Agjencia Zhurnal.mk.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së/Flet juristi nga Belgjika: Ja si e përgatiten terrenin ‘komandantët e luftës’

Më shumë se një vit, në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. 

 

Akuzat ndaj tyre përfshijnë vrasje, krime lufte, etj. 

Krahas kësaj, shteti i Kosovës po vazhdon të paguajë shuma të mëdha të parave për mbrojtjen e tyre.

Juristi nga Blegjika, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Fillimisht, ai tha se kjo gjykatë u formua si rezultat i sjelljeve inkriminuese të kastave politike, ku politikanët e korruptuar kapën gjykatat, prokuroritë, policinë dhe gjitha institucionet e shtetit.

“Pas presioneve të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, duke shantazhuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas ndryshimeve kushtetuese, në «raundin e dytë», fatkeqësisht, miratuan Ligjin mbi Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, si Gjykatë nën juridiksionin e Kosovës. 

Kjo gjykatë u formua si rezultat i sjelljeve inkriminuese të kastave politike, që nuk e formuan ata vet këtë Gjykatë, siç vepruan Kroacia, Bosnja dhe Serbia. Kjo nuk ndodhi në Kosovë sepse politikanët e korruptuar kapën gjykatat, prokuroritë, policinë dhe gjitha institucionet e shtetit, duke i vënë këto në funksion të tyre, shantazhuan dhe likuiduan dëshmitarët, prishën provat, dhe u bënë të gjithëfuqishëm dhe të paprekshëm”, deklaroi juristi. 

Krahas kësaj, Musliu përmendi edhe ligjin për mbrojtjen juridike, të cilin sipas tij e miratuan “komandantët e luftës” me qëllim që ta përgatitin terrenin për sigurimin e mjeteve financiare. 

“Pas miratimit të ligjit në fjalë, duke e ditur se vet ata do të jenë të akuzuarit e Hagës, pa u vonuar, në Kuvendin e Kosovës miratuan Ligjin për mbrojtjen juridike të akuzuarve të Hagës. Me këtë ligj « komandantët e luftës » përgatiten terrenin për sigurimin e mjeteve financiare për mbrojtjen e tyre juridike, që nënkuptonte pagesat e avokatëve si dhe akomodimin e familjarëve për vizitat në Hagë. Ky Ligj u miratua me shumë lehtësi dhe shpejtësi, nën pretekstin se në Hagë po gjykohet UÇK-ja dhe se të akuzuarit do t’a mbrojnë atë, që ishte një mashtrim dhe manipulim me opinionin dhe ndjenjat e qytetarit. 

Për mbrojtjen e të akuzuarve, që për momentin në paraburgim janë shtatë dhe sipas supozimeve do të pasojnë edhe dhjetëra të tjerë, Buxheti i Kosovës ka ndarë dhe do të ndajë miliona euro”, theksoi ai. 

Në vazhdim, juristi hodhi dyshime në pafajësinë e të akuzuarve në Hagë, për faktin se ata ndonëse u deklaruan të pafajshëm, angazhuan avokatë me famë ndërkombëtare dhe financiarisht të kushtueshëm.

“Duke parë se të akuzuarit e Hagës, për mbrojtjen e tyre juridike kanë angazhuar një armatë të tërë të avokatëve, mbase me renome dhe famë ndërkombëtare, honorarët e të cilëve janë vështirë të përballueshme për kushtet e Kosovës, lindin dyshimet për pafajësinë e tyre, sepse sikur të ishin të pafajshëm, ashtu siç deklarohen, ata nuk do të kishin nevojë më tepër se një avokat, që di t’i mbikëqyrte dhe udhëhiqte vetëm procedurat gjyqësore. 

Vet titulli i Ligjit, por edhe përmbajtja, « ndihmë juridike » nënkupton ndihmë financiare për ata të akuzuar që nuk kanë mjete vetanake financiare për mbrojtje sipas protokollit të përcaktuar”, shpjegoi Musliu. 

Gjithashtu, ai parashtroi një pyetje nëse shteti duhet t’i financojë ish-krerët e UÇK-së, ku dihet se disa prej tyre njihen si milionerë të Kosovës. 

“Mirëpo disa nga të akuzuarit e tanishëm, por edhe të tjerët, që në opinion po flitet se do të ftohen në Hagë si të akuzuar, njihen si milionerët e Kosovës, që u pasuruan brenda natës, prandaj edhe pyetja, se a duhet shteti i Kosovës t’ua financojë ndihmën juridike.  Këta milionerë u pasuruan me paratë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe haraçit, « heronjtë » dhe komandantët e vetëshpallur që ishin në kupolën e shtetit u bënë aksionarë në shumë kompani dhe biznese dhe hisenik të aktiviteteve tjera. Edhe pse janë në paraburgim, atyre ju ecë biznesi dhe nuk e kanë aspak problem paranë dhe pagesat e avokatëve, por lirinë. 

Taksapaguesit e Kosovës nuk kanë kurrfarë borxhi që milionerëve t’ua paguajnë mbrojtjen juridike, mbase, nëse të akuzuarit shpallen fajtor, atëherë del se familjarët e viktimave i paskan financuar avokatët e kriminelëve eventual”, nënvizoi juristi. 

Më tej, Musliu duke u bazuar në argumentet e lartpërmendura, tha se lind dyshimi nëse ligji për mbrojtjen juridike e të akuzuarve të Hagës, është apo jo në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Duke u nisur nga fakti se në Hagë nuk akuzohet, e as nuk mbrohet UÇK-ja, por ajo pastrohet nga individ, të cilët supozohet se në emër të saj kanë keqpërdorur uniformat dhe formacionet e UÇK-së për interesa personale dhe private, duke likuiduar kundërshtar politik dhe ushtarak të FARK-ut, atëherë me të drejtë parashtrohet pyetja, se a thua Ligji për mbrojtjen juridike e të akuzuarve të Hagës, është apo jo në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës ?! Pse ?   

Sepse Gjykata Speciale, edhe pse me seli në Hagë, është nën juridiksionin e Drejtësisë së Kosovës, sikurse edhe gjykatat tjera të rregullta të Kosovës, prandaj për një gjykim të drejtë duhet pasur mbrojtje juridike nën kushte të balancuara dhe të barabarta mes të akuzuarve, që nuk është rasti. Respektivisht të akuzuarit  që gjykohen në Kosovë për vepra të ndryshme penale, e në mungesë të mjeteve financiare, nuk e kanë mundësinë t’i përzgjedhin avokatët, por atyre iu caktohet avokati sipas detyrës zyrtare”, potencoi ai.

Ndër të tjera, në vështrimin e Musliu ligji për mbrojtje juridike është në kundërshtim me Kushtetutës, dhe si tillë duhet të shpallet nul. 

Madje, ai tha se në Hagë nuk gjykohet UÇK-ja, por individët. Kjo pasi, nëse do të ishte ashtu do të akuzohej edhe NATO-ja. 

“Duke u nisur nga kjo diskrepancë të mbrojtjes juridike mes të akuzuarve të Hagës dhe atyre të Kosovës, si dhe për t’a evituar aplikimin e mëtutjeshëm të Ligjit në fjalë, ai duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësim të kushtetutshmërisë, sepse në gjykimin tim, ky Ligj, në substancë është në kundërshtim me Kushtetutës, dhe si tillë duhet të shpallet nul. Kjo edhe nga fakti se mënyra e trajtimit e të akuzuarve, prishë bilancin e parimit për mbrojtje dhe gjykim të barabartë dhe të drejtë para ligjit, sepse kompensimi i avokatëve të akuzuarve të Hagës bëhet 100% nga Buxheti i Kosovës, kurse avokatët e të akuzuarve të Kosovës bëhet nga buxheti familjar.

Sikur të ishte akuzuar UÇK-ja në Hagë, atëherë do të akuzohej populli dhe NATO-ja, sepse UÇK-ja dhe NATO kanë bashkëpunuar, para dhe gjatë luftës”, potencoi ai. 

Në fund, juristi tha se në Hagë po ndodh ajo që e paralajmëroi Thaçi, pra po pastrohet UÇK-ja nga keqbërësit e saj.

“Kjo çka po ndodh në Hagë, është ajo çka thoshte Hashim Thaçi, se Gjykata Speciale do t’a pastrojë UÇK-në nga keqbërësit, që do të thotë, të pastrohet nga individ që keqpërdorën uniformën dhe formacionet e UÇK-së për interesa personale dhe private, dhe se, siç thoshte prap ai, « Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armiku i pavarësisë së Kosovës dhe i UÇK-së»”, përmbylli Skënder Musliu.

Related posts

Gërvalla takon përfaqësuesit e shoqatave të diasporës, flasin për institucionalizim të bashkëpunimit

D V

Në takim Biserkon nga Komiteti i Helsinkit, Kurti potencoi rëndësinë e demokratizimit të rajonit

D V

Haziri: Rugova më ka thënë të mos angazhohemi shumë që ta fitojë LDK krejt pushtetin

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More