Agjencia Zhurnal.mk.

Heroi Orce Kamçev/ Nga bashkëpunëtor në krim në bashkëpunëtor i drejtësisë

Shkup, 12 gusht – Prokurori Shtetëror Publik, Ljubomir Joveski, në një intervistë për javoren Fokus, flet për rastin “Perandoria” e ku thotë se i akuzuari në këtë rast, Orce Kamçev, ka arritur një marrëveshje me Prokurorinë për bashkëpunim dhe i njejti ka marë dënim më të vogël në krahasim me të akuzuarit e tjerë në po të njejtin rast.

Ai thotë se pranimi i fajit ka qenë rrethanë lehtësuese për Kamçevin, por gjithashtu edhe pagesa e dëmit dhe më e rëndësishmja se për një pjesë të hetimit, ai ka qenë bashkëpunëtor i drejtësisë, që sipas tij, është me rëndësi thelbësore për vërtetimin e disa fakteve.

“Bëhet fjalë për konfiskim të pasurisë për të cilin prokurori publik tha se buron nga vepra penale. Për çdo person të akuzuar, sipas ligjit, bëhet individualizim i dënimit. Në këto rrethana, përskaj pranimit të fajit, mbulimit të dëmit para marrëveshjes, për Kamçevin, si rrethanë lehtësuese është se në një pjesë të hetimit, ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë, që është me rëndësi thelbësore për vërtetimin e fakteve të caktuara përfundimtare”, thotë Joveski, shkruan Zhurnal.

Orce Kamçev akuzoheshte për keqpërdorim të detyrës zyrtare me çka e ka dëmtuar buxhetin. Përskaj dënimit me burg, ai si kusht që të hyjë në procedurë për marrëveshje, duheshte së pari të mbulojë dëmin prej 5,2 milion eurove që e kishte shkaktuar gjatë viteve 2004 dhe 2005 me firmën Orka Holding.

Kështu, Orce Kamçev për gjithë ato krime në rastin “Perandoria” është dënuar vetëm me një vjet burg. Për këtë rast, Kamçev vetëm se ka qëndruar në paraburgim 9 muaj e gjysmë dhe kjo do t’i llogaritet në dënim.

Por si ndodhi që Orce Kamçev nga bashkëpunëtor i krimit të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe në fund të shpallet hero nga ana e kryeprokurorit shtetëror?

Orce Kamçev nga të gjitha ato krime të kryera më parë, për momentin jo që nuk është dënuar aq sa e parasheh ligji, por madje as nuk gjendet në burg. Ai së fundmi ka ndryshuar adresën e tij të banimit nga Shkupi në Ohër, me qëllim që dënimin me burg ta kryejë në Strugë, ku rrethanat e burgut dhe kushtet janë shumë më të mira se në Idrizovë. Të njejtën gjë do ta bëjë edhe Sasho Mijallkov, i cili dënimin me burg do ta vuajë vetëm gjatë natës, gjegjësisht ai në burg do ta bëjë vetëm gjumin e natës ndërsa gjatë ditës do të jetë i lirë. Kësi lloj dënimi do të dëshironte gjithsecili të vuajë për vepra të ndryshme penale.

Ai akuzohet në raste të ndryshme nga Prokuroria, sikurse në raste “Reket”, “Perandoria”, “Parcelat në Vodno” etj, por ja që në fund ai si duket do të shpallet hero i drejtësisë.

Ai në janar të këtij viti ofroi rreth 11 milion euro me qëllim që të lirohet nga paraburgimi në Shutkë. Edhe gjatë qëndrimit në paraburgim, Kamçev shpesh dërgohej për kontrolle shëndetësore dhe qëndronte disa ditë në spitalin Sistina, aty ku është edhe bashkëpronar i spitalit.

Nga e gjithë kjo situatë e cila po zvarritet me vite, si duket në fund Kamçev nuk do të futet farre në burg por “do t’i jepet mirënjohje për bashkëpunim kundër krimit”.

Pritja për drejtësi në Maqedoni

Besimi është vlera më e rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të ketë shtet të drejtë dhe qeverisje të mirë nëse qytetarët nuk besojnë tek ata që janë zgjedhur për të punuar me nder dhe në mënyrë profesionale. Besimi i qytetarëve në jurisprudencë është shumë e ulët. Sipas anketës së IRI , vetëm 3% e të pyeturve janë shprehur se besojnë në drejtësi. 30% janë shprehur se besojnë deri në një shkallë, ndërsa 42% janë shprehur se fare nuk besojnë. Besimi shumë i ulët gjithashtu është edhe në prokurori.

Për këto statistika në mënyrë të ashpër pati reaguar edhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Kejt Meri Bërnz. Ajo foli edhe për hulumtimin e Eurothink ku sipas statistikave, vetëm 8% e qytetarëve besojnë në drejtësi.

Ajo kërkoi gjyqësor efikas, të pavarur dhe të barabartë për të gjithë.

Edhe BE-ja përmes një raporti për përparimin e shteteve, kishte theksuar se RMV është e gatshme të zbatojë acquis in e BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e drejtësisë. Në raport mes tjerash, thuhet se është arritur një përparim por se korrupsioni është i shpërndarë shumë dhe ngelet çështje brengosëse.

Qytetarët nga ana tjetër të bezdisur nga situata katastrofale me drejtësinë, me krizën ekonomike dhe jetën e vështirë në Maqedoni, po marrin rrugët e gurbetit. Ata ikin jashtë vendit me qëllim që të punojnë për një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Ndonëse Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, gjithsesi gjendja nuk ka ndryshuar fare në aspektin e kushteve për jetesë. Edhe pse paga minimale brenda 7 viteve është rritur nga 12,000 në 18,000 denarë, kjo nuk mjafton për një jetë dinjitoze, veçanërisht pas krizave të fundit që ka kapluar edhe Maqedoninë por edhe gjitha shtetet gjithandej.

Andaj rastet e shumta gjyqësore duhet të kenë një përfundim që do të kënaqte atë që kërkon ligji dhe dëshirën e qytetarëve që gjithë ata kriminelë që ndiqeshin së pari nga PSP e tani nga PP, të përfundojnë prapa grilave ashtu siç e kanë merituar, e jo të shpallen si hero për bashkëpunim me organet e drejtësisë. Pothuajse askush nga ata që akuzoheshin nga PSP për momentin nuk gjenden prapa grilave. Të vetmit që u bënë kurban janë Gordana Jankullovska dhe Bojan Jovanovski. Të tjerët të gjithë janë dënuar me burg, por burgu i tyre janë shtëpitë luksoze të tyre personale dhe shëtitjet e lira./Zhurnal.mk

Related posts

Zëvendësministri i Financave Nikolloski në takimin pranveror të FMN-së dhe BB-së në Uashington

D V

Sondazh: Një e katërta e të rinjve janë zakonisht më të shqetësuar në mediat sociale dhe nuk dëgjohet “zëri i tyre politik”

D V

Më shumë shi në Vinicë 32 litra në metër katror, më ftohtë në Kodrën e Diellit minus tre gradë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy