faqja për rivaksinim të qytetarëve të cilët janë vaksinuar jashtë vendit, ndërsa pasnesër do të bisedohet për masat e reja eventuale për mbrojtje të kufirit, kundër përhapjes së llojit delta të virusit.

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të hënën do të duhet të vlerësojë nëse testet janë masa e vërtetë me të cilën do të mund të mbrohemi nga përhapja e llojit delta të koronavirusit, i cili tashmë u përhap përgjatë Evropës dhe a ka nevojë për vendosje të masave të reja sa i përket mbrojtjes së kufijve.

Përndryshe, Ministria e Shëndetësisë më së shumti është e përqendruar në vaksinim, ndërsa ministri Venko Filipçe pret deri të premten e javës së ardhshme të vaksinohen rreth 500.000 qytetarë.

“Janë shpërndarë të gjitha vaksinat,  sipas numrit të qytetarëve të paraqitur. Të martën do të përfundojë vaksinimi i të gjithë qytetarëve të paraqitur në të gjitha qytetet, përveç në Shkup, Tetovë dhe Manastir. Në këto tre qytete do të vaksinohen të gjithë qytetarët e paraqitur deri të premten e javës së ardhshme. Që do të thotë se numri i përgjithshëm  i qytetarëve të vaksinuar do të jetë rreth 500.000 mijë”, deklaroi Filipçe gjatë ditës së djeshme.

Ai potencoi se vaksinimi në terren do të intensifikohet javën e ardhshme dhe do të kontribuojë të vaksinohen banorët të cilët janë të sëmurë kronik  dhe të palëvizshëm, ndërsa të cilët jetojnë  në vende të largëta rreth qyteteve të mëdha.

Në lidhje me vaksinimin e shtatzënave dhe  nënave gjidhënëse, ministri potencoi se qëndrimi i Komitetit profesional është se për to duhet të preferohet  vaksina e “Fajzer”.

“Nuk ka  kundërindikacione për asnjë vaksinë, por jepet  përparësi  e vaksinës  “Fajzer”, tha Filipçe

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar gjithsej 346.836 qytetarë. Gjithsej janë dhënë 572.176 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 225.340 qytetarë.

“Me shifrat e fundit 52 për qind e popullatës mbi 70 vjet kanë marrë të paktën një dozë vaksinë, 49 për qind e popullatës mbi 65 vjet është vaksinuar së paku me një dozë vaksinë dhe 43 për qind e popullatës mbi 60 vjet është vaksinuar së paku me një dozë vaksinë”, njoftuan nga Ministria.

Numri i personave të cilët kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb platformës  vakcinacija.mk është 481.809 qytetarë.

Vaksinimi masiv zhvillohet në disa qytete në shtet dhe atë në QS “Boris Trajkovski” në Shkup në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë, Ohër, Veles dhe Prilep.

Sa i përket atyre qytetarëve të cilët janë vaksinuar jashtë vendit, ndërsa duan të rivaksinohen në shtet, ata mund të regjistrohen në ueb-faqen „https://vakcinacija.mk/revaccination”, e cila do të jetë në funskion deri në datën 10 të këtij muaji.

Nga Ministria theksojnë se përmes regjistrimit të qytetarëve do të mund të marrin skemë të detajuar se për çfarë numri bëhet fjalë, me cilat vaksina janë vaksinuar dhe kur duhet të rivaksinohen.

“Faqja për regjistrim për rivaksinim do të jetë e hapur një javë, pas çka do të mbyllet regjistrimi. Në këtë mënyrë do t’i saktësojmë sasitë dhe llojin e vaksinës të cilat do të jenë të nevojshme. Sfida më e madhe për rivaksinimin e këtyre qytetarëve është fakti që dozat nuk kemi mundur deri më tani t’i planifikojmë dhe nuk e dimë me çka do të disponojmë në momentin kur ata duhet të rivaksinohen”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Me vaksinën e Astra Zenekas në vend do të rivaksinohen vetëm qytetarët mbi 60 vjet.

Për të gjithë qytetarët pas regjistrimit në faqe, nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se do të bëjnë përpjekje që të sigurohen sasi të nevojshme të vaksinave pas çka, siç thonë, do ta informojnë në mënyrë më të saktë në opinion.

Përndryshe, para dy ditëve në shtet mbërritën 10 mijë vaksina të “Astra Zeneka” si donacion nga Kroacia.

Ato nga java e ardhshme do të shpërndahen nëpër pikat e vaksinimit përgjatë vendit, ndërsa Qeveria kroate solli një vendim që të dhurojë 20 mijë vaksina shtesë të cilat do të jenë nga prodhuesi “Astra Zeneka” ose të prodhuesit “Moderna”.

Qeveria daneze, dedikoi dy milionë vaksina “Astra Zeneka” si donacion për Ballkanin Perëndimor, prej të cilave 250.000 doza për Maqedoninë e Veriut.

Në shtet vazhdon tempoja e numrit të ulët të saposëmurëve nga Kovid-19. Gjatë ditës së djeshme ishin regjistruar 11 raste të reja, nga 2.723 teste të bëra. Rastet e reja janë regjistruar në Shkup – 5, Tetovë – 3, Manastir, Berovë dhe Pehçevë – nga një.

Janë regjistruar katër pacientë të shëruar, ndërsa është regjistruar një person i vdekur, edhe atë nga Makedonski Brodi në kushte spitali.

Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 884.593 teste për Kovid-19.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me kovid nga fillimi i epidemisë arrin 155.700. Numri i pacientëve të shëruar është 150.067, i të vdekurve 5.486, ndërsa numri i rasteve aktive arrin 147.

Related posts

Grubi uron komunitetin boshnjak: Respektojmë vlerat identitare të njëri-tjetrit, të bashkuar hapërojmë drejt integrimit të vendit në BE

Xh M

Boçvarski: Infrastrukrura moderne dhe cilësore është e pamundur pa bashkëpunim dhe mbështetje nga komuniteti profesional dhe akademik

D V

Xhaferi uron 28 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve

D V
OFERTË SPECIALE // Domain + Hosting + Uebfaqe për vetëm 400 Euro në vit!
Ofertë Speciale:
Domain + Hosting + Uebfaqe = 400euro!