Shkup, 3 shkurt – Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, në kuadër të vizitës së saj të punës në SHBA, reliazoi takim me Xhejson Orlando, drejtor i Zyrës për asistencë teknike në Ministrinë e Financave të SHBA.
Në takim, siç informojnë nga Shërbimi për shtyp i qeverisë, është biseduar për bashkëpunimin e nisur tashmë të ndërsjellë të iniciuar nga zëvendëskryeministrja Gërkovska dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, me qëllim të mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve, veçanërisht në trajtimin e problemeve siç janë pastrimi i parave, hetimet financiare, si dhe miratimi i ligjit për pastrimin e parave.
Të gjitha këto çështje mbulohen në rekomandimet e Komisionit Evropian në Raportin për progresin e vendit tonë në vitin 2022.
Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se, për fat të keq, Maqedonia e Veriut nuk është imune ndaj fenomenit të pastrimit të parave dhe përballet me një sfidë të madhe në luftën kundër krimit ekonomik.
Orlando, siç thuhet në njoftim, iu referua gjithçkaje që është konfirmuar deri më tani në drejtim të bashkëpunimit të përbashkët bazuar në letrën zyrtare të pranuar në qershor të vitit të kaluar të nënshkruar nga zëvendëskryeministrja Gërkovska dhe ministri Besimi.
Ai paralajmëroi se janë duke u përgatitur gjithsej katër aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në përputhje me nevojat e shprehura dhe përshëndeti faktin që këto projekte marrin mbështetje nga Kabineti përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, gjë që konfirmon edhe një herë vendosmërinë e fortë të Maqedonisë së Veriut në arritjen e qëllimeve të përcaktuara.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se janë të domosdoshme zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, sepse vetëm në atë mënyrë mund të arrihen rezultate thelbësore.