Shkup, 1 korrik – Vendosja e rregullave të caktuara, si dhe një varg masash për rregullim dhe mbështetje të tregjeve bujqësore, intervenim në tregjet në raste të jostabilitetit të tregut, shoqërimi i prodhuesve, krijimi i shprehive të shëndosha për ushqim te fëmijët përmes vendosjes së skemave shkollore, si dhe raport i drejtë tregtar ndërmjet prodhuesve dhe blerësve, janë rezultatet të cilat priten me zbatimin e projektit “Vendosje dhe zbatim i masave për rregullim të përbashkët të tregjeve”.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arianit Hoxha në mbylljen zyrtare të projektit theksoi se rregullimi i tregjeve të prodhimeve bujqësore në mënyrën në të cilën atë e ka përcaktuar Bashkimi Evropian, është me rëndësi të madhe për sektorin bujqësor në shtetin tonë.
Me harmonizimin e rregullativës dhe standardeve, tha ai, presim përmirësim të fuqishëm dhe pozitiv të konkurrencës së produkteve tona bujqësore vendore. Hoxha potencoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave si krijuese e politikave investon përpjekje të mëdha që ta mbrojë tregun e produkteve bujqësore nga dëmtimet e shkaktuara nga lëvizjet e çmimeve.
“Do të doja të potencoj se projekti është shumë i suksesshëm. Janë arritur rezultate konkrete edhe atë: përgatitje e akteve nënligjore dhe program kombëtar për zbatim të skemave shkollore për dërgesë të pemëve, perimeve, qumështit dhe produkteve qumështore falas në kopshtet e fëmijëve dhe shkolla, përgatitje të strategjisë kombëtare dhe program për mbështetje dhe zhvillim të bletarisë, përgatitje të propozim-ligjit të ri kombëtar për rregullim të tregjeve bujqësore, përgatitje të programeve vjetore për punë të grupeve të përhershme nënsektoriale për pemë, perime, verë, drithëra, qumësht dhe produkte qumështore, mjaltë, si dhe zbatim të trajnimeve të anëtarëve të grupeve nënsektoriale, akte nënligjore dhe propozim-ndryshime të kornizës ligjore në pjesën e standardeve për cilësi të pemëve dhe primeve të freskëta. Trajnime të inspektorëve dhe përgatitje të rregullores së hollësishme për kontrollë të cilësisë së pemëve dhe perimeve të freskëta, akte nënligjore për vendosje të organizatave të prodhuesve dhe funksionimin e tyre dhe përgatitje të programeve operative etj”, tha ministri Hoxha.
Hoxha informoi se rezultatet e para të këtij projekti priten në gjysmën e dytë të vitit 2022, kur do të ketë masa konkrete në pjesën e intervenimit në tregje, varg të mjeteve që harmonizohen me atë që tashmë bëhet në BE.
Projekti filloi në vitin 2018 dhe plotësisht zbatohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, nga ana e Konsorciumit We Global dhe partnerëve të tij, me ndihmë financiare nga IPA ndihma e Bashkimit Evropian në vlerë prej rreth 900 mijë euro. Qëllimi kryesor i projektit është avancimi i konkurrencës së sektorit bujqësor dhe harmonizim i vendimeve tona ligjore me rregullativën evropiane.